Back
31 Mars

Leximi i matësit dhe procedura e faturimit në kushtet e emergjencës Covid-19

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka hartuar njëplan veprimi për mënyrën se si do të kryhet leximi i konsumit tëenergjisë elektrike në zbatim të Aktit

Normativ të qeverisë për marrjen e masave të veçanta gjatëkohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19.  

Në kushtet kur masat e marra nga qeveria kanë kufizuar edhe mundësinë e lëvizjes normale për punonjësit e OSHEE, kompania i është drejtuar Entit Rregullator të Energjisë i cili ka miratuar edhe vendimin përkatës mbi të cilin do të kryhet procedura e leximit dhe faturimit në këtë periudhë. 

Sipas një praktike të njohur e të zbatuar në shumë vende të tjera, OSHEE do të aplikojë vlerat referencë të konsumit për ato raste kur do ta ketë të pamundur leximin fizik të matësit. 

Rreth 70% të abonentëve familjarë do tu lexohet matësi nga ekipet tona në terren. Për 30% të abonentëve të tjerë për të cilët ky proces do të jetë i pamundur, do të aplikohet vendimi i ERENr. 58, dt.26.03.2020 për faturimin me vlerë reference. Vlera e referencës është sasia e energjisë së konsumuar nga abonenti për të njëjtin muaj të një viti më parë, pra Mars 2019. Për këto raste, sqarojmë se në leximin e muajit pasaardhës do të bëhet balancimi, pra sistemimi i faturës. Ky proces do të kryhet automatikisht nga vet OSHEE, pa patur nevojë për njëkërkesë/ankesë nga abonentët.

Për subjektin jo familjar OSHEE siguron lexim dhe verifikim të matësit për afro 90% të abonentëve. Për pjesën e mbetur do të aplikohet sërish vendimi i ERE-s për vlerë reference.

Referuar kategorisë njësi shërbimi (si bare, restorante, noteri, etj.), të cilat rezultojnë të mbyllura në zbatim të Aktit Normativ dhe ku nuk është e mundur aksesimi i sistemit të matjes, OSHEE do të aplikojë vlerë referencë zëvendësuese vetëm për ditët qëkanë patur aktivitet, pra kanë qënë hapur.

Në muajin pasardhës, OSHEE do të mund të kryejë leximin faktik të matësit për këta abonentë dhe do të kryejë sistemimin e faturimit. Në çdo rast, abonenti do të paguajë vetëm për energjinë e cila është konsumuar prej tij dhe që është e reflektuar në matës.

Bazuar edhe në praktikat ndërkombëtare të cilat e zbatojnë gjërësisht faturimin me vlera reference mbi muaj me karakteristika dhe konsum të njëjtë, OSHEE garanton se do të kryejë leximin e konsumit me cilësi dhe standard.

Vendimi i ERE për faturimin referencë mars 2019

30 Mars

Falja e kamatëvonesave, OSHEE sqaron skemat se si mund të përfitohet

👉 Në kuadër të planit të hartuar nga qeveria për zbutjen e efektit negativ që krijon përballimi i emergjencës mjekësore të shkaktuar nga Covid-19, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka vënë në zbatim paketat lehtësuese për klientët debitorë.

👉Masat lehtësuese përfshijnë borxhet e vjetra të akumuluara dhe nuk kanë të bëjnë me detyrimin e abonentëve për të paguar faturën e rregullt të konsumit mujor të energjisë i cili mbetet i njëjtë.

👉Ndërkaq, nga vendimi për faljen e kamatëvonesave përfitojnë në total 227,568 abonentë, prej të cilëve 205,228 janë familjarë dhe 22,340 konsumator biznes. Shuma totale e falur e kamatvonesave arrin në 15,8 miliard lek ose mbi 135 milion USD.

Bazuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave, Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU Sh.A), pjesë e OSHEE Group, sqaron median dhe opinionin publik për sa vijon:

1. Pagesa e faturës mujore✔️

Çdo konsumator i energjisë elektrike, familjar apo biznes, duhet të paguajë rregullisht dhe brenda afatit faturën e konsumit mujor. Kjo është e vetmja mënyrë se si Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike mund të garantojë qëndrueshmërinë dhe vazhdimësinë e furnizimit me energji.

