Back
04 Tetor

Siguria në kabina, OSSH vijon kontrollet: Problem dëmtimi i dyerve nga endacakët

Dëmtimi i kabinave elektrike nga palë të treta vijon të mbetet shqetësim për Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes, pavarësisht se masat e marra me investime kanë rritur sigurinë dhe reduktuar rastet e avarive.

Në 4 vitet e fundit, OSSH Tirana lidhi kontrata për rikonstruksionin e 500 kabinave, projekt, i cili nuk kishte qëllim zëvendësimin e pajisjeve elektrike, por edhe pjesën ndërtimore, përfshi këtu kyçjen e kabinave.

Investime për rritjen e sigurisë në kabina, por edhe në bokset kolektive të pallateve janë kryer të gjithë vendin, por, siç raportohet, vijojnë rastet e dëmtimit për asrye të ndryshme.

Kryesisht lidhen me aspektin e vjedhjes së metaleve që ndodhen në pjesët përbërëse të pajisjeve elektrike, të cilat shiten për skrap.

OSHEE ka marë masat për kyçjen e të gjitha kabinave, duke mbajtur procesverbal për çdo rast dëmtimi.

Nuk janë të pakët rastet e dëmtimit të kabinave nga endacakët, të cilët hapin derën duke dëmtuar drynin dhe duke injoruar tabelën me shënimin në hyrje “rrezik vdekje, tension i lartë”.

Ditët e fundit, drejtoria rajonale e OSSH Tiranë po ushtron një kontroll të imtësishëm, me qëllim mbylljen e dyerve të kabinave dhe sistemimin e bokseve në palLate.

Sigurimi i derës së kabinës është në foKus të drejtorisë teknike, për parandalimin e dëmtimit të pajisjeve, apo dhe individit, jeta e të cilit rrezikohet në prani të pajisjeve elektrike.

Rasti i fundit, jo më larg se para dy ditësh, u desh ndihma e policisë së shtetit për të nxjerrë nga kabina një endacak, i cili e kishte kthyer ambientin në vend qëndrimi.

Ishte hera e tretë, tregon Rezart Isufi, drejtor i Tiranës, që kabina dëmtohej nga i njëjti person, pavarësisht vendosjes së bravës dhe elementëve të sigurisë, prandaj u desh ndërhyrja e policisë.

Apelit për bashkëpunim për rastet e konstatimit të kabinave apo bokseve me dyer të hapura, konsumatorët i janë përgjigjur pozitivisht, duke raportuar në kohë reale, kurse reagimi nga ana e OSSH ka qenë i menjëhershëm: mbajtja e procesverbalit me foto, marrja e masave tekniko-organizative dhe vendosja e pajisjeve të sigurisë.

Procesi i rritjes së sigurisë në kabina, duke kyçur dyert dhe vendosur tabelat me shënimet përkatëse është një proces i vazhdueshëm, për aq kohë sa persona të papërgjegjshëm i dëmtojnë ato, duke rrezikuar madje dhe jetët e tyre.

28 Shtator

Humbjet 2022, gushti regjistron nivelin rekord nën 17%, Tirana dhe Durrësi bashkë te 15%

Performanca e rrjetit të shpërndarjes si pasojë e investimeve të kryera dhe organizimit në terren, paraqitet pozitive, si në aspektin e furnizimit, ashtu dhe te niveli i humbjeve.

Treguesit e nivelit të humbjeve si 8-mujor 2022, kanë zbritur afër 20%, kurse vetëm në muajin gusht regjistroi nivelin më të ulët historik, nën 17%.

Ermal Murati, Drejtor i Departamentit të Matjes, Bilancit dhe Suportit të Tregut në OSSH, tregon se rezultatet e mësipërme janë arritur falë punës së përditshme, si në aspektin e transformit të rrjetit elektrik përmes investimeve, ashtu edhe kontrolleve të vazhdueshme ndaj abuzuesve të energjisë, rritjes së faturimit dhe organizimit të aktivitetit dhe stafit në terren.

Para nisjes së reformës, në 2013, niveli i humbjeve ishte 45%, madje ne disa muaj të caktuar arrinte deri ne 50%, ndërsa sot objektivat e OSSH, pjesë e OSHEE Group, janë për ulje të humbjeve nën 20% deri në fund të 2022-it.

