Back
23 Nëntor

Emrat/OSHEE Shkodër, paditen në polici 22 abonentë, mes tyre edhe biznese

Kontrollet e ditëve të fundit në rajonin e Shkodrës, kanë zbuluar abuzues të shumtë me energjinë elektrike. Pavarësisht apeleve të shumta, janë me dhjetëra raste të zbuluara nga strukturat e Task Forcë dhe Kontroll-Verifikimi të OSHEE Shkodër, të abonentëve familjarë dhe privatë, të vjedhjes së energjisë elektrike.
Në prani të policisë gjyqësore, kanë shkuar për hetim të mëtejshëm 22 abonentë, të cilët janë kapur në flagrancë duke vjedhur energjisë, në kundërshtim me nenin 137 të Kodit Penal.

Abonentët e proceduar penalisht janë:

• Astrit B. dhe Kol Sh., abonentë të kapur duke u furnizuar me lidhje të paligjshme, pasi u është ndërprerë energjia pasi janë debitorë.
• Gjin Sh., debitor, me lidhje të dytë jashtë matjes.
• Bal F., abonent privat, biznes (bar-restorante), manipuloi matësin
• Frank L. dhe Mark Sh. rezultuan me matës të shkëputur
• Gjon N., me matës të fikur dhe furnizohej me lidhje të dy të jashtëligjshme
• Mrike K., abonent që furrohej pa patur kontratë dhe matës me OSHEE
• Vera L., furnizohej në mënyrë të jashtëligjshme me linjë të dytë
• Sami D., rilidhje e paligjshme e energjisë elektrike
• Ardita M., furnizohej me energji pa patur kontratë me OSHEE
• Ndriçim B., furnizohej me dy linja
• Gjon P., Petrit B. dhe Hilmi H., përfaqësues biznesi privat, u kapën duke u furnizuar me energji elektrike pa matës.
• Lule F., furnizohej me energji pa kontratë me OSHEE
• Faik Gj., ndërhyrje në matës, manipulim të dhënash
• Ndoc P., furnizohej pa patur kontratë me OSHEE
• Marije B., abonent privat, biznese, lidhje e paligjshme
• Arif F., furnizohej me lidhje të paligjshme
• Afrim V., furnizohej pa patur kontratë me OSHEE
• Mark L., lidhje e paligjshme e energjisë

Kontrollet vijojnë edhe gjatës ditës së sotme, në bazë të listës me renditjen e kontratave debitore dhe të prera për verifikim. Shoqërimet në polici janë bërë në prani të oficerit të policisë gjyqësore, i cili është i pranishëm me grupet e kontrollit të OSHEE, dhe ku bashkarish plotësojnë procesverbalin përkatës.

Pavarësisht se me zbatimin e reformës në sektorin e energjisë, Shkodra ka përmirësuar të dhënat e nivelit të humbjeve, nga 64 në 44% (10 mujori 2017), sërish konsiderohet problematike, duke patur parasysh rajonet përreth, si Kopliku dhe Puka, me nivel humbjesh rreth 60%.

OSHEE u bën thirrje abonentëve debitorë të mos zgjedhin rrugën e gabuar dhe ndëshkuese të vjedhjes së energjisë, por, në pamundësi pagesash, t’i drejtohen kompanisë për tu njohur me skemat lehtësuese të shlyerjes së faturave me këste të dritave.

23 Nëntor

Vidhnin energjinë elektrike, procedohen penalisht 3 biznese

Strukturat e Task Force të OSHEE, në bashkëpunim me policinë gjyqësore, zbuluan dhe proceduan subjektin privat “Elite Albania Construcion” (në sektorin inerte), pasi furnizohej me linjë te dyte, jashtë matjes, duke shkelur ligjin.

Subjekti privat ushtronte aktivitetin në Peqin, dhe në mënyrë flagrante vidhte energjinë përmes një linjë të dytë.

Rasti i është përcjellë prokurorisë, e cila po heton mbi personat përgjegjës të shkeljes në fjalë.

Dy procedime të tjera penale u kryen nga strukturat e OSHEE Tiranë, të cilat zbuluan vjedhjen e energjisë nga subjektet private “NCE” dhe “Zio Nino”, në fushën e shërbimeve (bar-lokal).

