OSHEE-BERZH, miratohet marrëveshja financiare për stabilitetin dhe investimet

BERZH i beson kompanisë OSHEE Group paketën financiare 70 milion euro për vijimin e reformave, garancinë e furnizimit me energji dhe ndërtimin e një nënstacioni të ri në Tiranë.

Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancën e radhës plenare me 78 vota, marrëveshjen e huasë së BERZH të cilën OSHEE do ta përdorë për rikuperim të pasojave të pandemisë  dhe ndërtim të NST të ri Qendër.

Projektligji synon ratifikimin e marrëveshjes së garancisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për marrëveshjen e huasë, ndërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për projektin e OSHEE-së për reagimin ndaj krizës së pandemisë COVID-19. 

Marrëveshja e huasë dhe marrëveshja e garancisë, që janë nënshkruar me BERZH-n më 08.09.2021, kanë si qëllim sigurimin e fondeve në formën e kredisë me terma të favorshëm, për të mbështetur kompaninë për sigurimin e stabilitetit ekonomiko – financiar, në vlerë të përgjithshme deri në 70 000 000.00 (shtatëdhjetë milionë) euro, nën garancinë e Republikës së Shqipërisë.

Nëpërmjet marrëveshjes së garancisë se nënshkruar dhe që synohet të ratifikohet me anë të këtij projektligji, Republika e Shqipërisë garanton të gjitha detyrimet që Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike Group, sh.a., merr përsipër nëpërmjet marrëveshjes së huasë që lidhet ndërmjet BERZH-it dhe OSHEE Group, sh.a.-së

Administratori i OSHEE Group Adrian  Çela tha gjatë seancës dëgjimore në komisionet parlamentare, se shoqëria OSHEE gjatë vitit 2020 është përballur jo vetëm me situatën e thatësirës së jashtëzakonshme, por kësaj situate iu shtua dhe situata e Covid-19, e cila pati efekte shtesë negative në financat e OSHEE Group, sh.a.-së, duke e përballur shoqërinë me një situatë të paimagjinueshme më parë.

“OSHEE Group, sh.a.-ja, ka marrë menjëherë masa të jashtëzakonshme për përballimin e situatës, duke pezulluar totalisht planin e investimeve për vitin 2020. Por këto masa zgjidhin situatën momentale të OSHEE-së për tejkalimin e situatës, duke dhënë pasoja të rënda në stabilitetin teknik e financiar, si dhe arritjes së treguesve të saj, bazuar në planin e konsolidimit financiar të sektorit”, tha administratori i OSHEE.

Sipas administratorit Çela, përballë këtyre efekteve negative financiare, OSHEE Group, sh.a.-ja, ka ndërmarrë një seri masash drastike si pezullimi total i planit të investimeve për vitin 2020, përmes të cilave u mundësua zgjidhja e situatës momentale të kompanisë, por nga ana tjetër, këto masa drastike dhanë pasoja të rënda në stabilitetin teknik e financiar të kompanisë, si dhe arritjes së treguesve të saj, bazuar në planin e konsolidimit financiar të sektorit”, u shpreh para deputetëve administratori i OSHEE Group, Adrian Çela.

Gjithashtu, duhet theksuar fakti se situata financiare e kësaj kompanie vihet në vështirësi të mëtejshme edhe për shkak të shpalljes së gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike, që diktohet nga një situatë e përgjithshme e rritjes galopante të çmimit të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare.

“Nëpërmjet këtij financimi, OSHEE-ja jo vetëm siguron sa më sipër, por garanton që do ta përballojë me sukses ripagimin e kësaj kredie me fondet e aktivitetit të saj”, tha Çela.

Shqipëria edhe pse është një vend i pasur me burime ujore, rezulton se katër hidrocentralet më të fuqishme mbi lumin Drin, nuk i plotësojnë dot të gjitha nevojat e vendit për energji elektrike.

Konkretisht, Shqipëria prodhon 70-75 për qind të sasisë së nevojshme për energji elektrike nga burime të brendshme dhe 25-30 për qind e nevojave për energji importohen nga tregjet rajonale dhe europiane.