Reduktimi i humbjeve, ka sjellë për pasojë dhe më shumë eficencë në shpenzime, faturim cilësor dhe drejtësi për abonentët korrektë që paguajnë faturën korente në raport me abuzuesit.

Murati nënvizon faktin se rajonet Tiranë dhe Durrës, të cilat kanë peshë 50% në konsumin total të energjisë elektrike, paraqesin një nivel humbjesh rreth 15%, standard suksesi ky që po ndiqet edhe nga rajonet e tjera, si rasti i Shkodrës, ku nga 60%, sot ka zbritur nën 28%, si kurrë më parë.

24 Shtator

Abonentët familjarë, vendimi i ERE për fashën 800kW

DEKLARATA E PLOTË E ERE, DT 23 Shtator 2022

Në mbledhjen e sotme të Bordit të Entit Rregullator të Energjisë elektrike, ndër të tjera u shqyrtua kërkesa e shoqërisë FSHU sh.a lidhur me kostot që duhet të përfshihen në llogaritjen e çmimit me pakicë të energjisë për klientët familjarë me konsum mbi 800 kWh në muaj.

Pas shqyrtimit të kësaj kërkese, Bordi i ERE-s pranoi pjesërisht kërkesën e shoqërisë FSHU sh.a, duke vendosur të miratojë çmimin e shitjes së energjisë elektrike për konsumin mbi 800 kWh/muaj për klientët familjarë prej 42 lekë/kWh, nga ai i kërkuar prej 42.95 lekë/kWh nga shoqëria FSHU sh.a.

Ky çmim do të jetë i aplikueshëm për periudhën 1 Tetor – 31 Dhjetor 2022 dhe do të kete efekte vetëm për fashën e konsumit mbi 800 kWh/muaj. Për të gjithë klientët familjarë, sasia e energjise prej 800 kWh e konsumuar gjatë çdo muaji, do të mbetet e njejte pra 9,5 lekë/kWh.

Bordi i ERE-s gjithashtu kërkoi nga shoqërite OSSH sh.a. dhe FSHU sh.a. që periudha e leximit periodik të matësit të energjisë elektrike të klientëve familjare, duhet të kryhet duke respektuar në mënyrë rigoroze afatin prej 30 ditësh kalendarike, të përcaktuar në nenin 11 të “Kushteve të përgjithshme të kontrates së shërbimit universal të furnizimit me energji elektrike për klientët fundorë”, me qëllim mbrojtjen e të gjithë klientëve familjarë nga çdo abuzim i mundshëm i leximit dhe faturimit të konsumit të energjisë elektrike.

Kjo vendimmarrje e Bordit të ERE-s, ka ardhur duke marrë në konsideratë vetëm ndryshimin e çmimit të blerjes së energjisë elektrike për mbulimin e kërkesës së klientëve familjarë nga shoqëria

FSHU sh.a, energji e cila sigurohet nëpërmjet shoqërisë publike të prodhimit të energjisë elektrike KESH sh.a, në zbatim të VKM nr. 456, datë 29.6.2022 “Për miratimin e kushteve për vendosjen e detyrimit të shërbimit publik, që do të zbatohen ndaj të licencuarve në sektorin e energjisë elektrike, të cilët ushtrojnë aktivitetin e prodhimit, transmetimit, shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike”. Asambleja e përgjithshme e aksionarit të KESH sh.a. me vendimin nr. 6645/1, datë 08.09.2022, ka miratuar:

– Çmimin e shitjes së energjisë elektrike ndaj shoqërisë FSHU sh.a për mbulimin e konsumit të klientëve familjarë, mbi 800 KWh/muaj, prej 34.3 lekë/kWh.

Çmimi i blerjes së energjisë elektrike nga shoqëria FSHU sh.a., për sasinë e konsumuar nga klientët familjarë mbi 800 kWh/muaj prej 34,3 lekë/kWh, do të rrisë kostot e blerjes së energjisë për periudhën 1 tetor – 31 dhjetor 2022 me rreth 1.8 miliard Lekë, e për rrjedhojë koston vjetore të blerjes së energjisë për vitin 2022 të shoqërisë FSHU sh.a..

Tarifat e përdorimit të rrjetit të transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike, mbeten të pandryshuara, siç miratuar me vendimet e Bordit të ERE nr. 72/2022 dhe nr. 73/2022.

