Investimet e realizuara në sektorin energjetik po japin rezultatet e parashikuara. Vlerësimi është bërë nga Banka Botërore, në “Raportin e Statusit të Zbatimit dhe Rezultateve”, publikuar në 14 nëntor 2019, ku vlerëson ecurinë e projektit për rimëkëmbjen e sektorit energjetik në Shqipëri. Në raportin në fjalë, sa i takon Projektit të Rimëkëmbjes së Energjisë (PRP), Banka Botërore ka ndryshuar vlerësimin për Shqipërinë si në nivelin e arritjes së objektivave ashtu edhe në zbatimin e përgjithshëm të projektit.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ju referua këtij raporti të parë pozitiv pas atij të vitit 2018, gjatë një inspektimi të kryer në kantierin e nënstacionit të Kombinatit. E shoqëruar nga Administratori i OSHEE, Adrian Çela, ministrja është njohur nga afër me ecurinë e punimeve në këtë vepër të rëndësishme për furnizimin me energji elektrike të qytetarëve, ndërsa ka theksuar se vlerësimi pozitiv i Bankës Botërore është tregues i punës edhe angazhimit të të gjithë strukturave në vend për të transformuar rrënjësisht sektorin elektroenergjitik.
“Në raportin e fundit, të dalë në 14 nëntor, pas shumë kohësh Banka Botërore ka bërë një raport pozitiv për të gjithë treguesit e Shqipërisë në fushën e energjetikës, për përmirësimin e saj dhe për impenjimin e të gjithë aktorëve, përsa i përket investimeve të reja, ndryshimit të kuadrit ligjor, apo dhe të gjitha angazhimeve që qeveria ka marrë. Ky është një fakt shumë i rëndësishëm, pasi Banka Botërore është një nga partnerët tanë në mbështetjen e rikuperimit të të gjithë problematikës, që ne kemi pasur në rrjetin elektrik, qoftë në atë të tensionit të mesëm dhe tensionit të ulët”, u shpreh ministrja Balluku.
Ministrja tha se treguesit flasin për një reduktim të nivelit të humbjes dhe përmirësim në cilësinë e furnizimit të abonentëve, teksa shtoi se investimet në energjetikë do të jenë në vëmendje edhe për vitin që vjen.
“Puna vazhdon, shërbimi do përmirësohet, të gjitha parametrat që ne kemi premtuar se do të arrijmë përsa i përket uljes së humbjeve në rrjet, ashtu dhe përmirësimit të cilësisë dhe të ofrimit të shërbimit 24 orë për të gjithë abonentët, janë shumë pranë. Praktikisht, tashmë kemi kaluar më shumë se gjysmën e rrugës dhe çdo ditë numrat tregojnë që shërbimi përmirësohet, humbjet ulen dhe jemi në kohë dhe në afate me çfarë kemi premtuar”, nënvizoi ministrja Balluku.
Nga ana e tij, administratori Çela bëri të ditur detaje të investimit që po bëhet në nënstacionin e Kombinatit, i cili pritet të jetë plotësisht në funksion në pranverën e vitit të ardhshëm.
“Kjo zonë, diku në periudhën maj-qershor do të jetë totalisht në shfrytëzim si nënstacioni i ri dhe 10 fiderat dhe ajo që është e rëndësishme, me nënstacionin është menduar dhe perspektiva. Do të montohen 22 çela, duke bërë që të gjitha zhvillimet e mëvonshme që do të ketë kjo zonë ne i paraprimë me këtë investim. Përfundimisht kjo zonë nuk do ketë më problematika për furnizimin me energji elektrike. Nga ana tjetër, ne na ndihmon edhe me uljen e nivelit të humbjeve dhe në përmirësimin e cilësisë së furnizimit”, nënvizoi Çela.
Investimi në nënstacionin e Kombinatit parashikon zëvendësimin e të gjithë fiderave, ndërtimin e afro 100 kabinave të reja elektrike, si dhe shtrirjen e afro 100 kilometra kabull ABC dhe tension i mesëm.
Banka Botërore e ka ndryshuar klasifikimin mbi ecurinë e zbatimit të projektit për Rimëkëmbjen e Energjisë Elektrike në Shqipëri duke e konsideruar një hap përpara. Në monitorimin e kaluar vlerësimi i Bankës Botërore ishte “relativisht pakënaqshëm” ndërsa aktualisht ai ka kaluar në “relativisht kënaqshëm”.