 E gjithë sasia e energjisë elektrike në vend prodhohet nga burime 100% të rinovueshme, siç janë hidrocentralet.

Shqipëria, prodhon energji elektrike përgjatë kohës kur ka reshje të mjaftueshme për mbushjen e hidrocentraleve.

Në këtë periudhë ulet kërkesa për energji elektrike në rajon (pasi prodhojnë të gjithë) dhe për këtë shkak detyrohet të shesë energjinë elektrike me çmim të ulët.

Ndërkohë që Shqipëria blen energji elektrike në periudhë thatësire, kur kërkesa për këtë produkt është e lartë jo vetëm në vendin tonë, por edhe në të gjithë botën. Prandaj jemi të varur njëlloj si gjithë vendet e tjera nga çmimet e energjisë në tregun ndërkombëtar.

Kriza energjitike, e cila parashikohet të zgjasë deri në verë, sigurisht që është një situatë shumë sfiduese po aq sa edhe pandemia dhe kjo kërkon edhe marrjen e masave financiare dhe administrative.

Në këtë kuadër, Qeveria ka hartuar edhe planin për përballimin e emergjencës energjetike dhe mbrojtjen e shtresave në nevojë, i cili parashikon 3 masa kryesore:

• Garantimin e furnizimit me energji elektrike për të gjithë konsumatorët;

• Mbrojtjen e konsumatorëve familjarë dhe bizneseve të vogla nga rritja e çmimeve;

• Garantimin e likuiditetit për situatën energjike, me 100 milionë euro këtë vit për kompaninë e shpërndarjes së energjisë dhe 100 milionë euro të tjera vitin tjetër.

Gjithashtu, po shikohet mundësia për gjetjen edhe të faktorëve të tjerë zbutës të situatës energjetike si, Plani lidhur me krijimin e një sistemi për ruajtjen e rezervave ujore me qëlli përdorimin e tyre gjatë thatësirës.

Këtë funksion mendohet ta kryejë Hidrocentrali i Skavicës në kaskadën e Drinit, për ndërtimin e të cilit Koorporata Elektroenergjitike e  Shqipërisë (KESH) nënshkroi në korrik të këtj viti marrëveshjen me Korporatën Amerikane Bechtel.

Sipas ekspertëve, ndërtimi i këtij hidrocentrali do ta bëjë Shqipërinë një nga prodhueset më të mëdhenj të energjisë elektrike në rajon, duke rritur prodhimin e pesë hidrocentraleve mbi lumin Drin me 20 përqind dhe arritur në 1350 MV.

Pikërisht, duke vlerësuar gjithë këtë kuadër të problematikës me të cilët është përballur dhe pritet të përballet sektori i energjisë, me synim mundësimin e një stabiliteti teknik dhe financiar, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike Group Sh.A, ka nënshkruar marrëveshjen e huasë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në masën deri 70,000,000 euro dhe e cila ndahet në 2 këste, konkretisht;

 kësti 1 në vlerë deri në 55,000,000 Euro dhe kësti 2 në shumën 15,000,000 Euro.

Qëllimi i këtij projekti të marrëveshjes së huasë është:

• T’i sigurojë OSHEE-së mbështetjen me likuiditet për të financuar blerjen e energjisë së brendshme dhe kostot e pagës bruto;

• Të financojë ndërtimin e një nënstacioni shpërndarjeje 110/20 kV në Tiranë;

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës Znj. Balluku, informoi anëtarët e komisionit se situata e jashtëzakonshme e krijuar nga pandemia COVID-19, u reflektuar në uljen e arkëtimeve të OSHEE-së.

 Shkak për këtë u bë ndryshimi i strukturës së të ardhurave, pasi të gjitha industritë dhe bizneset që furnizoheshin nga OSHEE-ja pushuan së punuari për disa muaj, ndërkohë u rrit konsumi i familjarëve për shkak të karantinës.