ERE në përputhje me kuadrin rregullator në fuqi dhe pas analizimit të kostove shtesë të blerjes së energjisë elektrike vlerësoi që çmimi i shitjes së energjisë elektrike për konsumin familjar mbi 800 kWh/muaj, të jetë ai prej 42 lekë/kWh. Ky çmim, mundëson rekuperimin e kostove të blerjes së energjisë elektrike për pjesën e mbetur të vitit 2022, duke siguruar likuiditetin e nevojshëm për shoqërinë FSHU sh.a., me qëllim garantimin e sigurisë së furnizimit të pandërprerë me energji elektrike, kërkesë kjo e ligjit nr. 43/2015 “Për Sektorin e Energjisë Elektrike”, i ndryshuar, duke mbajtur njëkohësisht të pandryshuar çmimin e energjisë elektrike prej 9,5 lekë/kWh për konsumin deri në 800 kWh/muaj të klientëve familjarë.

SHEMBULL I LLOGARITJES SË FATURËS SË ENERGJISË ELEKTRIKE

Një klient familjar gjatë muajit tetor 2022 ka konsumuar 850 kWh. Fatura e tij e energjisë

elektrike do të llogaritet si vijon:

800 kWh x 9.5 lekë/kWh = 7600 lekë

50 kWh x 42 lekë/kWh = 2100 lekë

T.V.SH (20%) = 1940 lekë

Taksa e televizorit = 100 lekë

TOTALI PËR TU PAGUAR = 11740 lekë

19 Shtator

OSSH, 8-mujori 2022: Humbjet zbresin në 21.38 %, rekord në gusht, u ulën me 16.81 %

Megjithëse sektori energjetik ndodhet në situatë të vështirë si pasojë e krizës energjetike, performanca e OSHEE Group sh.a, vijon të jetë e mirë, duke përmirësuar më tej treguesit e saj.

Sipas të dhënave të 8-mujorit 2022, FSHU arkëtoi 96 përqind ose 19 përqind më shumë në krahasim me vitin 2013, ku norma e arkëtimit ishte 75 përqind

Nga të dhënat e FSHU-së, (Furnizuesi i Shërbimit Universal), niveli i arkëtimit për 8-mujorin 2022 është përmirësuar ndjeshëm. Konkretisht, gjatë kësaj periudhe u arkëtuan 58 miliardë lek ose 17.43 lek më shumë, në krahasim me 49.37 mld lek në vitin 2021 dhe 45.20 mld lek që u arkëtuan në vitin 2020, dy vitet e vështira të pandemisë.

Edhe ankesat për cilësi faturimi, gjatë 8-mujorit të këtij viti, janë reduktuar me 20.685, nga 25.744 që ishin në vitin 2021.

Tregues i rritjes së performancës për 8-mujorin 2022, ka patur dhe kompania e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë, (OSSH), e cila ka reduktuar nivelin e humbjeve në 20.42 përqind, ku vetëm në muajin gusht u shënua shifra rekord prej 16.81 përqind, ndërkohë që niveli i humbjeve në vitin 2021 ishte 21.38 përqind dhe në vitin 2020 u mbyll me një bilanc prej 22 përqind.

Reduktimi i nivelit të humbjeve përbën sfidën kryesore të OSHEE Group, e cila përmes mekanizmeve të ndryshëm synon rritjen e standardeve të shërbimit ndaj abonentëve.

Në dy vitet e fundit, shoqëria ka operuar në terrene atipike, për shkak të pandemisë, shoqëruar me thatësirat në HEC-e dhe shtrëngim të investimeve.

Megjithatë, organizimi i strukturave me kontrolle të vazhdueshme dhe përmirësimin e proceseve të punës, bashkë me investimet për mirëmbajtjen e rrjetit, kanë dhënë rezultat në reduktimin e mëtejshëm të nivelit të humbjeve në total.

08 Shtator

Prezantohet paketa e rezistencës sociale, garantohet furnizim i pandërprerë dhe pa kosto për qytetarët

Kryeministri Edi Rama, së bashku me zv.kryeministren dhe ministren për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku dhe ministren e Financave, Delina Ibrahimaj  prezantuan sot paketën e re të rezistencës sociale e cila i përgjigjet situatës së emergjencës me të cilën po përballet e gjithë bota. Padyshim që energjia elektrike mori vëmendjen kryesore.

