BERZH mbështet OSHEE për investimet dhe stabilitetin financiar

BERZH mbështet OSHEE për investimet dhe stabilitetin financiar

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim mbështet OSHEE Group për investimet dhe stabilitetin financiar përmes një pakete prej 70 milion euro.

Marrëveshja e huasë u firmos  nga Administratori i OSHEE Group z.Adrian Çela dhe Zëvendës Presidenti i Parë i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), z.Jurgen Rigterink.

Administratori i OSHEE Group, Çela në fjalën e tij gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes së huasë, falenderoi BERZH dhe theksoi se ky projekt do të mbështesë kompaninë OSHEE pas pasojave të COVID -19 si dhe do të ndihmojë në  ndërtimin e një nënstacioni modern nëntokësor, i pari i këtij lloji në Shqipëri.

“Gjithashtu OSHEE do të përfitojë nga BERZH dhe një paketë asistence teknike që mbështet ambiciet e grupit tonë për modernizimin dhe zbatimin e standardeve më të mira”, u shpreh administratori Adrian Çela.

Në ceremoninë e marrëveshjes ishte e pranishme ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku dhe  ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj e cila firmosi garancinë për kredinë e OSHEE.

Marrëveshja e huasë së BERZH do të jetë i strukturuar në dy transhe ku 55 milionë euro do të përdoren nga OSHEE për të lehtësuar shtrëngimet e likuiditetit që shkaktohen nga kriza e COVID-19 dhe një transh tjetër 15 milionë euro që do të përdoret nga OSHEE për të financuar ndërtimin e një nënstacioni 110/20kv në zonën qendrore të Tiranë.

Gjithashtu, asistenca teknike e BERZH synon përmirësimin e proceseve, përmirësimin dhe forcimin e procedurave të shëndetit dhe sigurisë dhe sistemit të menaxhimit, rritjen e aftësive teknike përmes ofrimit të trajnimit, dhe përgatitjen e një udhërrëfyesi të rrjetit inteligjent për OSHEE.