Miratohet marrëveshja, gjermanët e KfW mbështesin me 32 Milionë Euro OSHEE-në

kfw featuredKuvendi i Shqipwrisw miratoi me 82 vota projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2016 për projektin “Programi i investimeve për shpërndarjen e energjisë elektrike I”.

Objektivi i projektligjit është që t’i mundësojë Republikës së Shqipërisë ose marrësve të tjerë, të cilët do të zgjidhen së bashku nga të dyja qeveritë, që të marrë nga KfW-ja, për projektin “Programi i investimeve për shpërndarjen e energjisë elektrike I”, shumat e mëposhtme:
• Një kredi të butë nga KfW-ja, e cila jepet në kuadër të bashkëpunimit publik për zhvillim në vlerë të përgjithshme deri në 30 milionë euro
• Një shumë financimi prej gjithsej 2 milionë euro për masat e nevojshme shoqëruese për zbatimin dhe mbikëqyrjen e projektit

Projektligj është në përputhje të plotë me politikat e Këshillit të Ministrave për mbështetjen e sektorit elektroenergjetik, duke synuar përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike, reduktimin e humbjeve të energjisë elektrike në rrjetin e shpërndarjes, si dhe rritjen e cilësisë dhe sigurisë së furnizimit me energji elektrike për klientët në Shqipëri.

“Marrja e kësaj huaje është në përputhje me Strategjinë Kombëtare të Energjisë 2018-2030 dhe qëllimi i saj kryesor është realizimi i objektivave të parashikuara në “Planin e Rimëkëmbjes në Sektorin Energjitik”, ku humbjet totale parashikohet të ulen në nivelin 16% deri në vitin 2022”, deklaroi ministrja Belinda Balluku.

Theksojmë se kjo kredi do të shërbejë si një investim i mirëfilltë për përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike, në ndryshim nga e kaluara kur kreditë janë përdorur në pjesën më të madhe për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura.

Programi i investimeve për shpërndarjen e energjisë elektrike I, i cili do të financohet nëpërmjet kësaj kredie, është përzgjedhur pas një vlerësimi shterues të listës së projekteve potenciale dhe komponentëve të tyre, të kryer nga ekspertët e KfW në bashkëpunim me ekspertë të OSHEE sh.a.

Objektivat
• Ngritjen e kapacitetit të sistemit të shpërndarjes elektrike në Shqipëri,
• Reduktimin e emetimeve të CO2 nëpërmjet reduktimit të humbjeve teknike,
• Ngritjen e sigurisë dhe cilësisë së furnizimit nëpërmjet një efikasiteti dhe besueshmërisë të shtuar të sistemit të shpërndarjes në Shqipëri.

Programi 4-vjeçar parashikon financimin e tre komponentëve bazë:
• Zbatimi i një Qendre të Kontrollit të Shpërndarjes, duke përfshirë Sistemin e Kontrollit të Mbikëqyrjes dhe Blerjes së të Dhënave (SCADA)
• Rehabilitimi ose ndërtimi i nënstacioneve të përzgjedhura 110 kV/20 kV
• Përmirësimi i rrjetit me voltazh të mesëm deri në nivelin 20 kV në zona të zgjedhura