Rezultatet e muajit prill: 25 mld lekë arkëtime, humbjet zbresin në 30.5 %

jpegFalë një menaxhimi të kujdesshëm dhe drejtimit të duhur të kompanisë OSHEE për rimëkëmbjen, rezultatet e muajit prill kanë konfirmuar trendin pozitiv të arkëtimeve dhe uljes së humbjeve në rrjet.

Bilanci financiar i kompanisë OSHEE u publikua për mediat nga Administratori i OSHEE, z.Adrian Çela.

Më poshtë fjala e plotë e Administratorit

 

Përshëndetje të gjithëve!

Kam kënaqësinë të deklaroj se, muaji prill konfirmon drejtimin e duhur të kompanisë OSHEE për rimëkëmbjen, ku pothuajse të gjithë objektivat janë realizuar, madje duke i tejkaluar.

E nisim me arkëtimet, pika e rëndësishme e punës tonë! Në muajin prill kemi arkëtuar 50 milionë dollarë, ose 10 milionë më tepër se muaji prill 2014. Vë në dukje faktin se targeti për këtë muaj ishte 47 milionë dollarë.

Si 4-mujor, pra janar-prill, kemi afro 24.5 miliardë lekë arkëtime, rreth 100 milionë dollar më tepër se e njëjta periudhë e vitit 2014.

Në lidhje me humbjet, muaji prill shënon një tjetër rekord pozitiv. Humbjet zbritën në 30.5%, nga 35.7% që ishin vitin e shkuar dhe gati 39.7% në prill të 2013-s.

Për më tepër, ju kemi shpërndarë disa grafikë, për të parë më konkretisht krahasimet, në vite dhe në targete.

Natyrisht që këto rezultate kanë ardhur si pasojë e një pune analizash në drejtorinë qëndore dhe të mirëorganizuar në terren. Kontrollet kanë vijuar me ritme të larta gjatë muaji prill. Kështu, janë kryer 60 mijë kontrolle, ku gati gjysma kanë rezultuar debitor ndaj OSHEE-së, duke u marrë masë për ndërprerje të energjisë elektrike.

Paralelisht me kontrollet, janë rritur edhe lidhjet e reja, ose numri i klientëve që kanë lidhur kontratoë me OSHEE. Si 4-mujor kemi 33% më shumë lidhje të reja, që tregon për formalizim të sektorit dhe ndërgjegjësim të konsumtorëve për të qenë të ligjshëm karshi detyrimit për të paguar faturën.

Natyrisht që të gjitha këto rezultate pozitive kanë ndikuar edhe te kostot e importit të energjisë elektrike. Humbjet në rrjet, për të cilat OSHEE paguante dhjetra milionë euro ër t’i kompensuar duke importuar energji elektrike, janë reduktuar, për pasojë edhe shpenzimet për të blerë energji. Si 4-mujor, si rrjedhojë i reduktimit të humbjeve falë menaxhimit efficient në terren, garës transparente dhe konkurruese te prokurimet e energjisë si dhe falë marrëveshjes së re me KESH-in, kemi kursyer jo pak, por 35 milionë dollar.

 

  • Nga ulja humbjeve +23 milionë dollarë
  • Gara prokurime +8 milionë dollar
  • Marrëveshja KESH +4 milionë dollarë

 

Së fundmi, dua të nënvizoj planin e radhës se, në javët e ardhshme, OSHEE do t’i kushtojë vëmendje kontrolleve te subjektet private që operojnë në bregdet, duke qenë se gjatë muajve të verës ka përqëndrim të konsumatorëve pranë këtyre zonave.

Biznesit i bëj thirrje të verifikojë gjendjen debitore që ka me OSHEE-në dhe të marrë masa për të likujduar faturat. Sipas rastit të debisë, OSHEE ofron mundësinë e pagesës me këste!

Në të kundërt, u ndërpritet energjia elektrike, dhe në këtë pikë, kompania nuk do të tolerojë askënd!