Në vitin 2014, Banka Botërore miratoi një projekt në vlerën 150 milion USD që synonte mbështetjen e qeverisë shqiptare në kuadër të reformimit dhe rimëkëmbjes financiare të sektorit të energjisë elektrike.
Kredia u bë efektiv në Janarin e vitit 2015 dhe duhet të përfundonte në fund të muajit Nëntor 2019. Ajo parashikonte 93 milion USD për investime në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike; 30 milion USD për nevojat afatshkurtra të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare për importin e energjisë elektrike në kushtet e thatësirës; 20 milion USD për vendosjen e matësave në rrjetin e transmetimit të energjisë dhe rindërtimin e qendrës së të dhënave. Gjithashtu 7 milion USD do të përdoreshin në kuadër të zbatimit të këtij projekti dhe mbështetjes së reformave në sektor.
Deri më tani, rezulton se nga kjo kredi është disbursuar 57% e shumës totale ose thënë ndryshe 78.17 milion USD. Qeveria shqiptare dhe Banka Botërore janë duke negociuar ristrukturimin e projektit duke zgjatur afatin e tij edhe me një vit tjetër.
“Gjatë tre viteve është shënuar progres duke bërë të mundur që KESH dhe OST të vendosen në baza të shëndosha financiare. Gjithsesi, OSHEE ende ndeshet me një hendek financiar, krijuar veçanërisht nga një vit i thatë si ai 2017 ashtu sikurse pritet të jetë dhe 2019. Me disa vonesa, plani i përditësuar i Rimëkëmbjes Financiare është miratuar nga Këshilli i Ministrave në Prillin e vitit 2019 dhe përfshin udhëzimet e nevojshme që çojnë në përmirësimin e kushteve financiare të OSHEE, në veçanti një trajektore e uljes së humbjeve në shpërndarje për 2018-2021, duke prioritizuar investimet e fokusuara në reduktimin e humbjeve”, konstaton raporti.
Niveli i humbjeve në rrjetin e shpërndarjes nga 45% që ishte në fillim të zbatimit të projektit të rimëkëmbjes (2014) tashmë ka zbritur në 24% në fund të vitit 2018. Objektivi në fund të projektit është reduktimi i humbjeve në 14%.
Niveli i humbjeve teknike aktualisht është 16.30% ndërsa në fund të projektit do të duhet të jetë 12.60%. Ndërkaq, humbjet jo teknike janë në masën 7.70% dhe objektivi mbetet reduktimi i tyre në 1.40%.
Referuar nivelit të arkëtimeve të energjisë së faturuar, Banka Botërore vlerëson se ato janë aktualisht në vlerën e 93%. Për vitin 2018, rezulton të jetë faturuar një total prej 64.7 miliard lek energji prej të cilës 51.8 miliard lek janë arkëtuar, 8.4 miliard lek janë brenda fatit kontraktual të arkëtimit prej 0-60 ditë dhe 4.5 miliard lek ose 7% e totalit është në tejkalim të afatit 60 ditor të pagesës.
Raporti nënvizon se konsulenti NordPool, mbështetur nga Banka dhe nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë, po punon sëbashku me Ministrinë e Energjisë për të krijuar Bursën Shqiptare të Energjisë. IBRD dhe IFC po mbështesin financiarisht krijimin e Operatorit Shqiptar të Tregut dhe Tregun e Balancuar. Operatori i Shpërndarjes po kryen përgatitjet për ndarjen e tij sipas direktivës. Ndërkaq, plani për nxjerrjen jashtë tregut të rregulluar të konsumatorëve të lidhur në tensionin e mesëm dhe HEC-eve është në zbatim e sipër. Që prej Janarit 2018, 96 konsumatorë të lidhur në rrjetin 35 kV janë pajisur me sistemin e ri të matjes dhe janë shkëputur nga tregu i rregulluar.
Prej ditës së hënë, situata e furnizimit me energji elektrike është rënduar në disa rajone të vendit, kryesisht në jug, si pasojë e avarive në rrjetin elektrik, shkaktuar nga moti i keq me reshje shiu intensive dhe stuhi ere.
Kompania OSHEE është duke ndjekur me vëmendje problematikat e shfaqura duke marrë masa në shtimin e numrit të punonjësve nga drejtori rajone të OSHEE në vend të cilët janë në terren dhe po punojnë për rikthimin e energjisë sa më parë tek të gjithë abonentët.
