Kriza e çmimeve, Qeveria vendos 280 milionë USD mburojë për faturat e energjisë së familjeve dhe biznesit të vogël

Pavarësisht 10-fishimit të çmimit të energjisë elektrike në tregjet e bursave, fatura e konsumit për familjet dhe biznesin e vogël do të mbetet e pandryshuar.

 Kostot shtesë janë duke u përballuar nga buxheti i shtetit, si masë mbrojtëse ndaj krizës së çmimeve, tashmë edhe tek lëndët e tjera.

Prej disa ditësh, Kryeministri Edi Rama, së bashku me Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, jane duke prezantuar në publik “Paketën e Rezistencës Sociale”, si reagim ndaj pasojave të krizës globale energjetike, si edhe të luftës në Ukrainë, mbi çmimet.

Një ndër masat e marra nga qeveria është mbrojtja nga rritja e çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë dhe bizneset e vogla.

Kryeministri Rama ka deklaruar se qeveria do të shtojë 28 miliardë të tjera, 280 milionë dollarë, në financimin e mburojës së çmimit të energjisë elektrike për familjet dhe bizneset e vogla.

“Sot, me luftën, çmimet kanë pësuar një kërcim të ri dhe çmimi i energjisë ka shkuar aty ku, as nuk e ka imagjinuar njeri, deri në 61 lekë për kilovat/orë, ndërkohë që energjia paguhet nga familjarët, ata të cilët janë në nevojë 7 lek, dhe 7 lekëshi është mbajtur i tillë dhe për ta mbajtur të tillë, që nga reforma e energjisë, çdo vit për të mbajtur të 7 lekësh në faturën e familjeve në nevojë, ne paguajmë 45 milionë dollarë në buxhet që shkojnë si kompesim i faturave.

Për familjarët është 9,5 lekë dhe për bizneset është 14 lekë. Që do të thotë, ky është çmimi para krizës, ndërkohë që çmimet pas krizës dhe gjatë krizës, janë shumëfish”, u shpreh kryeministri Rama.

Ai theksoi se i ka kërkuar OSHE-së që për çdo faturë energjie te sjellë edhe pjesën e pagesës së buxhetit të shtetit për çdo familje dhe biznes të vogël.

“Unë do të doja që faturat të ishin si kjo fatura që është e dikujt nga ju këtu ku faktikisht shkruhet vlera për tu paguar nga subjekti që në këtë rast është një subjektet që konsumon 176 mijë lekë energji, por po të shikojmë mbrapa çmimi real i faturës është 476 mijë lekë pra subjekti paguan 176 mijë të vjetra, vlera reale e faturës është 476 mijë dhe 299 mijë lekë që është diferenca e paguan buxheti i shtetit”, tha kryeministri Rama.

Ndërsa ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se në muajin janar, për të kompensuar prodhimin e kaskadës dhe kërkesën e tregut, u shpenzuan për blerjen e energjisë nga importi 32 milionë e 678 mijë e 433 euro.

“ Në muajin shkurt blerja nga importi është 48 milionë e 356 mijë e 732 euro. Parashikimi për blerjen në muajin mars me çminimin që sapo ju thashë, mesatarisht 500 euro është 100 milionë euro.

 Ndërkohë që parashikimi për muajin prill i pritshëm, duke qenë  se kaskada do të prodhoj dhe më pak, është 134 milionë euro. Në total deri një muajin e katërt të këtij viti faktikja e konsumuar dhe çfarë presim nga projeksionet do të arrij rreth 320 milionë euro subvencion përsa i përket energjisë nga Qeveria Shqiptare dhe nga buxheti i shtetit”, tha ministrja Balluku.

Sipas saj,  kosto e kilovatorit në muajin mars për Qeverinë Shqiptare do të jetë 61 lekë për kilovatorë, ndërkohë që do të vazhdojë të tregtohet dhe ti jepet abonentëve me çmimet e mëparshme.

“Kështu që këtu po shkojmë drejt 10 fishimit të çmimit të kostos ndërkohë që çmimi i shitjes vazhdon të ruhet i njëjtë.

Unë besoj që ky subvencion është subvencioni më i madh që ne kemi dhënë pavarësisht të gjithë subvencioneve që janë dhënë gjatë pandemisë, por energjia zë pjesën më të madhe të subvencionit shtetëror ndaj abonentëve dhe jo vetëm abonentëve në nevojë, por ët gjithë abonentëve duke qenë se këtu përfshihen të gjithë abonentët familjarë”, tha ministrja Balluku.

Ministrja Balluku tha se qeveria ka marrë masa që në fillim të verës së kaluar për të përballuar krizën energjetike duke vënë në dispozicion një kredi të vendosur mbi garancitë sovrane prej 100 milionë eurosh që u konsumuan për blerjen e energjisë dhe për subvencionin që ju jepet të gjithë abonentëve.