Rama në Kuvend: Çmimi i energjisë për familjarët dhe biznesin e vogël nuk ndryshon, kostot do t’i përballojë shteti

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së mbajtur në kuvend për projektbuxhetin e vitit 2022, ka deklaruar se qeveria nuk do të ndryshojë çmimin e energjisë elektrike për abonentët familjarë dhe biznesin e vogël.

Rama tha se të gjitha kostot e parashikuara për mbulimin e këtij financimi do të përballohen nga buxheti i shtetit.

Duke iu referuar situatës së krijuar në vendet e rajonit si pasojë e krizës energjetike, kryeministri Rama tha se ata që po përballojnë koston e kësaj krize janë familjarët të cilët po paguajnë me tarifë më të lartë gazin dhe energjinë elektrike.

“Mbase shumëkush bën sikur nuk i sheh, sepse kështu i intereson ato që po ndodhin me çmimin e energjisë përreth, mbase shumëkush nuk do që ti shohë se cfarë po ndodh me  konsumatorët familjarë jo shumë larg nesh, ku debati kryesor është kostoja e stërngritur e ngrohjes për familjarët, por po i referohem Italisë, Greqisë e vendet e tjera rrotull që po përballen me rritje të lartë të cmimit të energjisë për familjarët e bizneset e vogla”, tha Rama.

Më tej ai theksoi se sic është premtuar qeveria do të mbrojë familjet dhe biznesin e vogël nga efektet e krizës energjetike.

“Do t’i qëndrojmë fort bindjes se do të jemi mburojë për famijet dhe për biznesin e vogël në raport me cmimin.

Ne do të vazhdojmë të mbajmë cmimin aktual të energjisë duke financuar për të kompensuar të gjithë koston, që është kosto që i faturohet arkës së shtetit dhe duke shpresuar se siç janë parashikimet në gjashtëmujorin e dytë të vitit të ardhshëm, vala e krizës do të zbutet”, tha kryeministri Rama.