Nga informacioni që përcjell dispeceria qendore, falë punës intensive të brigadave të avarive, janë riparuar 80 % e fiderave nëe rang vendi si dhe është rikthyer energjia në rreth 84 % të konsumatorëve.
Rajonet më të prekura vijojnë të jenë Fieri, Tirana dhe Berati.
Në rajonin e Vlorës, i cili gjatë ditës së djeshme pësoi probleme të mëdha në rrjetin elektrik që furnizon qytetin dhe rrethinat.
Brigadat e avarive OSHEE Vlorë pasi morën masat tekniko-organizative u shpërndanë në zonat e prekura, ku në disa akse u punua në kushte aspak të favorshme moti.
Aktualisht, të gjitha defektet e shfaqura në këtë rajon janë riparuar duke risjellë energjinë tek të gjithë abonentët.
OSHEE Sh.A është duke ndjekur me përparësi furnizimin me energji elektrike të të gjithë konsumatorëve dhe në terren grupet e punës janë duke punuar për eliminimin e defekteve të shfaqura gjatë natës prej motit të keq, me reshje të dendura, stuhi dhe shkarkesa atmosferike.
Nga dispeceritë qendrore raportohet se rajonet më të prekura nga defektet janë Tirana, Durrësi dhe Shkodra, kryesisht zonat rurale (90%). Defektet janë kryesisht të llojit: këputje përcjellësash, thyerje izolatorësh, dëmtime kabllosh, uji në kabina, etj.
Në raport me situatën në mëngjes, të dhënat e orës 09:30 paraqesin një përmirësim të furnizimit me energji elektrike me 65%. OSHEE thekson se, “në kushtet e një moti me reshje dhe me prezancë uji në objektet elektrike, është e vështirë të ndërhyhet pasi rrezikohet jeta e punonjësit. Sikurse, disa fidera janë stakuar për masë sigurie nga vet kompania, për të evituar pasoja të mëtejshme në jetë njerëzish dhe defektesh”.
Duhet thënë se, vështirësi në riparimin e defekteve paraqitet ne zonat rurale ku kryesisht janë linja ajrore, gjë që sjell vonesa në riparimin e tyre per shkak të terrenit.
Të gjithë fiderat 20/10/6 kV që furnizojne me energji elektrike hidrovoret dhe institucionet e rëndësisë së veçantë jane në punë.
Në lidhje me problematikën në terren, konkretisht në rrjetin e tensionit të lartë TL, kemi në avari N/St Mifol dhe linjën 35kV Lanabregas – Qafë Mollë(disa fshatra pa energji).
Rikonstruksioni i impiantit 110 kV të nënstacionit të Librazhdit është investimi i radhës i cili po bëhet realitet në sajë të bashkëpunimit mes dy operatorëve, Sistemit të Transmetimit dhe atij të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Ky investim prej afro 1 milionë euro, përfshin demontimin dhe rikonstruksionin e dy trakteve dalës të linjave Librazhd – Fibër dhe Librazhd – Përrenjas me pajisje totalisht të reja, ndërsa është bërë i mundur edhe përmirësimi i skemës elektrike, e cila do të mundësojë një operim më të shpejtë dhe më të sigurt të këtij nënstacioni nga ana e personelit operativ.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka inspektuar punimet që po kryhen në këtë nënstacion dhe që tashmë kanë përfunduar në masën mbi 50 përqind.
Drejtori i rrjetit të Transmetimit OST, Bledian Dalipi sqaroi se janë afro 11 mijë abonentë, të cilët përfitojnë nga ky investim dhe që pritet të përfundojë plotësisht në muajin prill të vitit të ardhshëm.
“Është një investim, që do të ndikojë në zonën përreth, që furnizohen nga nënstacioni i Librazhdit. Janë afro 11 mijë abonentë, që furnizohen nga ky nënstacion. Rehabilitimi ka filluar në prill të këtij viti dhe parashikohet të përfundojë në prill të vitit 2020. Është duke u implementuar një teknologji e re e pajisjeve primare, siç janë çelësat kompas, e cila bën të mundur komandimin qendror të gjithë nënstacionit si dhe ndërhyrjen në kohë të shpejtë për riparimin e avarive”, tha Dalipi.
