Normalizohet situata e furnizimit me energji, ngarkesat në rrjet 50% më tepër

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka marrë të gjitha masat për të përballuar situatën e furnizimit me energji elektrike, në kushtet e një moti të ftohtë me temperatura të ulëta dhe reshje bore, ngrica e stuhi ere.

Në terren janë angazhuar 2200 punonjës nga 11 rajonet e OSSH në vend të cilët prej fundjavës janë në punë 24 orë për të riparuar avaritë që janë shfaqur këto ditë në rrjetin e shpërndarjes.

Nga informacionet që përcjell në mënyrë periodike dispeceria qendrore në kompaninë OSSH, me uljen e ndjeshme të temperaturave, është rritur me 50 % ngarkesa në rrjetin elektrik ,në qendrën e Shqipërisë duke sjellë avari në fidera.

Grupet e OSSH, ndonëse në kushtet e motit ekstrem kanë vijuar punën duke eleminuar avarinë  dhe duke rikthyer energjinë në 95 % të zonave të prekura nga defektet.

Vijojnë të mbeten problematike disa zona malore të thella në rajonin e Burrelit dhe Peshkopisë ku defektet jannë kryesisht në linjat ajrore si këputje përcjellësash, thyerje izolatorësh apo rrëzim të shtyllave.