Defektet në Tiranë, OSHEE: Situata normale, shkak mbingarkesa e moti i keq

spitalla

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE, njofton se është normalizuar furnizimi me energji elektrike në disa zona në Tiranë, pas defekteve që pësoi rrjeti shpërndarës në fundjavë. Sipas informacionit të drejtorisë rajonale të OSHEE, Tiranë, në datat 15-16korrik disa nga fiderat e n/stacionit Selitë e n/stacionit Traktora pësuan defekt në rrjetin e tensionit të mesëm e të ulët duke lënë pa energji disa linja e kabina elektrike që furnizojnë zonën pranë qendrës tregtare “Kristal”, Kodra e Diellit, zonën e Myslym Shyrit dhe Unazën e Re.
Një nga shkaqet e defekteve ishte dhe moti i keq, (stuhia e erës rrëzoi degë peme mbi linjat elektrike).
Gjatë gjithë ditës dhe deri në mesnatë, grupet e punës së dr.rajonale OSHEE Tiranë punuan intensivisht deri në riparimin e të gjithë avarive; duke qenë se defekti ishte në linjë ajrore, është punuar për vendosjen e kabllit në 4 metra thellësi dhe ditën e sotme, e djelë, të gjitha zonat e prekura nga avaritë furnizohen me energji elektrike.

Si pasojë e defektit në kabllot e fiderit 329 dhe 333 20KV N/Stacioni Selite, ditën e shtunë mbetën pa energji disa zona pranë shkollës “Sabaudin Gabrani”, Rr e Kavajës,Rr Nikolla Lena, Adem Kruja,Besim Imami, Rr Myslym Shyri. Riparimi i avarive u përfundua rreth orës 14.30.

Po gjatë ditës së djeshme (16 korrik) pësoi defekt dhe Fideri F13 20KV N/Stacioni Kashar, që mbulon me energji elektrike, Pallatet në Fushën “Misto Mame”, zona pranë Unazës së re, Yzberisht, Zona Mëzez.
Pasi u kontrollua pjesa e mbetur pa tension, u manovrua dhe rreth orës 21:47, të gjitha zonat e prekura nga defekter morën energji.
Gjatë ditës së djelë, nuk u raportua asnjë defekt në qytetin e Tiranës.