N/stacioni Qendër, OSHEE: Brenda javës, Tirana i kthehet normalitetit

1
Sikurse jeni në dijeni në qytetin e Tiranës është duke u zhvilluar nga Bashkia e qytetit Projekti “Ndërtimi, zhvillimi dhe rahabilitimi i Unazës së vogël”, pjesë e së cilës është edhe Projekti i Spostimit të N/stacionit të Qendrës, e ndërtuar që në vitin 1998, për lirimin e rrugës së kësaj Unaze.

Me anën këtij projekti OSHEE ka pasur dy objektiva:
• Spostimin e këtij N/stacioni në një shesh të ri zhvillimor të vënë në dispozicion nga Bashkia në muajin Tetor 2016
• Rinovimin e këtij N/stacioni sipas standardeve të reja, vendosja e pajisjeve moderne, etj

Punimet për zhvendosjen e N/stacionit Qendër dhe vendosja në tension, kanë ecur në masën 97%, pra janë drejt përfundimit. Ky N/stacion menaxhon rreth 30% të konsumimit të energjisë elektrike, pra ka një peshë të konsiderueshme.
Për rrjedhojë, zhvendosja e N/stacionit të Qendrës ka ulur sigurinë e furnizimit me energji elektrike pasi ka kaluar furnizimi nga një skemë unazore në skemë radiale.

Aktualisht po kryhen të gjitha testimet e mundshme, që kërkojnë kohën e nevojshme teknike, para se n/stacioni të vendoset në funksion të plotë.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale OSHEE Tiranë, Klevis Jahaj, shpjegoi sot para medias, se punimet janë drejt përfundimit dhe se, “brenda kësaj jave Tirana do t’i kthehet normalitetit të furnizimit me energji dhe të gjitha skemat unazore do të jenë në punë bashkë me nënstacionet e tjera”. Sipas tij, në rast defektesh që mund të ndodhin, reagimi i OSHEE për riparimin e avarisë do të jetë më e shpejtë!

Në lidhje me defektin e mbrëmjes së kaluar, ku disa zona si “Vasil Shanto”, blloku i pallateve pranë lulishtes “1 Maji”, etj, kreu i OSHEE të Tiranës sqaroi se:
“Në trasenë e kabllos në fiderin 322 të ishin kryer punime nga operatorë që po zbatojnë projektet për infrastrukturën në zonën e Selitës dhe ky defekt la një pjesë të mirë të zonës pa energji dhe një fider paralel të n/stacionit të Qendrës.
Grupet tona kanë reaguar në mënyrë të shpejtë dhe kemi riparuar defektin për më pak se 2 orë, por nëse do ishte funksional N/stacioni i qendrës koha e eliminimit të avarisë do ishte më e shkurtër, më pak se 10 minuta”.

OSHEE u bën sërish apel subjekteve private të kenë kujdes kur kryejnë punime pasi dëmi nuk prek kompaninë, por dhe abonentët, duke i lënë padrejtësisht pa drita!
OSHEE do të vijojë të denoncojë çdo rast në organet përkatëse të drejtësisë, edhe pse deri më tani nuk është marrë ndonjë masë!