Ministrja Belinda Balluku e vuri theksin tek rëndësia e investimeve të integruara duke nënvizuar se edhe në këtë rast bashkëpunimi mes Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe Operatorit të Shpërndarjes bën të mundur rritjen e efikasitetit duke sjell rezultate akoma dhe më të mira me ndikim të drejtpërdrejtë tek qytetarët.
“Çfarë është për t’u shënuar, është se ka një bashkëpunim shumë të rëndësishëm midis dy operatorëve, atij të Transmetimit dhe atij të Shpërndarjes, në disa nga nënstacionet, për të krijuar kështu jo vetëm një rrjet transmetimi me siguri të lartë energjetike, por nga ana tjetër për t’i dhënë shërbim shumë më cilësor qytetarëve. Gjithmonë investimet e integruara rrisin efikasitetin e tyre dhe arrijnë që të sjellin rezultate akoma më të mira”, u shpreh Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë shtoi më tej se këto investime, krahas përmirësimit të situatës në sektorin energjetik parashikojnë gjithashtu edhe një sërë investimesh të tjera në infrastrukturën e zonës përreth nënstacionit siç është ndërtimi i rrugëve lidhëse.
“Në të gjitha zonat ku OST-ja dhe OSHEE-ja ndërhyjnë, përveç anës energjetike, nënstacioneve dhe gjithë teknologjisë moderne që ne fusim, nga ana tjetër diçka që ne arrijmë është që të ndihmojmë dhe zonën duke bërë rrugët lidhëse, duke sistemuar të gjithë problematikën e infrastrukturës që zonat kanë. Kështu që përveç shërbimit energjetik më të mirë dhe më cilësor që do marrin, banorët e zonave ku ne investojmë ndjejnë edhe ndryshimin infrastrukturor”, nënvizoi ministrja Belinda Balluku.
Investimi në nënstacionin 110 kV të Librazhdit përfshin edhe zgjerimin e objektit ekzistues për sallën e re të baterive dhe sallën e paneleve ndërsa do të bëhet edhe rrethimi i nënstacionit, drenazhimi i sheshit si dhe ndërtimi i rrugëve të brendshme.
Investimet e realizuara nga ana e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në qytetin e Fierit kanë transformuar cilësinë e furnizimit për të gjithë abonentët, familjarë por edhe bizneset, në këtë zonë por njëkohësisht kanë ulur ndjeshëm edhe nivelin e humbjeve në rrjet. Prej 40 vitesh në rrjetin shpërndarës nuk ishte bërë asnjë investim duke sjellë degradimin e tij dhe për pasojë cilësi shërbimi të dobët.
Investimet e realizuara në vitet e fundit, ku përfshihen ndërtimi i 9 fiderave të rinj 20 kilovolt, shtrimi i linjave të tensionit të mesëm dhe atij të ulët, rikonstruksioni i afro 100 kabinave elektrike si dhe ndërtimi i 60 kabinave të reja tip box ofrojnë tashmë një panoramë krejt tjetër për çdo abonentë.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi investimin e bërë në rrjetin shpërndarës 20 kilovolt, ku pa nga afër disa prej kabinave të reja të ndërtuara dhe nënstacionin, nga ku dalin 9 fiderat e ndërtuar gjatë katër viteve të fundit, si dhe u njoh me impaktin që kanë sjellë këto investime tek abonentët.
“Ky rikonstruksion ka bërë të mundur furnizimin me energji elektrike për gjithë qytetin e Fierit, ka përmirësuar cilësinë e furnizimit por njëkohësisht ka ulur nivelin e humbjeve për kompaninë. Në vitin 2015 niveli i humbjeve ka qenë 30.5% dhe ka arritur në 15.5%, që do të thotë se është përgjysmuar. Ndërkohë që cilësia e furnizimit me energji elektrike është përmirësuar me rreth 30%”, bëri të ditur Arian Faskaj, Drejtori i Drejtorisë Rajonale të OSHEE Fier.
Ministrja Balluku u shpreh se investimet në rrjetin elektrik në qytetin e Fierit do të vijojnë me qëllim që shërbimi që ju ofrohet qytetarëve të jetë akoma dhe më i mirë, duke garantuar furnizim cilësor dhe pandërprerje. Balluku tha se Fieri është një nga qytetet model sa i takon mbledhjes së të ardhurave nga ana e kompanisë së shpërndarjes së energjisë.
