Moti i keq, Administratori i OSHEE: Në terren 2200 punonjës, kemi përgjysmuar kohën e riparimit të defekteve

Administratori i OSHEE Group, Adrian Çela në një intervistë me skype në studion e Neës 24, ka dhënë një pasqyrë të situatës së defekteve në rrjetin elektrik  si pasojë e motit të keq ekstrem, me reshje shiu intensive dhe stuhi ere e bore në zonat malore.

Ai shpjegoi se sipas planit organizativ të kryer nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes u bë e mundur që brenda 2 orëve të reduktohet në masën 50 % numri i fiderave me defekt.

Administratori i OSHEE-së shpjegoi se  ndërprerjet e energjisë patën si shkak stuhitë duke sjellë për pasojë defekte në linjat e tensionit të ulët dhe të mesëm.

“Kur kemi reshje të shumta bore dhe kohë të keqe, jemi koshientë që situata në të tilla raste do pasqyrohet dhe me rritje të defekteve.

Aktualisht kemi në terren 2200 punonjës, në gatishmëri 24 orë dhe situata ka ardhur drejt përmirësimit.

Në momentet që flasim nga 1200 fidera janë vetëm 12 fidera ende me defekt. 19218 abonentë janë pa energji elektrike në këto momente. 322 janë në zonat urbane”, u shpreh administratori i OSHEE Adrian Çela.

Lidhur me rastin e Dervicianit, ku pas përfshirjes së banesës nga flakët humbi jetën një 12-vjeçare, kreu i OSHEE i ka shprehur ngushëllime familjes së viktimës ndërsa kërkoi që të mos abuzohet me këtë rast.

“Një rast ekstrem dhe shumë tragjik. Më vjen keq që abuzohet me këtë rast. Ne nuk themi që kemi rrjetin më modern, kemi investuar, por për të investuar në rrjetin elektrik shqiptar duhen 30 vite.

 Gjatë natës për arsye teknike në shumë defekte është e pamundur ndërhyrja për shkak të rrezikut për punonjësit. Ne kemi pasur dhe raste të humbjes së jetës. Në shumë raste bëjmë dhe stakime për arsye sigurie, ku ka rritje të nivelit të ujit, për të mos pasur dëme më të mëdha kemi raste që i stakojmë, për të ruajtur jetën dhe pajisjet”, tha Çela.

Sipas administratorit të OSHEE, në rast se në vitin 2015 në të tilla situata numri i defekteve ka qenë shumë herë më i madh, investimet e kryera treguan se jemi më të përgatitur dhe më të gatshëm të riparojmë në kohë sa më të shpejtë defektet.

“Në orën 12 të natës kishim 16 fidera në të gjithë vendin pa energji. Në 3 shkoi 40 dhe në 9 të mëngjesit kishim 78 fidera pa energji. Pas dy orësh numri i fiderave zbriti në 38 dhe tani janë 12 fidera me 19218 abonentë. Situata më e rënduar është në Drejtorinë Rajonale Burrel.

Çdo një orë raportohet për përmirësimi ne situatës. në zonat ku ka ngarkesa kemi zhvendosur punonjësit. Në zonën e Dibrës po dërgojmë punonjës të tjerë për të realizuar kthimin e energjisë për banorët pa rënë nata. Ka zona ku vërtetë nuk arrin të hyhet. Ka gjëra që nuk parashikohen. Kërkojmë mirëkuptim dhe punonjësit e OSHEE, si këtë radhë dhe siç kanë demonstruar gjatë gjithë kësaj periudhe, do jenë në gatishmëri për të garantuar furnizimin me energji”, tha ai.

Çela foli dhe për mungesën e energjisë në zonën e Radhimës më 28 nëntor.

“Ishte një furtunal. Në Radhimë dhe gjithë zonën kemi planifikuar një investim të ri me rrjetin 20 kV. Ky rrjet aktual nuk mund të përballet me furtunalet. Në Orikum kemi një investim të ri, një rrjet.

Për shkak të situatës së ndërlikuar në tregjet energjetike dhe ne kemi qenë të detyruar të importojmë energji, kemi ndërprerë të gjitha investimet. Për shkak se jemi në këtë situatë nuk kemi arritur akoma ta implementojmë këtë investim. Shpresojmë gjatë 3-mujorit të vitit tjetër”, tha Çela.