Stafi i OSHEE në qendrat e Kujdesit ndaj Klientit punon me turne, çdo ditë nga #ora 06:00 deri në 13:00, me përjashtim të ditës së dielë.

Për të shmangur rradhët dhe kontaktet e shpeshta, çdo abonent mund të shfrytëzojë kanalet alternative për pagesën e faturës mujore të energjisë: Sportelet e #Postës Shqiptare; bankat e nivelit të dytë; pikat e transfertave të parave dhe kudo ku është e vendosur logo OSHEE – Këtu paguhet fatura e energjisë elektrike. Abonentët mund të shfrytëzojnë edhe hapësirat online përmes faqes zyrtare të OSHEE, portalit qeveritar E-Albania dhe aplikacionet Banking Mobile.

2. Skema e faljes së kamatave për abonentët debitor✔️

Furnizuesi i Shërbimit Universal (#FSHU), pjesa e OSHEE Group, ka hartuar paketat specifike përmes të cilave abonentët debitore do të mund të përfitojnë falje të kamatvonesave.

a) Kategoria e parë e përfituesve

Rezultojnë 90,194 abonentë, prej të cilëve 88,518 janë familjarë dhe pjesa tjetër subjekte biznesi, që aktualisht kanë një aktmarrëveshje me OSHEE për shlyerjen me këste të borxheve të akumuluara, krahas pagesës së faturës mujore.

Për këta abonentë, OSHEE ka vendosur të zbresë plotësisht vlerën e kamatvonesës së krijuar deri më 31 Dhjetor 2019. Shuma totale e falur për këtë kategori kap vlerën e 46 milion USD. Pjesa kryesore e kësaj shume, rreth 41 milion USD ka si përfitues abonentët familjarë ndërsa pjesa e mbetur konsumatorët e regjistruar si biznes.

Për të gjithë këta 90,194 mijë abonentë, OSHEE do të riskedulojë menjëherë aktmarrëveshjet aktuale duke u kryer zbritjen e kamatëvonesës së akumuluar deri në 31 Dhjetor 2019 dhe tanimë të falur.

Klientët familjar të cilët paguanin aktualisht sipas aktmarrëveshjeve përkatëse këste mujore 2500, 2800 apo 4200 lekë/muaj do të përfitojnë nga falja e kamatës duke paguar tashmë këste të reduktuara në vlerën 2000 lekë/muaj.

Kategoria e familjeve në nevojë, pensionistëve dhe të papunëve që paguanin aktualisht sipas aktmarrëveshjeve përkatëse këste prej 1200 ose 1800 lekë/muaj do të përfitojnë nga falja e kamatës duke paguar tashmë këste të reduktuara në vlerën 1000 lekë/muaj.

Abonentët biznes të cilëve u falet kamatvonesa e krijuar deri më 31 Dhjetor 2019, do të paguajnë tashmë këstet mujore të shlyerjes vetë të vlerës së principalit.

Afati për faljen e kamatëvonesës dhe riskedulimin e aktmarrëveshjeve të kësaj kategorie abonentësh është brenda 30 Prill 2020.

b) Kategoria e dytë e përfituesve

Sipas të dhënave të sistemit, rezultojnë 137,374 mijë abonentë debitorë (familjarë dhe biznese) të cilët nuk kanë një aktmarrëveshje të nënshkruar me kompaninë për shlyerjen e detyrimit të mbartur.

Këtyre abonentëve do tu ofrohet mundësia të jenë gjithashtu përfitues të faljes së kamatvonesës së krijuar deri më 31 Dhjetor 2019.

👉Për të përfituar faljen e kësaj vlere të kamatës, brenda datës 30 Qershor 2020 (nëse nuk ka reduktime të mëtejshme të orareve të qarkullimit), ata duhet të lidhin një aktmarrëveshje me kompaninë dhe të dakordësohen për të paguar me këste vetëm principalin e akumuluar deri në fund të vitit 2019. Shuma totale e pritshme për tu falur për këtë kategori konsumatorësh arrin në mbi 89 milion USD.