Në këto kushte shuma e arkëtimeve rezulton si më poshtë:

Ulja e arkëtimeve nga një mesatare prej 97.5% në vitet 2017-2019, në 93.4% në vitin 2020, me një efekt financiar 2.7 miliard e 716 milion lekë.

Mosrealizimi i uljes së humbjeve (humbjet teknike) në nivelin 20% ashtu siç kishim deklaruar/planifikuar duke u përllogaritur në bazë të investimeve që do bëheshin, si pasojë e mosrealizimit të këtyre investimeve në masën 63.9% në vitin 2020 si dhe mungesa fizike e pjesëmarrjes në punë të 50% të punonjësve të prekur, efekti i drejtpërdrejtë financiar i mosrealizimeve për shkak të humbjeve prej 1.48% në vitin 2020, llogaritet të jetë 1 miliard e 35 milion lekë.

Ulja e të ardhurave si pasojë e ndryshimit të strukturës së të ardhurave si dhe rritja e konsumit të familjarëve, pati një efekt financiar me 933 milion leke.

KESH nuk plotësoi furnizimin me sasitë e planifikuara të energjisë për rreth 975.5 giga ëat të cilën OSHEE e bleu në tregun e lirë me cmimin 4.7 herë më të lartë se ai i planifikuar, me një shtesë në shpenzimet e energjisë në 4.5 miliard lekë, të cilat përkeqësuan performancën financiare të shoqërisë.

Totali i likujditetit të pakapitalizuar kap vlerën 9 miliard e 21 milion lekë.

Lidhur me borxhin e shoqërisë, ministrja Balluku shpjegoi se, institucionet publike në total i kanë borxh OSHEE-së 20.35 miliard lekë.

Detyrimi i borxhit në vitin 2013 që OSHEE ka ndaj kompanive KESH dhe OST (borxhi i kombinuar së bashku), ishte 55.6 miliard lekë.

 Në vitin 2020, këto detyrime u ulën në masën 48.5 miliard lekë.

Në vitin 2015 është paguar nga KESH, 11% më shumë ose 5.5 miliard lekë më shumë krahasimisht me planin e rimëkëmbjes.

Aktualisht OSHEE që nga dhjetori 2014, nuk ka borxh të ri dhe borxhi i akumuluar ndër vite aktualisht paguhet me këste cdo vit bazuar në marrëveshjen për këtë qëllim për skedulimin e borxhit.

Lidhur me gjendjen financiare të OSHEE-së dhe aftësinë e saj paguese, për rrjedhoje edhe të huasë, objekt i marrëveshjes së huasë në diskutim, përfaqësuesja e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë u shpreh se detyrimet e OSHEE-së ndaj Ministrrisë së Financave dhe Ekonomisë deri në fund të gushtit 2020, vlerësohen të jenë në vlerën 2.5 miliard lekë.

 Këto detyrime i referohen vetëm një mbështetjeje buxhetore që Ministria e Financave i ka akorduar direkt OSHEE-së dhe nuk bëhet fjalë për detyrime të prapambetura dhe të pashlyera nga kreditë e marra prej saj nga Banka Botërore apo partnerë të tjerë.

Lidhur me çmimin e energjisë në vijim, ministrja Balluku deklaroi se, nuk do kemi asnjë rritje të çmimeve dhe nuk është synimi ynë balancimi i çmimit të ulët që ia japim konsumatorit me cmimin e lartë që ne e blejmë atë.

“Qeveria ka vendosur ruajtjen e cmimit pa afektuar asnjërin nga përdoruesit e saj.

Gjithashtu, aktualisht kemi përgatitur një strategji të mirëfilltë, për lidhjen e kontratave afatgjata me shitës të rajonit apo duke aksesuar edhe direkt bursën.

 Sapo kemi miratuar në Qeveri një plan të detajuar masash për mitigimin e mundësive për blerjen e energjisë me kontrata afatgjata, pasi problemi në treg sot nuk është vetëm çmimi i energjisë, por edhe vetë mungesa e energjisë pra sigurimi i sasisë së energisë në nivel afatgjatë”, u shpreh ministrja e Energjisë Belinda Balluku.