Administratori i OSHEE: Kompania, bilanc pozitiv në 2021 në arkëtime dhe humbje

Në mbledhjen e fundvitit, e organizuar nga minstrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku, së bashku me administratorët e kompanive OST dhe Kesh, Administratori i OSHEE Grup, Adrian Ccela, renditi disa prej arritjeve pozitive të kompanisë për vitin 2021.

Ccela tha në fjalën e tij se megjithë vështirësitë që po kalon kompania OSHEE si pasojë e krizës energjetike ndërkombëtare, por dhe situatës financiare të krijuar si pasojë e pandemisë, viti 2021 mbyllet me tregues të kënaqshëm të nivelit të humbjeve dhe arkëtimeve.

Sipas tij, për 11-mujorin 2021, niveli i humbjeve teknike në rrjet mbyllet me 20.5 %, 1 ëprqind më mirë se viti i kaluar.

“Nëse krahasojmë  periudhën kur ka filluar kjo reformë ku  humbjet ishin në nivelin 45 përqind, ne kemi një përmirësim me 50 % të nivelit të humbjeve dhe nëse do të bënim një krahasim me megavat, janë 10 mln megavat të kursyera ose  600 milion euro më shumë të kursyera”, tha administratori i OSHEE.

Ccela u ndal konkretisht dhe në rajonet kryesore të vendit si Tirana e Elbasani të cilat kanë përmirësuar ndjeshëm nivelin e humbjeve dhe sot janë nën 14 % të nivelit të humbjeve ndërkohë që synimi është që të përmirësohet treguesi i humbjeve në rajonin e Shkodrës, nga 40 në 30 përqind.

Kurse niveli i arkëtimeve ka shënuar nivel rekord ku  janë arkëtuar 72 miliardë lekë.

Kreu i kompanisë OSHEE tha se ky është bilanci më i mirë i realizuar në 7 vite ku 101 % është niveli i arkëtimeve i realizuar për abonentët familjarë dhe 92 % për abonentët buxhetorë dhe jo buxhetorë, pra në total jemi në nivel arkëtimi 95 përqind.

Në analizën e performancës së kompanisë, administratori i OSHEE përmendi dhe investimet në rrjet, ku falë punës së realizuar ndër vite, OSHEE përmirësoi treguesit SAID/SAIF.

“Në vitin 2013, SAID ishte 117.5 jashtë cdo lloj standardi, në 2021 si 11 mujor është 42, në 2013 SAIF ishte 53.5 dhe në 10 mujorin e 2022 është 22.6.

Pra treguesit janë mëse të qartë, dhe janë të realizuara në cdo nivel drejtorie, ku përmirësimi është i paimagjinueshëm”, u shpreh administratori i OSHEE.

Ccela theksoi se prioritet I kompanisë për vitin 2022 është vazhdimi i investimeve ku në fund të 6-mujorit të parë dhe në vazhdim,  do të implementohet instalimi i matësave smart pas përfundimit të dy projekteve pilot në Tiranë dhe në Durrës.

“Tashmë  jemi gati të nisim instalimin e matësave smart  në drejtrorinë rajonale në Shkodër dhe në Durrës me instalimin e matësave smart në 3700 kabina që është 70 përqind e konsumit në këto dy qarqe dhe ajo që ne presim, është përmirësimi në nivelin e 70 përqind të humbjeve”, tha kreu i OSHEE.

Sipas Ccelës ky është loti iI parë që do të implementohet plotësisht në katër vitet e ardhshme.

Ndërkohë që ka nisur procesi i prokurimit me KfË dhe brenda tremujorit të parë të vitit  do të firmoset kontrata për nënstacionin e qendrës që pas 20 vitesh bëhet realitet dhe nëstacioni I Valiasit ku do të investohet totalisht në rrjetin TM/TU duke I dhënë fund gangrenizimit të rrjetit për qytetin e Tiranës.

Sa i takon mbarëvajtjes së furnizimit me energji elektrike, kreu i OSHEE garantoi se në terren janë 309 ekipe prej 3957 punonjësish që janë në gatishmëri për të riparuar në kohë sa më të shpejtë avaritë.

Ndërsa ministrja e Energjisë Belinda Balluku teksa vlerësoi arritjet pozitive të OSHEE, tha se me ndryshimet ligjore që ngarkojnë KESH të mbulojë furnizimin me energji të abonentëve familjarë dhe biznesin e vogël, OSHEE do të vijojë planin e investimeve.

“Pavarësisht vështirësive, ambicia jonë është që Shqipëria të kthehet në një vend eksportues të energjisë së pastër. Janë një sërë projekte të cilat tashmë e kanë marrë rrugën dhe shumë shpejt do të jenë realitet duke rritur ndjeshëm kapacitetet prodhuese energjetike në vend”, tha ministrja Balluku.