29 Mars

Vazhdon procesi i leximit të matësave nga punonjësit e OSSH

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) po ndjek me kujdes procesin e leximit të matësave, në kushtet kur vendi ndodhet në emergjence mjekësore Covid-19.
Grupet e lexuesve janë njohur me grafikun e ndarjes së detyrave, duke patur si objektiv mbulimin e sa më shumë zonave.
Sikurse shihet nga fotot e realizuara këto ditë, me masa mbrojtëse dhe pajisjet e punës, po vijon procesi i leximit të matësave, me qëllim realizimin e një shërbimi sa më cilësor të faturimit.

04 Mars

Mbi furnizimin në treg të liberalizuar të klientëve të lidhur në nivelin e tensionit 35KV nga shoqëria Furnizuesi i Tregut të Lire SH.A/OSHEE GROUP

Shoqëria “Furnizuesi i Tregut të Lirë” SH.A./OSHEE Group (në vijim FTL SH.A), regjistruar në 30.03.2018 në Rregjistrin Tregtar të mbajtur pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit me NUIS L81530029T, është krijuar nga Asamblea e Përgjithshme “OSHEE” SH.A. në zbatim të Urdhërit Nr. 157, datë 12.02.2018 të Ministrit të Energjisë dhe Industrisë “Mbi krijimin e tri shoqërive të kontrolluara nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike SH.A”.

Kliko ketu per materialin e plote

13 Shkurt

OSHEE, zyra të reja të Kujdesit ndaj Klientit dhe kontroll SCADA në Vlorë, Balluku: Rrisim cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve

Në qytetin e Vlorës, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka përfunduar një investim të rëndësishëm, i cili përfshin ambientet e reja të Qendrës së Kujdesit ndaj Klientit si dhe sallën SCADA, të kontrollit të automatizuar. Ky investim ka krijuar tashmë mundësinë për të ofruar kushte dhe standarde dinjitoze shërbimi ndaj klientëve, si dhe një performacë më të mirë të vetë operatorit në drejtim të furnizimin me energji për konsumatorët.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Vlorë, Dritan Leli dhe Drejtori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike Vlorë, Erion Osmanaj kanë inspektuar nga afër investimin e kryer.

Drejtori i OSHEE Vlorë, bëri të ditur se në Vlorë janë 5 qendra të Kujdesit ndaj Klientit dhe performanca e tyre ka qenë e kënaqshme. Gjatë vitit 2019 kanë marrë zgjidhje të gjitha çështjet dhe ankesat e ardhura pranë këtyre Qendrave, ndërsa janë trajtuar edhe çështje apo ankesa të mbartura gjatë viteve të mëparshme. “Kjo është qendra e re e Kujdesit ndaj Klientit të kompanisë së re Furnizuesi i Shërbimit Universal. Është hera e parë, që Vlora është e pajisur me sistemin elektronik të radhës, për të ofruar një shërbim cilësor për klientët, bashkë me shërbimin online në kohë reale”, tha Osmanaj.

Duke vlerësuar këtë investim, i cili përmirëson kushtet dhe cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve, ministrja Balluku tha se OSHEE duhet të vijojë investimet e nisura për të kaluar online akoma dhe më shumë shërbime. “Tashmë të gjitha agjencitë, apo ndërmarrjet e varësisë së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, por edhe ministritë e tjera, kanë filluar të ofrojmë sa më shumë shërbime online, për t’i dhënë qytetarit lehtësi më të madhe dhe për të shkurtuar kohën e shërbimit. OSHEE ka qenë një nga nismëtaret e këtij procesi, kështu që ju i keni mësuar të parët qytetarët, sesi aksesohen shërbimet online dhe duhet të vazhdoni ta bëni”, u shpreh Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë inspektoi gjithashtu edhe ambientet e reja të dispecerisë SCADA. Aplikimi i këtyre sistemeve bën të mundur mbledhjen e informacioneve në kohë reale dhe më pas reagimin në distance, duke shkurtuar ndjeshëm kohën për riparimet e defekteve që mund të shfaqen.