 “Përmes një plani të qartë, jo vetëm do të garantojmë furnizim të pandërprerë, por mbi të gjitha pa kosto për qytetarët. Do të vijojmë të mbajmë të pandryshuar çmimin, duke mos rënduar buxhetet familjare, ndërsa nisim nga 1 tetori aplikimin e fashës prej 800 kilovatorësh”, u shpreh znj.Balluku.

Mbështetje për familjet për instalimin e paneleve diellor për ngrohjen e ujit, kursimi i energjisë në institucionet publike, si dhe sensibilizimi, duke nisur nga më të rinjtë, për kursimin e energjisë janë masat tona të para për ti bërë ballë kësaj situate që po vë në vështirësi të gjithë botën.

Për më shumë lexoni në vijim planin e detajuar të masave në sektorin e energjisë.

19 Qershor

OSSH, 5-mujori 2022: Humbjet zbresin në 21.88%, rekord në maj u ulën me 17.08%

Reduktimi i nivelit të humbjeve përbën sfidën kryesore të OSHEE Group, e cila përmes mekanizmeve të ndryshëm synon rritjen e standardeve të shërbimit ndaj abonentëve.
Në dy vitet e fundit, shoqëria ka operuar në terrene atipike, për shkak të pandemisë, shoqëruar me thatësirat në HEC-e dhe shtrëngim të investimeve.
 
Megjithatë, organizimi i strukturave me kontrolle të vazhdueshme dhe përmirësimin e proceseve të punës, bashkë me investimet për mirëmbajtjen e rrjetit, kanë dhënë rezultat në reduktimin e mëtejshëm të nivelit të humbjeve në total. Pesëmujori 2022 u mbyll me nivel humbjesh në rrjetin elektrik 21.88%, ose 1.04 pikë përqindje ulje më tepër se 2021, për të njëjtën periudhë.
 
Drejtori i Departamentit të Matjes, Bilancit dhe Suportit të Tregut, pranë OSSH-së, Ermal Murati tregon se, rezultati u arrit falë punës intensive, sidomos në muajt prill-maj, ku humbjet zbritën në 17.71%, nga 19.62% që ishin vitin e kaluar, ndërsa vetëm në muajin maj humbjet arritën në 17.08%.
 
“Përmirësimi i mëtejshëm i treguesve vjen si ndërveprim i ndërhyrjeve në rrjetin e amortizuar, mirëmbajtjes së aseteve të OSSH, instalimit të matësave smart, si dhe kontrolleve në zonat e identifikuara me humbjet më të larta, nga ku zbulohen raste të vedhjes së energjisë elektrike.
Shifrat janë pozitive, por ende larg asaj ku duam të arrijmë, ndaj kërkohet punë e vazhdueshme me strukturat në rajone, dhe bashkëpunim me organet e drejtësisë, jo vetëm për identifikimin e abuzuesve të energjisë elektrike, por edhe parandalimin e fenomemit”, deklaron Murati.
 
Kujtojmë se në vitin 2014, kur nisi reforma, OSHEE trashëgoi një sistem të degraduar, ku më shumë se 50% energjisë elektrike vidhej, kurse kompania shpenzonte 150 milionë euro në vit, për mbuliminn e humbjeve përmes importeve.

15 Qershor

OSSH rrit kapacitetet në NST Himara 3, garanci furnizimi për aksin Dhërmi-Borsh

Me nisjen e sezonit turistik, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, OSSH, ka marrë të gjitha masat për fuqizimin e kapaciteteve për rritjen e sigurisë dhe cilësisë së shërbimit.

Prej fillimit të javës është dyfishuar fuqia e NST Himara 3,  e ndërtuar në qershor 2016. Në bashkëpunim me Drejtorinë e tensionit të lartë,  u investua për implementimin e një tjetër transformatori, me parametra të njëjtë të fuqisë,  25MVA 110/35/20kV si dhe seksionet e dyta 35 dhe 20kV.

Pas energjizimit e kalimit të provës 72 orë me tension, transformatori i ri është vendosur tashmë në punë.

Fuqizimi i NST Himara 3 do të sjellë rritje të sigurisë së furnizimit me energji në nënstacionet që furnizojnë zonat bregdetare në jug, Palase, Himara 1 e vjetër, Kuç dhe Smokthinë.

