Back

 Zhvillimi i rrjetit elektrik dhe integrimi i burimeve të rinovueshme, OSSH prezanton sfidat

Në kuadër të edicionit të 32-të të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës (TIF32), Xheni Kazaferi, përfaqësues i OSSH, prezantoi zhvillimet dhe sfidat e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike, në funksion të integrimit të burimeve të rinovueshme dhe garantimit të sigurisë së furnizimit.

Diskutimi u zhvillua në kuadër të tematikës “The Energy Opportunity in Albania – Powering Business Growth and Expanding Regional Exports”, me fokus potencialin energjetik të Shqipërisë, investimet në infrastrukturë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit.

Gjatë fjalës së tij, Kazaferi theksoi se në rrjetin e OSSH janë aktualisht të lidhura 243 burime gjeneruese, me fuqi të instaluar rreth 536 MW, ndërsa numri i kontratave të vetëprodhuesve ka arritur në 4,629, me kapacitet të instaluar rreth 342 MWp.

Ai nënvizoi rëndësinë e investimeve në fuqizimin e nënstacioneve, modernizimin e linjave dhe përmirësimin e konfigurimit të rrjetit, si dhe të analizave teknike për administrimin e flukseve të energjisë.

OSSH sh.a. mbetet e angazhuar në zhvillimin e një rrjeti elektrik më të sigurt, më fleksibël dhe të aftë për të mbështetur rritjen e prodhimit të energjisë nga burimet e rinovueshme.