Ministrja Balluku tha se bashkëpunimi midis të gjithë operatorëve, që kontribuojnë në fushën e energjisë, me qëllim rritjen e performancës, duke garantuar një reagim të shpejtë ndaj çdo defekti që shfaqet, është një prej synimeve kryesore. 

“Fakti, që ju dhe OST jeni të lidhur me SCADA, krijon një interaktivitet dhe eficencë maksimale. Bashkërendimi i të gjithë aktorëve, që kontribuojnë në fushën e energjisë është synimi që ne kemi. Bashkëveprimi i të gjithë aktorëve përmes sistemeve elektronike është shumë i rëndësishëm, shkurton kohë, na jep mundësi që të ndërhyjmë shumë shpejt dhe padyshim bën që abonenti të mos ndjejë defektet, që deri dje zgjasin edhe për orë të tëra”, theksoi ministrja Balluku.

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli ka vlerësuar investimet e kryera nga OSHEE në Vlorë, duke theksuar se ato janë një ndihmë e madhe për zhvillimin e qytetit. “Komplimentet e mia për këtë sistem fantastik të menaxhimit të furnizimit me energji elektrike në të gjithë territorin e Vlorës. Në momentin, që çdo gjë është e kontrolluar nga një pult komandimi, absolutisht është një garanci më shumë për t’i shërbyer klientëve, që janë abonentët familjarë, por mbi të gjitha, ajo që është synimi i të gjithëve është turizmi”, është shprehur kryebashkiaku Leli.

20 Janar

OSHEE investon për fuqizimin e n/stacioneve

Një tjetër n/stacion rrit sigurinë e furnizimit me energji elektrike, falë investimit të #OSSH, pjesë e OSHEE Group📌
Në Nst Farkë 110/20kV përfundoi me sukses procesi i vendosjes së transformatorit të ri 40/50 MVA, i cili zëvendësoi transformatorin me fuqi 25MVA, pra rritëm me dyfish kapacitetin. Punimet u kryen gjatë natës nga Drejtoria e Tensionit të Lartë dhe u morën masat e nevojshme duke evituar stakimin e energjisë. Investimi përmirëson ndjeshëm cilësinë e furnizimit me energji elektrike për një pjesë të madhe të abonentëve të lidhur me rrjetin e ri 20kV, në zona si:
Qytetit Studenti, Vilat Gjermane, Kolonia Gjermani, Rezidencat Amerikane, zona pranë NST Traktora, zona e Selitës, Kodra e Diellit, Liqeni i Thatë, Kopshti Zoologjik, Lundër dhe Fari tek Liqeni.
Pritet që mbulimi me energji të përfshijë edhe zonën tek Teatri Veror, Korpusi i Universitetit deri te “Rruga e Elbasanit”

18 Janar

Kontrolli dhe Rikuperimi i Humbjeve të energjisë, 42 procedime në polici, masa edhe për elektricistë

Departamenti i Kontrollit dhe Rikuperimit të Humbjeve, strukturë brenda Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH Sh.A), është duke ushtruar kontrolle përmes 12 grupeve në të gjithë vendin.

“Në fokus të punës është zbulimi i vjedhjes së energjisë elektrike dhe rikuperimi i humbjeve në sistemin shpërndarës”, deklaroi Armand Zhuka, drejtori i departamentit.

Si rezultat i kontrolleve në muajin janar, janë zbuluar dhe proceduar 42 abonentë për vjedhje të energjisë elektrike, përmes skemave të ndryshme, si furnizim me linjë të dytë, konsum energjia pa kontratë dhe ndërhyrje në #matës. 10 abonentë rezultuan konsumatorë privatë, pra biznese. Bazuar mbi provat, abuzimi është kryer në bashkëpunim me elektricistët, por edhe në kushtet e neglizhencës, ndaj OSSH mori masa për 6 punonjës.

Struktura e Kontrollit dhe Rikuperimit të Humbjeve është njësi e posaçme për realizimin e operacioneve në terren kundër abuzuesve me ligjin dhe nuk ka qëllim në vetvete procedimin (nga policia gjyqësore), por tashmë me miratim nga ERE (Enti Rregullator i Energjisë), “faturimin” e kilovatëve të vjedhur/humbur.