Nga ky investim përfitojnë të gjithë abonentët biznesë e familjarë të zonës bregdetare nga Dhërmiu në Borsh.

14 Prill

ERE miraton tarifat e reja të OSSH dhe OST, nuk ndryshon çmimi i abonentëve familjarë dhe biznesi I vogël

Enti Rregullator i Energjisë, ERE, ka miratuar tarifat e reja të energjisë elektrike për dy kompanitë e sektorit energjetik, atij të transmetimit, OST, dhe shpërndarjes, OSSH.

Nga ky vendim nuk preken klientët fundorë të lidhur me tensionin e ulët (0.4 kV), që janë abonentët familjarë dhe biznesi i vogël.

 Në mbledhjen e bordit të ERE, u theksua se tarifat e miratuara mundësojnë kryerjen e mirëmbajtjes dhe investimeve më të nevojshme dhe të domosdoshme në rrjet dhe garantojnë qëndrueshmërinë e sistemit dhe cilësinë e shërbimit të furnizimit të konsumatorëve.

 Pavarësisht aplikimit të OST sh.a për miratimin e një tarife mesatare prej 1.41 lekë/kËh, ERE bazuar në analizën e të dhënave që lidhen me ushtrimin e aktivitetit të transmetimit të energjisë elektrike, vendosi të miratojë tarifën mesatare të transmetimit prej 0.85 lekë/kËh për periudhën rregullatore 1 maj 2022 – 31 dhjetor 2024.

Sa i përket aplikimit të OSSH, ERE në perputhje me kuadrin rregullator në fuqi dhe pas analizimit të të dhënave  për qëllime të përcaktimit të tarifave të shpërndarjes , vendosi të miratojë tarifat e mëposhtme:

 Tarifa e shpërndarjes së energjisë elektrike për klientët e lidhur në nivelin e tensionit 35 kV – 1.55 Lekë/Këh

    Tarifa e shpërndarjes së energjisë elektrike për klientët e lidhur në nivelin e tensionit 0.6 – 20 kV –  3.99  Lekë/Këh

    Tarifa e shpërndarjes së energjisë elektrike për klientët e lidhur në nivelin e tensionit 0.4 kV – 6.42  Lekë/Këh

Ndërkohë tarifa mesatare e shërbimit të shpërndarjes  për periudhën 1 maj – 31 dhjetor 2022, me miratimin e tarifave të mësiperme,  rezulton  5.89  leke/kËh kundrejt tarifës mesatare prej 6.69 lekë /kËh, të kerkuar nga OSSH sh.a.

Me miratimin e tarifave të transmetimit dhe shpërndarjes, ERE paralelisht vlerësoi dhe efektet e këtyre tarifave ndaj cmimit final të  furnizmit të  klientëve familjarë dhe jo familjarë në nivelin e tensionit të ulët 0.4  kV.

Për periudhën e mbetur të vitit 2022,  ERE vendosi lënien në fuqi të çmimit të klientëve familjardhe jo familjar të lidhur në nivelin e tensionit 0.4kv.

Ne vijim paraqitet nje tabele ilustruese qe mundeson krahasimin e tarifave aktuale me tarifat e kerkuara nga operatoret si dhe tarifat e cmimet e miratuara nga ERE te cilat do te jene te aplikueshme duke filluar nga data 1 Maj 2022 si vijon.

06 Prill

Balluku në kuvend: Nuk ka rritje të çmimit të energjisë për abonentët familjarë dhe biznesin e vogël

Gjatë fjalës në seancën e së hënës në kuvendin e Shqipërisë, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Elektrike Belinda Balluku theksoi sërish se çmimi i energjisë nuk do të rritet për abonentët familjarë dhe biznesin e vogël. Balluku tha se pavarësisht rritjes së mëtejshme të çmimit të energjisë në tregun ndërkombëtar, qeveria ka vendosur një mburojë për kategoritë familjarë dhe biznes i vogël.

Sipas ministres Balluku, në tregun ndërkombëtar çmimet e energjisë elektrike janë rritur deri në 10 fish, por çmimi i abonentëve familjarë dhe biznesi i vogël nuk do të ndryshojë.

