OSHEE: 28 grupe pune në terren për situatën emergjente nga përmbytjet

foto 1Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE është duke ndjekur me përparësi situatën e furnizimit me energji elektrike në disa Rajone në Jug të Shqipërisë e krijuar nga përmbytjet për shkak të shirave të dendur në këto Rajone.

Për këtë u ngritën Shtabet e Emergjencës së kompanisë OSHEE sh.a me qendër në qytetin e Fierit, Gjirokastrës dhe Beratit nën drejtimin e drejtorit të Departamentit të Shpërndarjes.

Shtabi i emergjencës pranë Drejtorisë Rajonale Fier, Drejtoria Rajonale e Gjirokastrës dhe Drejtoria Rajonale e Beratit kanë angazhuar 117 punonjës të ndarë në 28 grupe të cilët po operojnë me efikasitet në terren sipas rajoneve respektive.

Për mbarëvajtjen e punës, fillimisht u evidentuan të gjithë problematikat e ditës së djeshme dhe po përditësohen ato të ditës së sotme, rrjedhojë e pasojave të motit të keq në linjat e shpërndarjes së energjisë elektrike deri tek abonenti fundor.

Nga raportimet e shtabeve Rajonale u hartua me shpejtësi lista e bazës materiale të nevojshme për eliminimin e defekteve dhe u morën masa për shpërndarjen e saj.

Deri më tani, janë mbuluar pothuajse të gjithe defektet, janë marrë masa për furnizimin e Hidrovoreve me energji elektrike, ndërsa janë pa energji ato zona ku vënia me tension e fiderave (gjithsej 3 copë; 2 në Vlorë dhe 1 në Kallm Jagodinë) të furnizimit, është e pamundur për shkak të sigurisë së jetës së banorëve: fidera me kabina elektrike të permbytura nga uji dhe fidera me përcjellës të keputur në zona të përmbytura.

Pavarësisht nga kushtet ekstreme të motit ku shirat e dendura kanë përmbytur sipërfaqe të tëra toke, lumenjtë kanë vërshuar dhe kanë dalë jashtë shtratit të tyre, OSHEE ka arritur të normalizojë dhe të furnizojë me energji një pjesë të konsiderueshme të banorëve.