17 Janar

Bilanci 2019, OSHEE sqaron spekulimet mbi rezultatin financiar

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka përmbyllur të dhënat e treguesve kryesore ekonomiko/financiar për vitin 2019, i cili konsiderohet si më i vështiri, për shkak të thatësirës së tejzgjatur që çoi në mungesën e prodhimit nga HEC-et e Kaskadës së Drinit dhe ato private.

Kostoja e pashmangshme e mbulimit me energji importi të prodhimit të munguar ashtu sikurse ekzekutimi i detyrimeve në zbatim të vendimeve të gjykatave kanë sjellë përkeqësimin e rezultatit vjetor financiar të kompanisë por nuk kanë cënuar objektivat e vendosura në raport me reduktimin e humbjeve, rritjen e arkëtimeve dhe kontributin në Buxhetin e Shtetit përmes tatim/taksave.

Humbjet në rrjetin e shpërndarjes në vitin 2019 zbritën në 21.7% (kur objektivi i BB është 23%) ndërsa një vit më parë ato ishin 23.9%. Arkëtimet pritet të arrijnë 97% të vlerës së faturuar çka përbën rritje me 2% prej parashikimit në Buxhet dhe në Planin e Rimëkëmbjes së sektorit elektroenergjetik.  

Të ardhurat nga shitja e energjisë për vitin 2019 rezultojnë me një rritje prej 2% ose në vlerë rreth 1.3 miliard lek krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Gjatë këtij viti, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka paguar 8.1 miliard Lek Buxhetit të Shtetit përmes tatim/taksave. Brenda kësaj shume është edhe tatim-fitimi për vitet e mëparshme në vlerën 3.3 miliard lek.

OSHEE ka likujduar në këtë vit 100% të faturave korente ndaj Korporatës Elektroenergjetike, Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe Postës Shqiptare. Gjithashtu, është likujduar shuma prej 1.2 miliard Lek si pagesë për detyrimet e vjetra të trashëguara ndaj Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare.

Në sajë të disiplinës financiare, OSHEE ka mundësuar edhe kryerjen e investimeve të domosdoshme për të garantuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë e rrjetit të shpërndarjes.

Përtej arritjes së këtyre objektivave, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike pritet të dalë për vitin 2019 me një rezultat financiar negativ prej 7.4 miliard lekësh.

Kjo shifër reflekton pashmangshmërisht angazhimin e Operatorit të Shpërndarjes për:
a)    garantimin e furnizimit të vazhdueshëm me energji të konsumatorëve pavarësisht thatësirës;
b)   menaxhimin e situatës financiare pa rënduar mbi Buxhetin e Shtetit;
c)    mbajtjen e pandryshuar të tarifave të energjisë elektrike për konsumatorët final.

Gjatë 2019, shpenzimet për blerje energjie rezultuan 8.9 miliard Lekë më shumë se 2018. Pamundësia e Korporatës Elektroenergjetike për të prodhuar energji nga Kaskada e Drinit, detyroi OSHEE-në që këtë sasi që do duhej ta blinte me 1.5 Lek/kWh, ta siguronte nga importi me çmim mesatar prej 9.2 Lek/kWh. Në këto kushte, fatura e OSHEE për të garantuar furnizimin pa ndërprerje me energji për konsumatorët arriti për këtë vit në shifrën rekord prej 350 milion eurosh.

Ndryshimi i kontratës së KESH me OSHEE gjatë vitit 2019 e rëndoi edhe më shumë pozitën financiare të kompanisë. Sipas kontratës së mëparshme, KESH kompensonte Operatorin e Shpërndarjes në rastet kur ishte në pamundësi për të kryer furnizimin me energji në sasinë e kontraktuar përmes Kaskadës së Drinit. Me kontratën e ndryshuar, e gjithë barra financiare e garantimit të energjisë së munguar përballohet nga OSHEE pa kompensim prej KESH.