“Kemi vendosur që për shkak të krizës, çmimi i abonentëve familjarë të qëndrojë aq sa ka qenë, 9.5 lekë kilovatorë pa reflektuar çmimet e importit. Dhe biznesi i vogël i lidhur në fashën 0.4 po ashtu nuk do të ketë lëvizje të çmimit, gjithashtu dhe pas marëveshjes dhe negociatave me biznesin e mesëm, 7440 prej tyre nuk u preket çmimi”, u shpreh ministrja Balluku.

Ministrja Balluku nënvizoi se situata e basenit të Fierzës është përmirësuar ndjeshëm me reshjet e shiut të rëna në javën e parë të muajit prill dhe pritet rritje e nivelit të ujit në basen rreth 280 metra, shpresëdhënëse për prodhimin e energjisë.

23 Mars

Masat për menaxhimin e krizës, Balluku-Çela: Çmimi i energjisë për familjet e biznesin e vogël nuk rritet, vijojmë investimet në rrjet

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku zhvilloi një takim me të aktorët e sistemit elektro-energjetik shqiptar për të diskutuar mbi situatën energjetike në vend, ndikuar nga zhvillimet në të gjithë botën.

Në takimin e Komitetit të Energjisë, ishte i pranishëm dhe administratori i kompanisë OSHEE Grup, Adrian Çela, I cili në fjalën e tij renditi disa nga pasojat negative të krizës në sektorin energjetik që kanë nisur prej vitit të kaluar si pasojë e rritjes së çmimit të energjisë në bursë.

Çela tha se impakti në financat e kompanisë  deri në fund të nëntorit të kaluar ishte 150 mln euro të cilat ishin dedikuar për investime në rrjet, por që shkuan për blerjen e energjisë.

Administratori i OSHEE theksoi se prej 4 vitesh, si pasojë e kostove të larta të importit, OSHEE u detyrua të ndërpresë investimet në infrastrukturë, por nga ana tjetër ajo realizoi treguesit e performancës sic ishin niveli i humbjeve dhe arkëtimet.

Çela tha se pavarësisht kostos financiare, OSHEE e mbështetur dhe nga qeveria nuk rriti tarifat për abonentët familjarë dhe jo familjarë.

Administratori i OSHEE Adrian Çela e konsideroi të rëndësishme rifillimin e investimeve në rrjet pasi mirëmbajtja në kushtet aktuale kushton 40 milion euro.

“Kemi disa projekte në investime në zonën bregdetare që do t’i vazhdojmë, konkretisht në Velipojë Shëngjin apo në jugun e Shqipërisë por nuk do të lëmë pas dore investimet e nevojshme për të suportuar ekonominë”, u shpreh Çela.

Edhe ministrja Balluku deklaroi se investimi në zonat turistike është e nevojshme, me rritjen e kapaciteteve të operatorëve turistikë në këto zona.

Ajo tha se së bashku me OSHEE po bëhet një analizë e thelluar për situatën aktuale financiare të kompanisë dhe vendosjen e prioriteteve të investimeve që duhet të vazhdojnë e nuk duhet të ndalen.

“Padyshim që do të vazhdojmë me investimet. Zona e jugut është një nga zonat më të rëndësishme dhe me rritjen e investimeve të bizneseve në zonat turistike ne duhet të jemi gati ti përgjigjemi me kapacitete energjetike. Ne po analizojmë prioritetet dhedo të vazhdojmë të bëjmë mirëmbajtjen e rrjetit dhe do të investojmë aty ku është e enevojshme dhe e domosdoshme. Rëndësi ka fakti që shërbimi të jetë I qëndrueshëm dhe të mos ketë ndërprerje të energjisë për qytetarët”, tha ministrja Balluku.

Ministrja Balluku vlerësoi punën e kompanisë për realizimin e treguesve të performancës ku theksoi se me investimet e kryera prej 2015, është ulur ndjeshëm niveli i humbjeve sic është rasti i Kombinatit I cili sot ka nivelin 4 përqind, ,më të ulët se në vendet evropiane. Ajo theksoi se së bashku me të gjithë aktorët e sistemit energjetik janë marrë të gjitha masat për menaxhimin e situatës së deri tanishme duke bërë  maksimumin për të mos rënduar xhepat e qytetarëve dhe sigurisht duke garantuar furnizim të pandërprerë me energji elektrike për të gjithë.