Kontrollet po ushtrohen në të gjithë vendin, dhe OSHEE është e vendosur të godasë pa dallim abonentët që vjedhin energjinë elektrike.

12 Nëntor

Gjiknuri në Peshkopi, inspekton sportelet e OSHEE-së

gjiknuri featured knkMinistri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri inspektoi në Peshkopi zyrat e shërbimit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

Gjatë ndalesës në zyrat e Kujdesit ndaj Klientit, ministri Gjiknuri tha se është reduktuar ndjeshëm edhe në këtë njësi numri i ankesave çka tregon për një punë më të mirë në faturim.

“Në zonën e Dibrës po vazhdojnë shumë investime të rëndësishme. Kuptohet, megjithëse është një vit i vështirë për OSHEE-në për shkak të thatësirës së zgjatur, investimet e nisura do të përfundojnë. Siç dëgjova dhe nga bisedat që pata me drejtorin e kompanisë për këtë zonë, kemi një rënie drastike të humbjeve krahasuar me nivelet që ka patur Dibra. Pothuajse është përgjysmuar humbja dhe kjo ka ardhur si rezultat i një pune më të mirë të punonjësve por edhe investimet”, nënvizoi Gjiknuri.

Duke qenë se muajt e dimrit janë pëprara, ministri Gjiknuri porositi drejtuesit e OSHEE-së për një ripozicionim të burimeve njerëzore duke i dhënë përparësi terrenit.

“I kërkova të gjithë drejtuesve këtu të mbajnë ritmin e punës pasi përpara kemi sezonin e dimrit e mund të ketë probleme. Duhet të jemi në gjendje të ndërhyjmë menjëherë në ato zona ku mund të ketë defekte për shkak të motit. Duhet të bëjmë dhe një riorganizim të punës, ndarje më të mirë të stafit teknik në terren. Elektriçistët duhet të jenë më afër njësive administrative të vogla”, tha Gjiknuri.

02 Nëntor

Durrës, shoqërohet në polici subjekti i fasonit, vidhte energji

Kontrollet për debitorët dhe abuzuesit e energjisë elektrike vijojnë në të gjithë vendin, ku raportohen çdo ditë raste të shkeljes së ligjit nga abonentë të papërgjegjshëm.

Kështu, nga OSHEE Durrës në kuadër të aksionit, është zbuluar vjedhja e energjisë e një abonenti privat në fushën e industrisë prodhuese (veshje), për rilidhje të paligjshme të linjës elektrike.

Subjektit privat i ishte prerë furnizimi me energji pasi ishte debitor, por pas kontrollit u verifikua se ai kishte rilidhur energjinë pa paguar detyrimet, në kundërshtim të plotë me ligjin.

Për këtë arsye, u bë arrestimi në flagrancë i abonentes M.H. dhe tashmë po gjykohet nga organet kopetente.

Ndërkohë, po në Durrës, dy abonentë familjarë, F.K. Dhe K.B, janë proceduar për vjedhje të energjisë elektrike.

Të dhënat e fundit nga qyteti bregdetar tregojnë se janë proceduar në polici rreth 40 abonentë, privat dhe familjar.

OSHEE u bën thirrje debitorëve të mos zgjedhin rrugën e gabuar dhe ndëshkuese të vjedhjes së energjisë, por, në pamundësi pagesash, t’i drejtohen kompanisë për tu njohur me skemat lehtësuese të shlyerjes së faturave të dritave.

31 Tetor

OSHEE Burrel: Vidhnin energjinë, kallezim penal per 4 persona

Në kuadër të formalizimit të mëtejshëm të sektorit të energjisë elektrike dhe respektimit të ligjit për pagesat e faturave të konsumit, OSHEE është duke zbatuar planin e kontrollit për abonentët debitorë, duke u fokusuar tek abuzuesit e energjisë.

Pas rasteve të publikuara për rajonin Shkodër, kontrollet në të cilin vijojnë ende, grupet e task forcës në rajonin e Burrelit kanë zbuluar raste te abonentëve, të cilët furnizoheshin përmes lidhjeve të paligjshme dhe pa patur kontratë me kompaninë.

Konkretisht, nga kontrollet e ushtruara ditët e fundit, janë konstatuar raste të vjedhjes së energjisë në zonat Bulqizë dhe Dibër, duke proceduar në polici, abonentët Suri M., Qani Sh., Jetmir A. dhe Fatjon A. (dy të fundit, merrnin energji pa pasur kontratë me OSHEE).