“Qyteti i Fierit e meriton plotësisht vëmendjen e OSHEE në këtë zonë pasi këtu mbledhja e të ardhurave arrin në 98%. Është një nga qytetet model përsa i përket pagesave dhe rregullsisë së abonentëve. Megjithatë ne kemi projekte të ardhshme për zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve elektrike këtu në zonën e Fierit. Kjo është një zonë industriale, shumë kompani zhvillojnë aktivitetin e tyre këtu dhe detyrimisht ne duhet t’i përgjigjemi dhe kompanive, por sidomos abonentëve, pasi qytetarët janë në fokusin tonë”, theksoi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë duke garantuar për mbështetjen e institucionit që ajo drejton për të gjitha drejtoritë rajonale të OSHEE me qëllim rritjen e kapacitetit të tyre për t’ju përgjigjur edhe më mirë shqetësimeve të qytetarëve.
Rreth 1 miliardë lekë është shuma e investuar nga OSHEE në qytetin e Fierit në katër vitet e fundit. Aktualisht janë në proces pune ndërtimi i 3 fiderave të tjerë 20 kilovolt, të cilët do të lidhen me nënstacionin Fieri 1, i parashikuar për t’u ndërtuar në hyrje të qytetit.
Pas përfundimit me sukses të fazës së parë në zonën e Durrësit, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka nisur aplikimin e projektit pilot për instalimin e matësave inteligjentë në zonën Kashar-Vorë. Aktualisht janë në fund të procesit të instalimit 3527 matësa inteligjent, ku mes tyre përfshihen 1000 subjekte private dhe rreth 20 shtetërore.
Instalimi i këtyre matësave bën të mundur përmirësimin e procesit të faturim-arkëtimit si dhe rrit transparencën ndaj klientit për konsumit ditor dhe mujor të energjisë elektrike duke i ofruar atij mundësinë për të aksesuar në çdo moment dhe kohë reale konsumin në matës nëpërmjet aplikacionit mobile.
Procesi i instalimit të këtyre matësave u ndoq nga afër nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila u njoh me ecurinë e punës dhe mënyrën e aplikimit të tij.
Ky sistem i ri për matjen e energjisë elektrike, i cili në zonën e Durrësit, Vorës dhe Kasharit po aplikohet në mënyrë të suksesshme, është cilësuar nga ministrja Balluku si një komponent tjetër i rëndësishëm i reformës në sektorin energjetik.
“Ky është një sistem i cili nuk lë asnjë rrugë për abuzime, qoftë nga abonenti por qoftë edhe nga punonjësit e OSHEE-së. Tashmë faturat printohen direkt sipas të dhënave që ky sistem nxjerr. Për më tepër sistemi i matësave inteligjentë ofron gjithashtu kontrollin e automatizuar për të gjitha problemet gjatë shkëputjes së energjisë elektrike apo rilidhjes së saj nga qendra”, u shpreh Balluku.
Matësit inteligjentë bëjnë të mundur gjithashtu matjen e energjisë elektrike në çdo moment duke i dhënë mundësi kështu Operatorit të Shpërndarjes për një menaxhim më të mirë gjatë periudhave të ngarkesave në rrjet.
“Projekti i Durrësit dhe projekti i Kashar-Vorës, janë dy projektet e para pilot për të vijuar më tej dhe në bashkëpunim me Bankën Botërore për t’a aplikuar në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë matësit inteligjentë të cilët kanë të gjitha këto veti të dobishme si për abonentin ashtu dhe për sistemin e shpërndarjes”, theksoi më tej ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Nga ana tjetër, ky projekt i mundëson OSHEE përmirësimin e procesit të matjes dhe grumbullimit të arkëtimeve duke reduktuar kostot në terren si dhe duke rritur saktësinë e faturave.
“Pa diskutim që na ulin kostot operacionale, ulin kontaktet që bizneset kanë me punonjësit tanë në mënyrë që të shmanget çdo mundësi për abuzim. Ne kemi në çdo minutë, në çdo orë, në çdo kohë të gjithë situatën në kontroll, bashkë me rrjetin e tensionit të ulët dhe atij të mesëm për të parandaluar qoftë mbingarkesat, qoftë defektet që mund të paraqiten aty apo qoftë edhe abuzimet që mund të ndodhin në sistemin matës”, bëri të ditur drejtori i OSHEE për rajonin e Tiranës, Klevis Jahaj.
