Vijimi i reformave në sektorin e energjisë, firmoset huaja 50 mln euro me Agjencinë Franceze për Zhvillim

Sektori i energjisë do të mbështetet me një kredi të butë nga Agjencia Franceze për Zhvillim prej 50 milionë euro për vijimin e reformave energjetike.

Marrëveshja e huasë u firmos në emër të qeverisë shqiptare nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.

Në fjalën e saj, ministrja Ibrahimaj tha se kjo kredi synon të përmirësojë dhe të konsolidojë strukturën e OSHEE-së , ndarjen e 3 operatorëve të saj.

“Kjo kredi synon gjithashtu të nxisë funksionimin e bursës së energjisë dhe krijimin e një tregu konkurrues për energjinë”.

Ministrja e Financave tha se kjo kredi është në vijim të një marrëveshje tjetër kredie për sektorin e energjisë të financuar nga qeveria gjermane bazuar në marrëveshjen që qeveria shqiptare dhe qeveria gjermane dhe ajo francize kanë për nxitjen e reformave në sektorin e energjisë.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrveshjes, ishte i pranishëm dhe zv/kryeministri Arben Ahmetaj.

Zv/kryeministri Ahmetaj u shpreh se kjo marrëveshje huaje është në vijim të marrëveshjes ndërqeveritare firmosur gjatë Konferencës së Donatorëve më 17 shkurt 2020,  firmosur nga kryeministri Rama.

“Prej shkurtit të vitit 2020 e deri më tani, është avancuar me 3 projekte të rëndësishme, 2 prej të cilëve janë mbështetje e drejtpërdrejtë buxhetore me shumën 100 mln euro, 50 mln euro secila krahas 3 mln euro asistencë teknike për reformën në sektorin e energjisë që u firmos gjatë ceremonisë së sotme”, u shpreh zv/kryeministri Ahmetaj.

Ahmetaj vlerësoi mirëmenaxhimin e kompanisë OSHEE Group, ku 450 mln euro investime kanë përmirësuar rrënjësisht cilësinë e furnizimit me energji elektrike.

Ai ka falenderuar donatorët në sektorin e energjisë që kanë bërë të mundur investimet dhe përkujdesjen për të avancuar me reformën në tregun e energjisë.

Gjithashtu, zv/kryeministri Ahmetaj vlerësoi gjithashtu dhe transparencën në blerjen e energjisë nga kompania OSHEE përmes platformës online.

Sipas tij, marrëveshja që firmosëm sot është një hap tjetër i mëtejshëm për të vijuar me reformat.

 “Suporti i rëndësishëm i qeverisë shqiptare që prej vitit 2019 afron bashkë agjenci të fuqishme ADF dhe KfË për të mbështetur në realizimin e disa objektivave si përmirësimi dhe qëndrueshmëria financiare e operatorëve të sektorit, krijimi i një tregu elektrik, një proces progresiv i derregullimit të tarifave dhe diversifikimit dhe i miksit elektrik të zhvillimit të energjive të rinovueshme”, tha Ahmetaj.

Në fund të fjalës së tij, zv/kryeministri Ahmetaj vlerësoi mbështetjen financiare dhe ekspertizën e ADF-së me shumën e parë 4 mln euro, si shenjë kjo e intensifikimit të marrëdhënieve politike dhe ekonomike mes Francës dhe Shqipërisë.