Hetimet për këta shtetas i kanë kaluar organeve kompetente, ndërsa Drejtoria Rajonale e OSHEE Burrel vijon kontrollet për prerjet e dritave ndaj debitorëve dhe kallëzimin në polici të vjedhësve.

Në dy muajt e fundit janë regjistruar mbi 50 raste, familjar dhe biznes, të cilët kanë përfunduar në polici si pasojë e vjedhjes së energjisë përmes mekanizmit të cenimit (manipulimit) të matësit, lidhjes së paligjshme, furnizimit pa kontratë, etj.

26 Tetor

Gjiknuri: “Energjia” po thith miliona euro investime të huaja

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë z. Damian Gjiknuri, ishte i pranishëm sot në Forumin e organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, ‘Tirana Business Matching 2017’.

Në fjalën e tij, ministri Gjiknuri theksoi se në kuadrin e gjithë politikave qeveritare, prioritet mbartin investimet e huaja në Shqipëri. Duke iu përgjigjur interesit të të pranishmëve, lidhur me projektet e mëdha si TAP apo Devolli, Gjiknuri u shpreh se çdo investim i madh sjell një zinxhir investimesh të tjera ndaj nuk duhet të shqetësohemi, tha ai nëse mbaron një investim i madh.

Sa i takon sektorit energjetik ministri Gjiknuri u shpreh se është një ndër sektorët që ka mbajtur peshën më të madhe të investimeve të huaja, ndërsa theksoi se qeveria shqiptare po promovon edhe investimet ne infrastrukturë.

“Sektori i energjisë elektrike do të jetë një sektor që do të vazhdojë të thithë gjithnjë investime të huaja. Po mbaron projekti i Devollit por sot që flasim, janë edhe disa projekte të tjera të rëndësishme që do të zhvillohen në Kalivaç dhe në Poçem. Kalivaçi do të jetë një investim mbi 120 milionë euro, krahas atij të Poçemit, në këtë kaskadë të pjesës së poshtme të Vjosës. Ne do i qëndrojmë atij angazhimi zyrtar që nga Kalivaçi e sipër nuk do të ndërtojmë hidrocentrale për shkak të sensibilitetit mjedisor dhe për ta shpallur këtë zonë një Park Kombëtar. Vetëm këto dy projekte do të gjenerojnë një investim direkt prej 220 milionë euro të tjera që janë 1/3 e HEC të Statkraftit, një investim goxha i madh në vitet e fundit “, u shpreh Gjiknuri.

Ministri tha se, se përfundimi i projektit TAP do të sjellë në valë tjetër investimesh në territorin shqiptar, duke hapur mundësi edhe për gazifikimin e vendit, si për shembull në zonën e Fierit e cila justifikon plotësisht gazifikimin.

Në takim ishin të pranishëm gjithashtu Kryeministri z. Edi Rama, ministra të kabinetit, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë z. Nikolin Jaka si edhe sipërmarrës të huaj dhe vendas.

Marrë me shkurtime

Për më shumë
http://www.energjia.gov.al/al/njoftime/lajme/tbm-tirana-2017-gjiknuri-projekte-me-interes-ne-infrastrukture-dhe-energji

17 Tetor

OSHEE, shpallen vendet vakante në 11 drejtori, prezantohet platforma online e Punësimit

featured vendet vakante
Administratori i OSHEE-së, z.Adrian Çela, ka deklaruar të hapur garën për kreun e 11 drejtorive rajonale në vend.
Duke folur për mediat, z.Çela u shpreh se sfida e kompanisë është shndërrimi i saj në një korporatë të vërtetë, sipas standardeve bashkëkohore, dhe kjo reformë, e diktuar dhe nga ligji për ndarjen e saj, duhet të prekë edhe burimet njerëzore, që është aseti më i rëndësishëm i çdo institucioni.