Ky model matësi i energjisë është bën të mundur edhe matjen me 2 kahe, çka krijon hapësirat e nevojshme për përdoruesit që dëshirojnë të instalojnë impiante fotovoltaikë për vetkonsum.
Gjatë analizës së performancës të agjencive dhe institucioneve që janë nën varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ministrja Belinda Balluku, njoftoi nisjen e një sërë projektesh të reja të cilat pritet t’i japin zgjidhje një numri të madh shqetësimesh të trashëguara ndër vite.
Një prej tyre është ajo e shpronësimeve, të cilat në jo pak raste janë pengesa kryesore për ecurinë e zbatimit të projekteve të ndryshme, por që tashmë ka hyrë në rrugën e zgjidhjes.
Ministrja Belinda Balluku, njoftoi së shpejti do të nis nga puna Agjencia Shtetërore e Shpronësimeve për Interes Publik teksa shpjegoi edhe rolin që do të ketë kjo Agjenci. Balluku sqaroi se do të jetë Agjencia në fjalë e cila do të menaxhojë të gjithë procedurat e shpronësimeve duke bërë të mundur që projekte të ndryshme të mos pengohen më nga ky element, por njëkohësisht për t’u dhënë një zgjidhje të shpejtë dhe të drejtë si shtetit ashtu edhe pronarëve të cilët do të dëmshpërblehen.
“Ne kemi nisur punën për të krijuar Agjencinë e Shpronësimeve për interes publik e cila do të jetë një agjenci ku do të përqendrohen të gjitha procedurat e shpronësimeve, por sigurisht gjatë krijimit të kësaj Agjencie ne po shikojmë dhe bazën ligjore dhe të gjitha elementet rregullator të këtij procesi për t’i facilituar, për t’i vendosur në një kuadër ligjor të qartë dhe paekuivoke dhe për t’i krijuar përmes kësaj Agjencie të gjitha projekteve mundësinë që të zhvillohen. Gjithashtu duke i dhënë pronarëve të cilët do të shpronësohen në mënyrë sa më të shpejtë, duke i plotësuar dhe kërkesat që ata kanë mbi truallin e tyre dhe duke arritur për të nxjerrë nga ky proces një produkt të mirë për të gjitha palët”, u shpreh Balluku.
Sa i takon rrjetit rrugor në vend, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, u ndal veçanërisht tek dy projekte madhore për të cilët tha se ka nisur faza e studimit, krijimi i qendrës së menaxhimit të trafikut rrugor si dhe projekti për ndriçimin led të të gjitha akseve kombëtare.
Një tjetër shqetësim, është ai i aktivitetit të linjave të transportit ndërqytetas, për të cilin Balluku tha se deri në qershorin e vitit të ardhshëm do të jetë gati strategjia për funksionimin dhe mirë menaxhimin e këtij sektori, i cili prek jo vetëm qytetarët shqiptarë por njëkohësisht i vjen në ndihmë edhe strategjisë kombëtare të turizmit.
“Besojmë që me një bashkëpunim shumë të ngushtë dhe sinergji mes Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor Shqiptar dhe MIE, ne të arrijmë të dizenjojmë një strategji të mirëfilltë për linjat ndërqytetase. Kështu që përveç shërbimit që duhet t’i ofrojmë qytetarëve, e vlerësojmë këtë si një element bazë për mbështetjen e strategjisë së turizmit dhe unë besoj që deri në muajin qershor të 2020 e gjitha kjo strategji dhe i gjithë procesi i rimëkëmbjes së linjave ndërqytetase do jetë i përfunduar dhe në verën e vitit tjetër, sezoni turistik por dhe qytetarët do të marrin dhe do të shijojnë rezultatet e këtij procesi”, u shpreh ministrja Balluku.
Lajmi i mirë për banorët e kryeqytetit, bëri të ditur Balluku, është ai për nisjen e punës për ndërtimin e nënstacionit të ri elektrik, i cili do të bëjë të mundur përballimin e nevojave për të gjithë banorët.
“Nënstacioni i Tiranës po zgjidhet dhe ka marrë rrugë. Ne do fillojmë shpejt nga puna aty pasi nevoja e kryeqytetit për energji elektrike është dyfishuar në vitet e fundit për shkak edhe të ndërtimeve të reja, nënvizoi ministrja e Belinda Balluku.
