Gjiknuri: “Energjia” po thith miliona euro investime të huaja

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë z. Damian Gjiknuri, ishte i pranishëm sot në Forumin e organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, ‘Tirana Business Matching 2017’.

Në fjalën e tij, ministri Gjiknuri theksoi se në kuadrin e gjithë politikave qeveritare, prioritet mbartin investimet e huaja në Shqipëri. Duke iu përgjigjur interesit të të pranishmëve, lidhur me projektet e mëdha si TAP apo Devolli, Gjiknuri u shpreh se çdo investim i madh sjell një zinxhir investimesh të tjera ndaj nuk duhet të shqetësohemi, tha ai nëse mbaron një investim i madh.

Sa i takon sektorit energjetik ministri Gjiknuri u shpreh se është një ndër sektorët që ka mbajtur peshën më të madhe të investimeve të huaja, ndërsa theksoi se qeveria shqiptare po promovon edhe investimet ne infrastrukturë.

“Sektori i energjisë elektrike do të jetë një sektor që do të vazhdojë të thithë gjithnjë investime të huaja. Po mbaron projekti i Devollit por sot që flasim, janë edhe disa projekte të tjera të rëndësishme që do të zhvillohen në Kalivaç dhe në Poçem. Kalivaçi do të jetë një investim mbi 120 milionë euro, krahas atij të Poçemit, në këtë kaskadë të pjesës së poshtme të Vjosës. Ne do i qëndrojmë atij angazhimi zyrtar që nga Kalivaçi e sipër nuk do të ndërtojmë hidrocentrale për shkak të sensibilitetit mjedisor dhe për ta shpallur këtë zonë një Park Kombëtar. Vetëm këto dy projekte do të gjenerojnë një investim direkt prej 220 milionë euro të tjera që janë 1/3 e HEC të Statkraftit, një investim goxha i madh në vitet e fundit “, u shpreh Gjiknuri.

Ministri tha se, se përfundimi i projektit TAP do të sjellë në valë tjetër investimesh në territorin shqiptar, duke hapur mundësi edhe për gazifikimin e vendit, si për shembull në zonën e Fierit e cila justifikon plotësisht gazifikimin.

Në takim ishin të pranishëm gjithashtu Kryeministri z. Edi Rama, ministra të kabinetit, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë z. Nikolin Jaka si edhe sipërmarrës të huaj dhe vendas.

Marrë me shkurtime

Për më shumë
http://www.energjia.gov.al/al/njoftime/lajme/tbm-tirana-2017-gjiknuri-projekte-me-interes-ne-infrastrukture-dhe-energji