Vendet vakante, pozicionet janë: “Drejtor Rajonal” përkatësisht në:

1. Drejtoria Rajonale Tiranë
2. Drejtoria Rajonale Durrës
3. Drejtoria Rajonale Elbasan
4. Drejtoria Rajonale Gjirokastër
5. Drejtoria Rajonale Korçë
6. Drejtoria Rajonale Shkodër
7. Drejtoria Rajonale Fier
8. Drejtoria Rajonale Berat
9. Drejtoria Rajonale Burrel
10. Njësia Kukës
11. Njësia Vlorë

“Është shumë e rëndësishme paraqitja e dokumenteve të kërkuar, si dhe përshkrimi i CV, pasi kanë peshë në vlerësimin e kandidatëve. Afati i i fundit dorëzimit të aplikimeve: 06 Nëntor 2017. Komisioni i vlerësimit përbëhet nga përfaqësues të institucioneve të ndryshme, përfshi edhe ata akademik të fushës”, deklaroi zj.Blerta Isa, Drejtore e Departamentit të Burimeve Njerëzore.

Pas mbylljes së vitit të tretë të reformës, me rezultate pozitive, administratori i OSHEE, vuri theksin te burimet njerëzore, pjesë e rëndësishme në mirëmenaxhimin e korporatës.

Testimet e para kanë nisur, me elektricistët, si fillim në Tiranë, për tu shtrirë në të gjitha drejtoritë.

Gjithashtu, kreu i OSHEE, z.Adrian Çela, prezantoi risinë novatore: Platforma online e Punësimit!

Aplikimi për punë dhe testimi do të kryhen online, ku si hap i parë është regjistrimi dhe plotësimi i të dhënave të kandidatit, duke dërguar edhe CV, etj.
Të përzgjedhur do të njoftohen përmes emalit, për datën, orën dhe vendin e testimit (me shkrim) online.

Sqarojmë se, çdo konkurrent, i cili ka aplikuar paraprakisht në portalin e punësimit te OSHEE dhe që plotëson kriteret për tu testuar, do të thërritet për testim ne ambientet e OSHEE së bashku me kandidate të tjerë, të cilët kanë aplikuar për te njëjtin pozicion pune.

Rezultati i testimit jepet në çast, si dhe renditja e kandidatëve!

Pozicionet dhe fushat janë të ndryshme, dhe çdokush mund të klikojë:
– Specialist (ekonomist, jurist, burime njerëzore, IT, prokurime, logjistika, Transporti, Shitjesh, Kujdesi ndaj Klientit)
– Teknik të mesëm (elektricist mirëmbajtje, operimi, mbledhje debie, operator n/st, lexues).

Për të interesuarit, klikoni www.oshee.al/punesimi/

03 Tetor

Intervista/ “OSHEE, drejt rimëkëmbjes totale”

16665025_10154449357036523_4142701072142985124_o
OSHEE me strategjinë dhe hapat që po ndërmerr prej më shumë se 2 vitesh, është drejt një konsolidimi të plotë, si shoqëri publike për të arritur qëllimin e saj final, sigurimin në mënyrë të plot dhe të sigurt të misionit të saj të furnizimit të të gjithë klientëve të OSHEE me energji elektrike në mënyrë cilësore dhe me çmime konkurruese në vend dhe rajon….

Në vitin 2016, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE)ka forcuar pozitat drejt rimëkëmbjes totale. Administratori i saj, z.Adrian Çela pohon se përmirësimi i situatës financiare i ka mundësuar kompanisë që të jetë agresive në kryerjen e investimeve, të cilat do të vazhdojnë, pavarësisht situatës së pafavorshme hidrike.

Çela shton se për projektet e reja, OSHEE ka rishikuar planin, duke kryer kryesisht rialokime, dhe duke përzgjedhur objektet strategjike, si ndërtim nënstacionesh apo rrjete të reja elektrike 20 kV, në varësi të eficiencës, popullatës, kërkesës në rritje të konsumit, apo vjetërsisë së rrjetit.

Si e vlerësoni ecurinë e OSHEE-së në vitin 2016 dhe pjesën e deritanishme të 2017-s. Si kanë qenë treguesit financiarë, në lidhje me parashikimin?

Viti 2016, për OSHEE mund të themi që është viti i konsolidimit të shoqërisë në rrugën e saj drejt rimëkëmbjes totale, pas një periudhe disavjeçare mjaft të vështirë që OSHEE kaloi gjatë viteve të mëparshme.

