Masat për menaxhimin e krizës, Balluku-Çela: Çmimi i energjisë për familjet e biznesin e vogël nuk rritet, vijojmë investimet në rrjet

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku zhvilloi një takim me të aktorët e sistemit elektro-energjetik shqiptar për të diskutuar mbi situatën energjetike në vend, ndikuar nga zhvillimet në të gjithë botën.

Në takimin e Komitetit të Energjisë, ishte i pranishëm dhe administratori i kompanisë OSHEE Grup, Adrian Çela, I cili në fjalën e tij renditi disa nga pasojat negative të krizës në sektorin energjetik që kanë nisur prej vitit të kaluar si pasojë e rritjes së çmimit të energjisë në bursë.

Çela tha se impakti në financat e kompanisë  deri në fund të nëntorit të kaluar ishte 150 mln euro të cilat ishin dedikuar për investime në rrjet, por që shkuan për blerjen e energjisë.

Administratori i OSHEE theksoi se prej 4 vitesh, si pasojë e kostove të larta të importit, OSHEE u detyrua të ndërpresë investimet në infrastrukturë, por nga ana tjetër ajo realizoi treguesit e performancës sic ishin niveli i humbjeve dhe arkëtimet.

Çela tha se pavarësisht kostos financiare, OSHEE e mbështetur dhe nga qeveria nuk rriti tarifat për abonentët familjarë dhe jo familjarë.

Administratori i OSHEE Adrian Çela e konsideroi të rëndësishme rifillimin e investimeve në rrjet pasi mirëmbajtja në kushtet aktuale kushton 40 milion euro.

“Kemi disa projekte në investime në zonën bregdetare që do t’i vazhdojmë, konkretisht në Velipojë Shëngjin apo në jugun e Shqipërisë por nuk do të lëmë pas dore investimet e nevojshme për të suportuar ekonominë”, u shpreh Çela.

Edhe ministrja Balluku deklaroi se investimi në zonat turistike është e nevojshme, me rritjen e kapaciteteve të operatorëve turistikë në këto zona.

Ajo tha se së bashku me OSHEE po bëhet një analizë e thelluar për situatën aktuale financiare të kompanisë dhe vendosjen e prioriteteve të investimeve që duhet të vazhdojnë e nuk duhet të ndalen.

“Padyshim që do të vazhdojmë me investimet. Zona e jugut është një nga zonat më të rëndësishme dhe me rritjen e investimeve të bizneseve në zonat turistike ne duhet të jemi gati ti përgjigjemi me kapacitete energjetike. Ne po analizojmë prioritetet dhedo të vazhdojmë të bëjmë mirëmbajtjen e rrjetit dhe do të investojmë aty ku është e enevojshme dhe e domosdoshme. Rëndësi ka fakti që shërbimi të jetë I qëndrueshëm dhe të mos ketë ndërprerje të energjisë për qytetarët”, tha ministrja Balluku.

Ministrja Balluku vlerësoi punën e kompanisë për realizimin e treguesve të performancës ku theksoi se me investimet e kryera prej 2015, është ulur ndjeshëm niveli i humbjeve sic është rasti i Kombinatit I cili sot ka nivelin 4 përqind, ,më të ulët se në vendet evropiane. Ajo theksoi se së bashku me të gjithë aktorët e sistemit energjetik janë marrë të gjitha masat për menaxhimin e situatës së deri tanishme duke bërë  maksimumin për të mos rënduar xhepat e qytetarëve dhe sigurisht duke garantuar furnizim të pandërprerë me energji elektrike për të gjithë.