Balluku në kuvend: Nuk ka rritje të çmimit të energjisë për abonentët familjarë dhe biznesin e vogël

Gjatë fjalës në seancën e së hënës në kuvendin e Shqipërisë, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Elektrike Belinda Balluku theksoi sërish se çmimi i energjisë nuk do të rritet për abonentët familjarë dhe biznesin e vogël. Balluku tha se pavarësisht rritjes së mëtejshme të çmimit të energjisë në tregun ndërkombëtar, qeveria ka vendosur një mburojë për kategoritë familjarë dhe biznes i vogël.

Sipas ministres Balluku, në tregun ndërkombëtar çmimet e energjisë elektrike janë rritur deri në 10 fish, por çmimi i abonentëve familjarë dhe biznesi i vogël nuk do të ndryshojë.

“Kemi vendosur që për shkak të krizës, çmimi i abonentëve familjarë të qëndrojë aq sa ka qenë, 9.5 lekë kilovatorë pa reflektuar çmimet e importit. Dhe biznesi i vogël i lidhur në fashën 0.4 po ashtu nuk do të ketë lëvizje të çmimit, gjithashtu dhe pas marëveshjes dhe negociatave me biznesin e mesëm, 7440 prej tyre nuk u preket çmimi”, u shpreh ministrja Balluku.

Ministrja Balluku nënvizoi se situata e basenit të Fierzës është përmirësuar ndjeshëm me reshjet e shiut të rëna në javën e parë të muajit prill dhe pritet rritje e nivelit të ujit në basen rreth 280 metra, shpresëdhënëse për prodhimin e energjisë.