Për të dytin vit radhazi, si dhe të dytin në historinë e shoqërisë, OSHEE regjistroi një rezultat financiar mjaft pozitiv, i cili u bë i mundur si rrjedhojë e arritjes, madje tejkalimit, të të gjithë objektivave që OSHEE kishte për vitin 2016, ku më kryesorët janë reduktimi i Nivelit të humbjeve në nivelin e 28.04% apo realizimi i Arkëtimeve në mbi 60 miliardë lekë.

Ky rezultat i vitit 2016 ka bërë të mundur që OSHEE të planifikojë një plan investimesh edhe më agresiv se ai i vitit 2015, me qëllim kapjen e kohës së humbur të viteve të mëparshme për sa i përket gjendjes së rrjetit të shpërndarjes. Rrjeti i shpërndarjes së OSHEE, si pasojë e një mungese investimesh për shumë vite me radhë, u përball me një degradim të tejskajshëm të gjendjes së tij teknike, duke krijuar një situatë mjaft të renduar për sa i përket:
-furnizimit me energji elektrike, në mënyrë të pandërprerë dhe cilësore të klientëve në të gjithë Shqipërinë
-krijimin e mundësive për abuzime të konsiderueshme nga klientët, me qëllime dashakeqe ndaj shoqërisë OSHEE SH.A.

Nëse do të përmendim disa prej treguesve financiarë të regjistruar gjatë vitit 2016, mund t’ju themi që:
-Niveli i Humbjeve, edhe për vitin 2016, u arrit të reduktohet më tej me 3.3%, duke zbritur në nivelin e 28.04%, ulje e ardhur si rezultat i: a) vazhdimit të masave organizative dhe menaxheriale për identifikimin e klientëve abuzivë; b) reduktimit të humbjeve teknike, si efekt i investimeve të reja që OSHEE ka realizuar në rrjet.

-Niveli i Arkëtimeve vazhdon në ecurinë pozitive edhe për vitin 2016, duke shkuar në nivelin e 93.8% të faturës korente. Kuptohet që në vlera absolute, viti 2015 ka qenë më lart si rezultat i reformës së ristrukturimit të borxhit, por viti 2016 ka regjistruar rritje të mëtejshme në % të arkëtimit të faturës korente, e cila është tregues thelbësor për stabilitetin financiar të shoqërisë.

Gjatë 2016-s, OSHEE regjistroi vitin e dytë radhazi në historinë e shoqërisë, me një rezultat financiar pozitiv, i cili u arrit si rrjedhojë e rritjes së mëtejshme të të “Ardhura nga Energjia”, si dhe reduktimit të shpenzimeve të Energjisë, që erdhi nga ulja e nivelit të humbjeve, si dhe çmimit mesatar të blerjes së saj.

Konkretisht për vitin 2016, Rezultati Financiar nga aktiviteti i saj ishte të nivelin e 6.5 miliardë lekë nga 6 miliardë në vitin 2015 (ky rezultat është i zhveshur nga efektet e të Ardhurave të Tjera të Jashtëzakonshme).
Gjatë 2016-s, OSHEE ka paguar 100% detyrimet ndaj furnitorëve të saj, përfshi këtu dy kryesoret si KESH dhe OST, duke mos krijuar borxhe të reja, si dhe ka paguar këstin e radhës ndaj CEZ prej 21.1 milionë eurosh.
Niveli i investimeve të realizuara gjatë 2016-s ka shënuar shifrën rekord prej 9.6 miliardë lekësh, duke bërë të mundur që më në fund, OSHEE të frenojë amortizimin e mëtejshëm të rrjetit elektrik, si dhe duke përmirësuar në zona të caktuara cilësinë e shërbimit ndaj klientit.

Në përmbledhje sa më sipër, treguesit financiarë të vitit 2016 vazhduan të jenë në trendin pozitiv të vitit 2015, duke forcuar stabilitetin financiar të shoqërisë.

Edhe gjatë 8-mujorit të parë të vitit 2017, OSHEE arrin të regjistrojë tregues të tjerë pozitivë, duke shënuar më tej reduktim humbjesh të energjisë në nivelin e 0.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016, si dhe duke arritur një nivel arkëtimi të faturës korrente (0-90 ditë) në masën e 96.2%.