Duke mbetur tek investimet e OSHEE në Tiranë, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri të ditur se po punohet edhe për ndërtimin e linjës së dedikuar për stadiumin e ri ku problematika me shpronësimet ka krijuar vonesa.
Drejtuesit e enteve në këtë analizë, relatuan sipas një formati të përcaktuar për arritjet, projektet në vazhdim dhe strategjitë dhe planet e së ardhmes.
Fshati i Kaninës, është pjesë e paketës “100 Fshatra”, dhe tashmë 400 abonentë, familjarë dhe biznese, kanë jo vetëm një furnizim më të mirë me energji elektrike por njëkohësisht ky investim ndikon edhe në rritjen e potencialeve turistike të kësaj zone, duke ofruar mundësi për operatorët që ushtrojnë aktivitet në këtë zonë që të shtojnë kapacitetet e tyre.
Në kuadër të mbështetjes së sezonit turistik, veçanërisht në zonat me më tepër potencial, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, në bashkëpunim dhe me Bankën Botërore, ka përfunduar në fshatin e Kaninës, Vlorë, investimin i cili bën të mundur transformimin rrënjësor të furnizimit me energji elektrike.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me kryetarin e Bashkisë Vlorës, Dritan Leli inspektuan investimin e realizuar, një investim me vlerë 145 milionë lekë, ku u bë e mundur ndërtimi i 7 kabinave të reja, vendosja e mbi 100 shtyllave dhe shtrimi i 5 km kabull tension i ulët me ABC.
“Ne kemi arritur të ulim humbjet e energjisë si pasojë e këtyre investimeve me rreth 7 përqind në këtë zonë. Tashmë i gjithë rrjeti i furnizimit për këtë zonë është 20 kilovolt, me kabina box të reja dhe deri më sot nuk kemi pasur ndërprerje të energjisë elektrike”, bëri të ditur Erjon Osmanaj, drejtori i OSHEE, Vlorë duke shtuar gjithashtu se sipas të gjithë treguesve ka një përmirësim të ndjeshëm të cilësisë së furnizimit për të gjithë abonentët që preken nga ky investim.
Duke sjellë në vëmendje faktin që Kanina është pjesë e projektit të Qeverisë Shqiptare “100 fshatrat”, ministrja Balluku nënvizoi se ky investim shkon në mbështetje të zhvillimi turistik të zonës, ndërsa theksoi se synimi është ofrimi i një shërbimi sa më dinjitoz gjatë gjithë vitit pavarësisht se në zonat bregdetare, veçanërisht gjatë sezonit turistik, rritet ndjeshëm kërkesa për konsum të energjisë elektrike.
“Qyteti i Vlorës ka një kohë turizmi, e cila pak a shumë zgjat nga Prilli deri në Tetor, kështu që ndryshon dhe kërkesa e konsumatorit. Pra rritet në mënyrë të ndjeshme në këto gjashtë muaj. Absolutisht ne po bëjmë të gjitha përpjekjet në të gjitha vendet turistike për të ofruar të njëjtin shërbim si gjatë dimrit ashtu dhe gjatë verës, pavarësisht se kapacitetet rriten shpesh herë edhe më shumë se dyfishi”, u shpreh Balluku.
Për kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli investimet në përmirësimin e cilësisë së furnizimit me energjisë elektrike si dhe ato në infrastrukturë janë investime të cilat i pararendin çdo investimi tjetër në fushën e turizmit. “Këto investime janë pararendëse dhe garantuese që çdo gjë tjetër që do të vij në këtë territor do të jetë e një standardi të lartë dhe në fund fare në shërbimin e asaj që ne duam të gjithë që të kemi, turizëm në sa më shumë shtrirje në gjithë territorin e Bashkisë së Vlorës”, tha kryebashkiaku Leli.
Zona e Kaninës furnizohej me rrjet 6kV, ndërtuar 40 vjet më parë, tejet i amortizuar dhe jashtë kushteve teknike. Banorët merrnin energji elektrike me cilësi të dobët përmes kabinave të vendosura në shtylla me mjete rrethanore dhe përbënin rrezik për abonentët. Këto kabina tashmë janë demontuar, duke u zëvendësuar me kabina tip box dhe pajisjet, kurse linja TM nga ajrore 6kV është kthyer në kabllore (nëntokë) me tension 20kV.