Zonat turistike në veri, OSSH investime në Theth, Velipojë, Shëngjin dhe Tale

Pas disa vitesh problematikash me furnizimin e energjisë elektrike, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, OSSH, pjesë e OSHEE Group, ka përfunduar investimin për ndërtimin dhe rikonstruksionin e disa akseve kyçe në zona të ndryshme turistike në veri të vendit.

Kështu, është ribërë nga e para fideri 3 (rrethinat e Shkodrës), duke ulur ngarkesën e fiderit 15 që furnizon zonën e Thethit.

Në këtë vend turistik, OSSH ka ndërtuar rrjet kabllor ABC dhe 6 kabina.

Në Velipojë ka përfunduar një pjesë e investimit për ndërtimin e rrjetit 20kV, vendosjen e shtyllave dhe kabinave të reja. Për këtë zonë bregdetare të rëndësishme, OSSH ka planifikuar ndërtimin e N/stacionit të ri, gjë që zgjidh problemin e furnizimit të zonës turistike.

Në Shëngjin, grupet e punës të OSSH Lezhë kanë riorganizuar rrjetin e tensionit të mesëm, duke krijuar unazë dhe ndarë ngarkesën gjatë pikut turistik. Tashmë, një pjesë e Shëngjinit furnizohet nga dy krahe të ndryshme paralele, n/st Lezhë dhe Rrilë.

Puna ka vijuar me zbatimin e projektit në plazhin e Tales, në vijim të bregdetit të Shëngjinit. Me investimin e ri, zona ka një rrjet shpërndarës elektrik më të sigurt, pasi u ndërtuan 7 kabina të reja dhe u rikonstruktuan disa të tjera.

Përfitues nga investimi janë mbi 10 mijë banorë, pa llogaritur turistët që pushojnë në plazhin Tales, e cila shtrihet përgjatë vijës bregdetare të Shëngjinit, Lezhë.

Me ndryshimet e mëdha demografike, zona e Rriles e sidomos 5-6 vitet e fundit dhe zona bregdetare e Tales u mbipopulluan e për pasojë nevoja për shërbim me energji nga OSSH ishte e madhe.

Nëse deri në vitet ’90 NST i Rrilës kishte vetëm një fider, i cili mundësonte furnizimin me energji të kësaj zone, sot me investimin e ri të OSSH janë ndërtuar 5 fidera (rrjet i ri TM), zhvillimi i rrjetit TU me kabëll ABC që mundësojnë furnizim normal me energji edhe për zonën bregdetare të Tales.