Rezultatet e sipërpërmendura janë një tregues i qartë që OSHEE me strategjinë dhe hapat që po ndërmerr prej më shumë se 2 vitesh, është drejt një konsolidimi të plotë, si shoqëri publike për të arritur qëllimin e saj final, sigurimin në mënyrë të plotë dhe të sigurt të misionit të saj të furnizimit të të gjithë klientëve të OSHEE me energji elektrike në mënyrë cilësore dhe me çmime konkurruese në vend dhe rajon.

Këtë vit, OSHEE po përballet me një situatë të vështirë për shkak të thatësirës, duke e detyruar të shpenzojë një pjesë të të ardhurave për blerjen e energjisë për importe. Si ka ndikuar kjo në planet për investime?

Viti 2017, krahasuar me vitet e mëparshme, ka një veçanti, sepse prodhimet e energjisë hidrike në vend janë në nivele mjaft të ulëta historike, pas dy vitesh të njëpasnjëshme mjaft të mira, dhe kjo situatë ka krijuar që OSHEE t’i drejtohet tregut të lirë dhe kryesisht importit për sigurimin e plotë të sasisë së energjisë së nevojshme për furnizimin e klientëve të saj.
Kuptohet që çmimet e energjisë në treg të lirë në sasi kaq të mëdha, sa kanë qenë të nevojshme gjatë muajve të verës, kanë shkaktuar që dhe kosto e blerjes së energjisë së OSHEE të rritet ndjeshëm krahasuar me vitet e mëparshme.

Pavarësisht këtij fakti, OSHEE si rezultat i një konsolidimi të situatës së saj financiare gjatë 2015-2016, në asnjë moment nuk ka qenë e rrezikuar për të mos siguruar furnizimin e klientëve të saj 24 orë pa asnjë ndërprerje, për shkak mungese energjie, ashtu siç ka ndodhur në vitet e mëparshme me situata të ngjashme hidrike.

Pavarësisht kostove për blerjen e energjisë, OSHEE nuk ka ndalur ritmin e investimeve, të paktën për kontratat e lidhura më herët. Punimet vijojnë normalisht në pjesë të ndryshme të vendit dhe këtu mund t’ju përmend një listë të gjatë projektesh, të cilat shumë shpejt do të promovohen.

Për projektet e reja, OSHEE ka rishikuar planin, duke kryer kryesisht rialokime, dhe duke përzgjedhur objektet strategjike, si ndërtim nënstacionesh apo rrjete të reja elektrike 20 kV, në varësi të eficiencës, popullatës, kërkesës në rritje të konsumit, apo vjetërsisë së rrjetit.
OSHEE do të vazhdojë në mënyrë të vazhdueshme planin e saj të investimeve për të bërë të mundur rritjen sa më të shpejtë të cilësisë së furnizimit të klientëve të saj në të gjithë vendin me energji elektrike, si dhe reduktimin e mëtejshëm të humbjeve të energjisë, dy tregues që kanë ndikim të drejtpërdrejtë nga niveli i investimeve që realizohen në rrjet.

Cilat janë planet për investime për periudhën në vijim (2017 dhe 2018)?

Me kapacitetet investuese që OSHEE ka arritur të sigurojë nëpërmjet rezultateve mjaft të mira financiare si dhe mirëmenaxhimit të fondeve të veta, OSHEE gjatë 2015 dhe 2016, duke vijuar edhe më 2017-n, siç tregojnë të dhënat e nivelit të Arkëtimeve dhe uljes së Humbjeve, ka regjistruar investime në nivele rekord për historinë e OSHEE. Por pavarësisht këtij fakti, gjendja e rrjetit të shpërndarjes së energjisë së OSHEE ngelet një prej rrjeteve më të vjetra dhe më të amortizuara në rajon. Nevojiten të paktën 350 milionë euro në vit investime, për të arritur shërbimin e standardit bashkëkohor.

Pra, ngritja e këtij rrjeti në standardet normale të vendeve të rajonit apo atyre europiane, kërkon investime të konsiderueshme, të cilat OSHEE i ka të pamundura t’i përballojë me fondet e veta në një periudhë mjaft të shkurtër. Bazuar në këtë fakt, OSHEE ka përgatitur një Plan Investimesh prioritare, të cilat bëjnë të mundur përmirësime të dukshme në cilësinë e furnizimit, të cilat konsistojnë në:

Shndërrimin e rrjetit aktual mjaft të vjetër dhe problematik 6 kV dhe 10 kV në nivelin e tensionit 20 kV me kabllo ABC
Investime të vazhdueshme në Kabina të reja si dhe përmirësimin e atyre ekzistuese, për një shpërndarje më të mirë të ngarkesave në rrjet.

