Praktikat mësimore, OSHEE marrëveshje me Universitetin Politeknik

celaOperatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) dhe Universiteti Politeknik i Tiranës nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimi në kuadër të rritjes së kualitetit të stafeve dhe mbështetjes së projekteve të përbashkëta në fushën akademike për sektorin energjetik në vend.

Marrëveshja u firmos nga administratori i OSHEE-së, z.Adrian Çela dhe rektori i universitetit, z.Jorgo Kaçani.

“Kjo marrëveshje është në vazhdën e atyre aktiviteteve që OSHEE ka marrë në drejtim të hapjes dhe sfidave të reja.

Para një muaji nënshkruam dhe një marrëveshje me ministrin Veliaj për arsimin professional”, u shpreh në fillim të fjalës administrator,

Sipas tij, OSHEE ka nevojë të madhe për reformimin e burimeve njerëzore, pasi mbi 51% e punonjësve janë me moshë mbi 50-vjeçare, gjë që tregon për nevojën e stafit të mesëm dhe të lartë, jo vetëm të jetë i përgatitur, por dhe me moshë të re.

“Kjo marrëveshje është në interes të përbashkët. OSHEE do të ofrojë praktikat, stafin për përgatitjen e diplomave etj, por nga ana tjetër ne kërkojmë që universiteti të na ofrojë studentët më të mirë që t’i japim mundësi të aplikojnë dhe t’i kemi pjesë të stafit në të ardhmen.

Ne do të inkuadrojmë specialistë të mesëm, të cilët do t’i testojmë këtë fundjavë, dhe kemi përzgjedhur rreth 150 të tillë. Pjesa më e madhe e përzgjedhur janë inxhinierë të dalë nga bankat e këtij universiteti, veçanërisht nga Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike”, deklaroi kreu i OSHEE-së.

Kjo marrëveshje ndër të tjera synon ofrimin e të gjitha mundësive për kryerjen e mikrotezave dhe të disertacioneve, nga ana e studentëve të ciklit të dytë dhe të tretë të UPT, në objektet e OSHEE-së, në udhëheqjen e specialistëvë më të mire.

Në fjalën e tij, rektori i UPT-së, Jorgo Kaçani, tha se, “unë personalisht ndjej 2 gëzime, së pari që në krye të OSHEE është një inxhinier, kontigjent i UP, që ka dalë nga auditoret tona. E dyta, është kjo marrëveshje, e cila parashikon në drejtim të studentëve zhvillimin e praktikave mësimore, zhvillimin e punëve të laboratorit, vizitave mësimore në të gjitha degët që OSHEE ka.

Së dyti shpresojmë të realizojmë diploma në nivel master, bachelor por dhe doktoratura që të trajtojnë të gjitha problemet që lidhen me energjinë, me bërjen e projekteve të përbashkëta, implementimin e teknologjive të reja, mirëmbajtjen e tyre, përcaktimin e të dhënave që përcaktohen për shpërndarjen e energjisë”.