Shkodër, 35 abonentë shoqërohen në polici për vjedhje të energjisë

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE Sh.A), vijon kontrollet në terren ndaj konsumatorëve abuzues të energjisë elektrike, duke u përqendruar kryesisht te zonat problematike.

Kështu, vetëm në tre ditët e fundit, në rajonin e Shkodrës, ku përfshihen edhe zonat Lezhë e Pukë, janë proceduar në polici 35 abonentë, kryesisht për rilidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Afro 85% e shkeljeve të zbuluara nga grupet e kontrollit rezultojnë në zonën e Shkodrës, ku niveli i humbjeve vijon të mbetet i lartë, pavarësisht reduktimit në dy vitet e fundit.

Vjedhja e energjisë elektrike kryhet përmes rilidhjes nga vet abonenti, në kundërshtim të plotë me ligjin, apo duke u furnizuar me linjë të dytë jashtë matjes.

Të 35-ta rastet po hetohen aktualisht nga organet kompetente, bazuar mbi procesverbalin e plotësuar nga OSHEE dhe Policia Gjyqësore. Sakaq, kontrollet vijojnë ende, duke u bërë thirrje abonentëve që të zgjedhin rrugën ligjore të pagesës së faturave të konsumit të energjisë elektrike, ku në pamundësi shlyerje, mund t’i drejtohen zyrave të Kujdesit ndaj Klientit për tu njohur me skemat lehtësuese të pagesës me këste.