Përmirësimin gradual të gjendjes së Nënstacioneve në vend, të cilët kanë moshë të pajisjeve të tyre në shifra historike, duke i shndërruar ata në nënstacione bashkëkohore, për të siguruar një nivel tensioni më të qëndrueshëm dhe shmangien e defekteve të rënda në to.

Hedhjen e hapave të para në ndërtimin e sistemeve bashkëkohore të administrimit dhe komandimit të rrjetit (si SCADA) që do të bëjnë të mundur rritjen e eficencës së menaxhimit të rrjetit dhe reduktimin e amortizimit të shpejtë të tij si pasojë e sistemit të komandimit manual të tij.
Konkretisht për vitin 2017, OSHEE planifikon të realizojë investime në nivelin e 10 miliardë lekëve, dhe është duke vlerësuar me kujdes në bashkëpunim dhe me Qeverinë, nivelin e investimeve për vitin 2018, duke pasur parasysh situatën hidrike të vitit 2017, e cila në mënyrë të pashmangshme ka afektuar financat e OSHEE-së.

ERE ka vendosur të aplikoni në fund të këtij muaji tregtimin e energjisë online? Si do të funksionojë, çfarë synon dhe a jeni gati të aplikoni këtë sistem?

Jemi përgatitur, së bashku me operatorët e tregut, për realizimin e këtij objektivi, dhe presim që procedura e blerjes së energjisë për muajin tetor të realizohet krejtësisht online. Lidhur me procedurat e funksionit të kësaj platforme, të gjithë subjektet do të dërgojnë ofertat e tyre pas njoftimit nga OSHEE të publikuar në kalendarin mujor e vjetor që do të jetë në website www.oshee.al.
Duke e realizuar me procedurë online, presim që ofertat të jenë më efikase dhe më të shpejta, madje me çmim më të mirë se procedurat që ne realizojmë sot.

Si po shkon liberalizimi i tregut të energjisë për klientët 35 dhe 20 kilovolt. A e keni bërë gati infrastrukturën teknike dhe sa klientë pritet të dalin në tregun e lirë të energjisë këtë vit?

Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike është një proces i gjatë i sanksionuar, edhe në ligjin për sektorin e energjisë. Shkëputja nga furnizimi me energji i klientëve të lidhur në rrjetin 35 kV është drejt përfundimit.
Është instaluar sistemi i leximit të konsumit me bazë orare online, si dhe janë specifikuar klientët, të cilët në fund të këtij viti do të furnizohen në tregun e parregulluar të energjisë

26 Shtator

Performanca e 8-mujorit, OSHEE: Rriten arkëtimet, bien humbjet, reforma uli 200 milionë USD kamatëvonesa

Reforma në sektorin energjetik, nuk solli vetëm rritje të ardhurash për OSHEE dhe zgjerim të investimeve, por fal skemave lehtësuese, u dha mundësi abonentëve, të përfitonin reduktim të kamatëvonesave.

Nga të dhënat e 8-mujorit 2017, që kur nisi zbatimi i reformës në Dhjetor 2014, rezultojnë të jenë përfitues nga skemat lehtësuese të pagesës me këste të detyrimit, rreth 339 mijë abonentë, për një vlerë rreth 200 milionë dollarë.

Theksojmë se gjysma e kësaj vlere reduktimi i takon kategorive në nevojë, si familje me ndihmë ekonomike, pensionistë mbajtës të kontratës, si dhe invalidët. Nuk janë pak, por mbi 60 mijë abonentë të këtyre kategorive, ndaj të cilëve, OSHEE u ka ofruar mundësinë e pagesës me këste 1000 dhe 1200 lek/muaj, dhe nëse janë korrekt për një periudhë 6-mujore, i zerohet i gjithë kamata.

Të gjitha këto lehtësi u ofruan në një kohë kur reforma konsolidoi sektorin energjetik, duke zbatimin e ligjit për pagesën e faturës, rritjen e arkëtimeve, luftë ndaj informalitetit dhe vjedhësve të energjisë, duke sjellë reduktimin e humbjeve, falë edhe programit të investimeve.