Dy element të tjerë, që nuk kanë lidhje me aktivitetin ekonomik të vitit 2019, kanë shkaktuar rritje të zërit të shpenzimeve operative dhe rrjedhimisht dhe përkeqësimin e rezultatit financiar vjetor.

Së pari, shpenzimi në shumën prej 2.3 miliard lekësh që përbën një detyrim të trashëguar, i cili do paguhet nga OSHEE përgjatë 22 viteve. Vlera është kamatvonesë që KESH i kishte llogaritur Operatorit të Shpërndarjes për fatura të papaguara të energjisë që para vitit 2015 nga CEZ Shpërndarje. Ky pretendim i trashëguar ka qenë objekt i shqyrtimit nga gjykata. Arritja e një dakordësie me mirëkuptim mes KESH dhe OSHEE për këtë mosmarrëveshje ishte një kusht i vendosur nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Moszgjidhja e këtij konflikti pengonte disbursimin e kredisë prej 218 milion eurosh që BERZH firmosi me KESH për ristrukturimin e portofolit të kredive afatshkurtra. Dy shoqëritë publike OSHEE dhe KESH u dakordësuan ta zgjidhin me mirëkuptim konfliktin dhe kjo shumë detyrimi reflektohet në rezultatin financiar të këtij viti në zërin e shpenzimeve.

Së dyti, 1.2 miliard lekë shpenzime me të cilat OSHEE është përballur në zbatim të vendimeve të marra nga gjykatat, të cilat kanë trajtuar padi të depozituara ndër vite ndaj kompanisë. Në vlerësimin e OSHEE, një pjesë dërrmuese e këtyre vendimeve janë absurde, të pa mbështetura në ligj e madje kanë detyruar kompaninë të kryejë pagesat e menjëhershme pas vendimeve të shkallës së parë, pa pritur shqyrtimet e shkallëve të tjera gjyqësore të apelimit.

Përkundër sa aludohet në artikujt e publikuar në disa media, në zbatim të planit për menaxhimin e situatës së thatësirës së tejzgjatur, OSHEE ka mbajtur nën kontroll rigoroz të gjitha llojet e shpenzimeve të tjera operative përfshirë paga, shpërblime, karburant, kancelari, qira, një pjesë e të cilave vitet e fundit kanë ardhur duke u ulur në vlerë.

OSHEE fton cilindo të interesuar të njihet me zërat e bilancit financiar, sikurse ka vepruar gjithnjë në kuadër të transparencës.

07 Janar

Normalizohet situata, rikthehet energjia në zonat e prekura nga defektet

OSHEE Sh.A është duke ndjekur me përparësi furnizimin me energji elektrike të të gjithë konsumatorëve dhe në terren grupet e punës janë duke punuar për eliminimin e defekteve të shfaqura gjatë dy ditëve të fundit prej motit të keq, kryesisht me erëra të forta (vlerë maksimale 108 km/h) dhe ulje temperaturash deri në 10 gradë Celsius.

Sa më lartë, OSHEE ka vendosur në gadishmëri rreth 2200 punonjës, të shpërndarë në nyjët kritike të rrjetit elektrik, duke nisur nga nënstacionet, linjat 35kV, e deri në nivel kabinash dhe kabull TU. 

Aktualisht situata paraqitet e stabilizuar, falë reagimit në kohë të brigadave të terrenit për riparimin e defekteve. Energjia është rikthyer për 97% të abonentevë në zonat me defekte, në raport me 24 orët e fundit.

Nga raportimi i fundit, problematika shfaqen kryesisht në pjesën verilindore të vendit si Has e Tropojë, si dhe në Pukë e Laç. Në Tiranë, grupet e punës janë duke riparuar avarinë në fiderin 327 të Nst Selitë, proces i cili po zhvillohet në kushte jo të favorshme, pasi mbi rrjetin elektrik tension i mesëm është ndërtuar një pallat. (foto).

Drejtuesi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. z. Petraq Lika deklaron se avaritë janë shfaqur në zonat rurale (86% në rang vendi) për shkak të këputjes së përcjellësave, dëmtim izolatorësh, kabllo, etj.

