Rama: OSHEE nuk është më një kompani që merr para nga buxheti për të ndenjur në këmbë
Në fjalën e tij mbajtur në aktivitetin ku u lancua nisja e operacionit ndaj tregut të hidrokarbureve, kryeministri Edi Rama u shpreh dhe në lidhje me situatën e kompanisë së Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
Kryeministri Rama tha se ndenjien në këmbë, OSHEE e garanton me të ardhurat e veta sot.
Më poshtë pjesë nga fjalimi
“Ne nuk duam thjesht që OSHE të rrijë në këmbë. Ne duam që OSHE të shkojë më tutje dhe të kthehet nga një bandë e organizuar me sfond politik ku parkoheshin të gjitha burimet njerëzore të nivelit më të ulët të pushtetit të vjetër në një kompani dinjitoze me standarde ndërkombëtare që i shërben klientit, konsumatorit, dhe sigurisht edhe vendit tonë sepse është një kompani publike, ashtu siç ata që e paguajnë energjinë, kanë të drejtë që ta kenë shërbimin.
Për herë të parë këtë vit, falë atij mirëkuptimi të madh, falë asaj mbështetje fantastike të 300 mijë konsumatorëve, mbi treqind mijë në vetëm 4 muaj e gjysmë që nënshkruan marrëveshjet dhe pranuan të futen në kushtet kur kemi filluar investimet në këtë sektor. Investimet për të rimëkëmbur një rrjet shpërndarjeje që përfytyrojeni pak në 85% të vetën e ka datëlindjen në vitet ’70. Në 85% të vetën. Një makinë që ka bërë nuk e di se sa remonte kapitale dhe që ka 85% të saj prodhim të Fiat-it të viteve 70. Llogarisni tani se çfarë mund të kërkosh nga ajo makinë dhe ku mund të shkosh me atë makinë. Ata që na e lanë atë farë makine, na thonë pse nuk e keni rilindur atë tani që të bëjmë gara tek Formula Uno.
Së fundi, është me shumë rëndësi të kuptohet qartësisht se ky operacion, ashtu si operacionet e tjera nuk është një aksion me goditje të përqendruar, që fillon e mbaron siç mbaronin dikur aksionet me goditje të përqendruara. Ju kujtohen besoj ato aksionet që bënte CEZ-i, kur dilte drejtori me pinca në dorë e priste tela, si zakonisht në Kamzë dhe pastaj mbas tre ditësh aksioni mbaronte, drejtori kthehej në zyrë dhe vjedhja vazhdonte, sepse i kishim të tanët. Jo! Ky operacion do të vazhdojë njësoj si operacionet e tjera deri në fund. Ky operacion do të përfshijë siç edhe operacionet e tjera, edhe ju, të gjithë ata që brenda institucioneve janë pjesë e kësaj grabitjeje dhe mashtrimi, ashtu siç përfshiu një numër të konsiderueshëm punonjësish të OSHEE, që sot vuajnë heqjen e lirisë”