OSHEE: E vërteta e bilancit të kompanisë, sqarimi për të ardhurat dhe arkëtimet

oshe

 

Në lidhje me artikullin e datës 19 janar te portali reporter.al, sqarojmë se OSHEE ka deklaruar në mënyrë transparente dhe me përgjegjësi maksimale cdo të dhënë financiare të aktivitetit të saj.

Këto të dhëna janë shumë lehtë të verifikueshme jo vetëm në regjistrat financiare të shoqërisë por edhe në Organet Tatimore si dhe ERE ku ajo deklaron në mënyrë mujore të dhënat për aktivitetin e saj të Shitjes dhe Arkëtimeve.

Përsa i përket të dhënave të krahasuara në mënyre aspak profesionale dhe korrekte nga ana Reporter, ju sqarojmë si më poshtë:

Në artikullin e Reporter bëhet një krahasim midis Arkëtimeve të OSHEE për vitin 2015 me Te Ardhurat e realizuara për të njejtin vit.

Së pari, këto janë dy të dhëna të ndryshme, ku Arkëtimet janë shuma e Lekëve të arkëtuara nga pagesat e klientëve të OSHEE dhe deklarohen me TVSH, ndërkohë Të Ardhurat janë vlera e energjisë së faturuar të cilat në Pasqyrat Financiare të shoqerise paraqiten pa TVSH.

Ky sqarim për të qenë profesionist dhe korrekt në mënyrën se si krahasohen këto dy të dhëna.

Së dyti, për të dhënë një pasqyrë të plotë të të dhënave të realizuara nga OSHEE sqarojmë:

Arkëtimet prej 59.4 Miliardë Lek për 11-mujor të përmendura në artikull, janë absolutisht të sakta dhe janë të deklaruara përfshirë TVSH, shifër kjo e bazuar në pagesat e kryera nga Klientët e shoqërisë.

Dhe këto Arkëtime për vitin 2015 në total rezultuan në vlerën e 65.4 Miliardë Lek nga 49 Miliardë Lek që ishin në vitin 2014, ose 16 Miliardë lek më shumë.

Arkëtimet totale arritën në 65,4 Miliardë dhe janë frut i përpjekjeve që lidhen me rritjen e performancës dhe eficencës manaxheriale e shprehur me një normë arkëtimi korrente për kategorinë familjare e cila arriti vlerën rreth 90% në fund të 2015 nga 67% të arritur ne fund të vitit 2014, duke shprehur sërish mbështetjen e publikut dhe suksesin e përpjekjeve të vijueshme.

– Të Ardhurat (faturimet) në vitin 2015 rezultojnë në vlerën e 54.6 Miliardë Lek nga 47.3 Miliardë në vitin 2014.

Dhe theksojmë që këto vlera janë pa TVSH, ndryshe nga cka paraqiten të dhënat e Arkëtimeve më sipër.

Nëse këto të Ardhura do t’i paraqesim me TVSH atëherë të Ardhurat e realizuara për 2015 rezultojnë në vleren e 63.9 Miliardë Lek.

Nëse do të bëhet një përmbledhje e rezultateve të OSHE për vitin 2015, Të Ardhurat e realizuara janë 54.6 Miliardë (pa TVSH) ose 63.9 Miliardë (me TVSH), dhe Arkëtimet rezultuan në vlerën e 65.4 Miliard (me TVSH), që do të thotë që shoqëria në total si rezultat financiar ka arkëtuar më shumë në vlerë gjatë 2015 se sa të Ardhura e realizuara nga Faturimi i Energjisë dhe Shërbimeve tëtjera.

Çdo e dhënë financiare e deklaruar nga shoqëria është me përgjegjësi të plotë, dhe gjithashtu e lehtësisht e verifikueshme konkretisht nëpërmjet Bankave për Arketimet prej 65.4 Miliardë Lek (perfshire TVSH), dhe nëpërmjet Librave të Shitjeve të deklaruara në Tatim Taksa për Të Ardhurat prej 63.9 Miliardë Lek (përfshirë TVSH), për të cilat dhe shoqëria ka paguar TVSH cdo muaj si dhe do Tatohet për këto të Ardhura të realizuara.

Vlen të ritheksojmë që shoqëria OSHEE raporton ëdo muaj të dhënat e saj financiare duke i bërë ato publike për cdo palë të interesuar dhe verifikimi i tyre mund të kryhet në cdo moment.

Deklarata të tilla të papërgjegjshme pë diferenca miliona Euro, nuk vlejnë për asgjë përvec përbaltjes në mënyrë të padrejtë të gjithë punës dhe arritjeve të jashtëzakonshme dhe historike që kjo shoqëri ka arritur të regjistrojë gjatë vitit 2015, duke bërë të mundur për herë të parë në historinë e saj që shoqëria të rezultojë me fitim duke bërë të mundur mbulimin e gjithë shpenzimeve dhe investimeve me fondet e veta pa rritur më tej borxhet e shoqërisë.

Dyshimet mbi saktësinë dhe besueshmërinë e raportimit financiar duke i dhënë zë mungeses së lëshimit të një opinioni nga audituesit e shoqërisë janë një përpjekje e padenjë dhe një mungesë e theksuar respekti për kategorinë e njerëzve që përpiqen të realizojnë objektivat e vendosura, e bërë kjo me dashje nga gazetari, në të njëjtën mënyrë që administrimi i shoqërisë ndër vitet 2009-2013 anashkaloi cdo rregull të sistemit të kontrollit të brendshëm për marrjen e një sigurie mbi aktivet e shoqërisë (fikse dhe korrente) që cuan në degjenerimin e vlerës së kapitalit të shoqërisë dhe që për vitet që vijnë do të rëndojnë mbi opinionet mbi pasqyrat financiare duke evidentuar këto parregullsi.

Në lidhje me Hetimin e Autoritetit të Konkurrenës, deklarojmë se ky institucion, me shkresën nr 479/1,datë 29.12.2015, vendimi 388, dt.14.12.2015 i Autoritetit të Konkurrencës, konkludon me mbylljen e hetimit ndaj ndërmarrjeve GSA, EFT ndërmarrjeve të grupit GEN-I dhe kompanisë OSHEE duke konkluduar qe “nuk ka shenja të kufizimit të konkurrencës si pasojë e sjelles së ndërmarrjeve në treg”.

Fal procedurave konkurruese, garës transparente, si dhe uljes së humbjeve, OSHEE ka mundur të kursejë nga blerja e energjisë elektrike, plot 60 milionë euro.