Lika thotë se falë masave të marra në investime, mirëmbatje dhe organizim gadishmërie, kemi një përmirësim të cilësisë së furnizimit me 25%, shkurtim të kohës së riparimit dhe uljes së numrit të defekteve, në raport me një vit më parë.

31 Dhjetor

Balluku mbledh drejtuesit e OSHEE dhe OST: Angazhim maksimal për të ofruar shërbim pa ndërprerje gjatë festave

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit, kanë hartuar planin e gatishmërisë për të garantuar furnizim të pandërprerë me energji elektrike në të gjithë territorin e vendit gjatë festës së fundvitit. Njëkohësisht janë marrë masat e nevojshme për të ndërhyrë në çdo moment, për të riparuar çdo defekt të mund të shfaqet.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka mbledhur në një takim pune, drejtues qendrorë dhe rajonalë të OSHEE dhe OST. Në këtë takim është prezantuar plani i masave të marra, ndërkohë që ministrja ka kërkuar që të gjitha drejtoritë rajonale të kalojnë në gjendje gatishmërie.

“Ne kërkojmë angazhimin tuaj maksimal për të mos pasur ndërprerje të energjisë elektrike në asnjë pjesë të territorit. Patjetër të 11 drejtoritë rajonale duhet të jenë në gjendje gatishmërie të plotë dhe sigurisht në momentet kur do kemi avari apo kur do ketë shkëputje të energjisë, e rëndësishme është kthimi në proceset e normalizimit në një kohë sa më të shkurtër për të mos krijuar asnjë problem tek qytetarët”, u shpreh Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se duhet pasur vëmendje e posaçme te institucionet e rëndësishme, si spitalet, apo strukturat e tjera me rëndësi të veçantë.

“Ju keni detyrën për t’i akomoduar të gjithë kërkesat e qytetarëve pa pasur humbje, apo defekte, të cilat mund të prishin atmosferën e këtyre ditëve festive, apo mund të krijojë dhe problematika të tjera pasi jeta vazhdon. Spitalet duhet të jenë absolutisht në qendër të vëmendjes tonë dhe gjithçka tjetër e cila karakterizohet dhe quhet strukturë kritike dhe strategjike”, nënvizoi Balluku.

Administratori i OSHEE, Adrian Çela bëri të ditur se afro 1700 punonjës të kësaj kompanie janë në territor dhe që prej festës së Krishtlindjeve kanë kaluar në gjendje gatishmërie.

“Është ngritur shtabi qendror në drejtorinë qendrore dhe në çdo drejtori rajonale janë ngritur shtabet, të cilat raportojnë në mënyrë periodike. Prej mëse 10 ditësh raportohet çdo një orë për situatën teknike apo defekte të mundshme. Janë ngritur “call center” dhe po ashtu dispecerite, në shërbim të qytetarëve, të cilat në këtë rast funksionojnë 24 orë. Kemi ngritur grupin e punës ku secili grup ka fiderat dhe kabinat e veta”, sqaroi Çela.

Drejtor i Departamentit të Rrjetit të Transmetimit të OST, Blendian Dalipi, theksoi se nga ana e OST ka përfunduar me sukses remonti në linjat 110 kilovolt, ndërsa është hartuar një plan bashkëpunimi së bashku me OSHEE, me qëllim reagimin e shpejtë nëse do të jetë e nevojshme për të ndërhyrë në rast evidentimi të problematikave.

“Në të gjitha rajonet janë hartuar planet e gatishmërisë, ku nëpërmjet grupeve të punës do të ndërhyhet në mënyrë shumë të shpejtë dhe sa më efektive për të rikthyer furnizimin me energji në normalitet tek konsumatorët. Janë mobilizuar të gjithë strukturat. Kemi përfunduar me sukses të gjithë remontet në rrjetin tonë kryesisht rrjetet 110 kilovolt, aty ku janë dhe më të ndjeshme përsa i përket furnizimit me energji elektrike të përdoruesve”, u shpreh Dalipi.

Në mbyllje të takimit, ministrja Belinda Balluku, si dhe drejtuesit e dy operatorëve të energjisë, përcollën urimet e tyre për festën e fundit, për punonjësit e këtyre agjencive, por edhe të gjithë shqiptarët.