Kështu, si 8-mujor. kemi një trend në rritje të energjisë së shitur dhe faturuar. Rritja e energjisë së shitur si dhe ulja e nivelit të humbjeve ka ndikuar pozitivisht në rritjen e të ardhurave për OSHEE.
Sasia e energjisë së shitur rezulton me rritje 2.7% ose 1,2 miliardë lekë, në raport me 8-mujorin e 2016-s.
Në total, kemi rreth 42.7 miliardë arkëtime, kurse niveli i humbjeve, po si 8-mujor ka zbritur në 27.5 nga 28.1 që ishte vitin e kaluar, duke mos harruar se 4 vjet më parë ishte mbi 44%.

Për rrjedhojë, kemi reduktim të borxhit, ku sipas të cilës, për fatura 2007-2014, nga 67.8 miliardë lekë, deri në fund të gushtit 2017, zbriti në 49.5 miliardë lekë.

25 Shtator

Gjiknuri e Çela inspektojnë investimet e OSHEE në Tiranë: Suksesi i reformës garantoi furnizimin me energji

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri shoqëruar nga Administratori i Operatorit të Shpërndarjes Adrian Çela ndoqën nga afër punimet që po kryhen për rinovimin e rrjetit elektrik në zonën e Laprakës. Investimi prek zonën e Stacionit të Trenit, Rrugën Jordan Misja, bllokun pranë Hipotekës, një pjesë të zonës së Don Boskos dhe pothuajse gjithë Laprakën.

Linja e vjetër 6 kV është demontuar duke u zëvendësuar me atë të re 20 kV duke garantuar një cilësi shumë më të lartë furnizimi.

“Janë 20 kilometra kabëll i ri, janë rreth 28 kabina të reja. Ky investim pasohet edhe nga një tjetër për fidrin 356 që do të kapë gjithë pjesën e mbetur të Don Boskos dhe Bregun e Lumit. Brenda këtij viti, kjo zonë do të ketë një linjë të re shpërndarjeje brenda standardeve. Nuk është investimi i fundit që po kryejmë në Tiranë me fondet e OSHEE. Dua të falënderoj të gjithë abonentët, jo vetëm në qytetin e Tiranës por në mbarë Shqipërinë që vazhdojnë ti përgjigjen pagesës së faturave. Ritmi i arkëtimeve është në nivele të kënaqshme dhe kjo po u kthehet qytetarëve me investime”, theksoi administratori i OSHEE-së Adrian Çela.

Ndërkaq, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri u shpreh se këto investime janë pjesë e rivitalizimit të infrastrukturës energjitike të vendit.

“Është pjesë e një plani për rivitalizimin e të gjithë infrastrukturës energjitike në gjithë Shqipërinë. Kjo po vazhdon pavarësisht situatave të vështira financiare që ka patur Operatori i Shpërndarjes për shkak të krizës energjitike. Suksesi i reformës në energji u provua, me këtë test që kaloi sistemi, përballoi importe deri në 90 milion euro pa shkundur financat e shtetit. Të mos harrojmë se dikur, kur kishte krizë energjitike e thatësirë, financat e shtetit shkundeshin dhe pengohej çdo lloj investimi tjetër. Përkundrazi, OSHEE ka qenë në gjendje ti përballojë këto me të ardhurat e veta, me një mbështetje minimale e të programuar nga Buxheti i Shtetit. Në çdo rast vendi nuk duhet të mbetet pa energji por siç e thashë, treguesi i suksesit të reformës bëri të mundur që kompania të sigurojë furnizimin me energji, të importojë edhe pse në kushte të vështira e me çmime të larta për shkak të thatësirës e mungesës së prodhimit në gjithë Ballkanin. Ka qenë e planifikuar që në fillim të vitit një garanci e mbështetje prej 3 miliard lekësh për sektorin energjitik. Klima po përmirësohet dhe besoj se pjesa më e madhe e rrezikut është tejkaluar. Në kushtet që jemi, edhe me mbështetjen në bazë të aktit normativ, situata do jetë e stabilizuar dhe nuk do kemi problem me importin e furnizimin”, nënvizoi Gjiknuri.

Nga investimi që po kryhet në këtë zonë, më shumë se 10 mijë abonentë parashikohet të përfitojnë një furnizim më të qëndrueshëm e cilësor me energji.