Back
01 Korrik

KONTRATA E SHIT-BLERJES SË ENERGJISË ELEKTRIKE NGA SHOQËRIA FURNIZUESI I TREGUT TË LIRË SH.A/OSHEE GROUP SH.A.



Përshëndetje,

Shoqëria “Furnizuesi i Tregut të Lirë” SH.A./”OSHEE Group” SH.A. (në vijim FTL SH.A), regjistruar në 30.03.2018 në Rregjistrin Tregtar të Qendrës Kombëtare të Biznesit me NUIS L81530029T, është krijuar nga Asambleja e Përgjithshme “OSHEE” SH.A. në zbatim të Urdhërit Nr. 157, datë 12.02.2018 të Ministrit të Energjisë dhe Industrisë “Mbi krijimin e tri shoqërive të kontrolluara nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike SH.A”. “Furnizuesi i Tregut të Lirë” SH.A. është licencuar nga Enti Rregullator i Energjisë në aktivitetin e tregtimit dhe furnizimit të energjisë elektrike, respektivisht me Vendimin Nr. 198, date 03.09.2018 “Mbi licencimin e shoqërisë Furnizuesi i Tregut të Lirë SH.A. në veprimtarinë e tregtimit të energjisë elektrike” dhe Vendimin Nr. 199, datë 03.09.2018 “Mbi licencimin e shoqërisë Furnizuesi i Tregut të Lirë SH.A. në veprimtarinë e furnizimit të energjisë elektrike”.

Bashkëlidhur Kontrata e Shitblerjes së Energjisë Elektrike për vitin 2020 e cila shërben si parakusht për pjesëmarrje në procedurat e shitblerjes së energjisë elektrike që zhvillohet nga “FTL” SH.A.

Për të siguruar një proces transparent, të barabartë dhe gjithëpërfshirës, Ju ftojmë të njiheni me Kontratën e Shitblerjes së Energjisë Elektrike dhe ta nënshkruani atë brenda datës 20.07.2020.

Për më shumë informacion në lidhje me Kontratën e Shitblerjes së Energjisë Elektrike Ju mund të kontaktoni në adresën adresën e email-it info.blerje@oshee.al.

“FURNIZUESI I TREGUT TË LIRË” SH.A.

Klikoni këtu për të shkarkuar kontratën (Shqip)

Klikoni këtu për të shkarkuar kontratën (Anglisht)

12 Qershor

Investimi në sistemin matës, OSSH po instalon rreth 120 mijë pajisje të reja “smart”

Një ndër proceset më me rëndësi për OSHEE Group është investimi në sistemin e matjes. Instalimi i matësave të rinj elektronik, gati për tu përshtatur në “smart” vijon çdo ditë në të gjithë vendin.
Procesi po ndiqet nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH sh.a), në kuadër të projektit “rimëkëmbja e sektorit të energjisë.
Objektivi është shdërrimi i sistemit të matjes, duke instaluar rreth 120 000 pajisje të reja sipas standardeve ndërkombëtare, klasi 1.

03 Qershor

Prezantohen skenarët për projektin e HEC Skavica, Balluku: Po bëjmë realitet një ëndërr shumëvjeçare, me impakt të rëndësishëm në sektorin energjetik dhe ekonominë kombëtare

Hidhet zyrtarisht hapi i parë për ndërtimin e Hidrocentralit të Skavicës, një vepër madhore dhe një projekt i hershëm, me impakt të madh jo vetëm në sektorin energjetik, por në gjithë ekonominë e vendit.

Sot paradite në mjediset e qendrës COD, në praninë e kryeministrit Edi Rama, është bërë prezantimi i skenarëve për Zhvillimin e Projektit për “Hidrocentralin Skavica”.

Në fjalën e saj ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e cilësoi hapin e parë për nisjen e procedurave për ndërtimin e HEC Skavicës, si një ëndërr shumëvjeçare e hedhur si ide që në vitet ’60-të, e risjellë në vëmendje herë pas here, por pa arritur asnjëherë finalizimin e projektit të saj. Sot, tha ministrja, Qeveria Shqiptare ka në duar një studim konkret të këtij projekti, i cili ofron disa skenarë për ndërtimin e kësaj vepre.

Balluku u ndal tek ndikimi që do të ketë ndërtimi i Hidrocentralit të Skavicës, duke nisur me optimizimin e Kaskadës së Drinit, eliminimin e përmbytjeve në zonën e fushë Shkodrës dhe fushë Lezhës, rritjen e sigurisë dhe efiçencës në veprat hidrike në HEC-et ekzistuese të kaskadës, por mbi të gjitha hedhjen e një tjetër hapi, drejt përmbushjes së kërkesës energjetike vendase dhe sigurisë së saj.

“Skavica ofron optimizimin e kësaj kaskade, duke bërë që 3 hidrocentralet e tjera të optimizojnë prodhimin e tyre, duke e rritur minimalisht deri në 80 GWh”, ka thënë ministrja Balluku.

Ndërtimi i HEC Skavica do të ofrojë një zgjidhje për përmbytjet në rrjedhën e poshtme të kaskadës. Projekti i propozuar do të mundësojë “magazinimin” e një pjesë të ujit në rast të krijimit të plotave në Drinin e Zi, duke zvogëluar në këtë mënyrë efektet negative në rrjedhën e poshtme të kaskadës.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se kjo vepër do të realizohet me fondet e Qeverisë Shqiptare, duke u mbështetur tek partnerët e saj financiarë dhe synohet, që brenda këtij viti të hapet gara ndërkombëtare për realizmin e kësaj vepre, në formatin projektim i detajuar dhe ndërtim.

“Është e rëndësishme të theksohet, që sot nis ky proces me synimin, që brenda këtij viti ne të realizojmë një garë të hapur, transparente dhe ndërkombëtare, ashtu siç qeveria shqiptare bën, brenda muajit tetor, për të arritur në një instrument të rëndësishëm të kësaj gare, përmes dizenjimit të projektit të detajuar dhe të ndërtimit të veprës. Kjo është një vepër, e cila do të ndërtohet me fonde të Qeverisë Shqiptare, duke u mbështetur tek partnerët tanë financiarë, po përmend BERZH-in, i cili është ofruar për t’a financuar këtë projekt, duke qenë se dhe bashkëpunimi me WBIF, financuese e studimit të fizibilitetit, është një paketë, që ata zakonisht operojnë së bashku”, theksoi ministrja Balluku.

Megjithatë, sipas ministres, ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës nuk do të jetë vetëm një lajm i mirë për sistemin energjetik shqiptar, por do të jetë një lajm i mrekullueshëm për të gjithë ekonominë shqiptare.

Drejtori i KESH, Benet Beci, ka bërë një pasqyrim të detajeve teknike, sa i takon projektit dhe impaktit që ai pritet të ketë në sistemin energjetik shqiptar.

27 Maj

Parku Fotovoltaik i Karavastasë, shpallet fituesi i ankandit

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në prani të kryeministrit Edi Rama, ka përmbyllur sot ankandin ndërkombëtar për ndërtimin e parkut fotovoltaik të Karavastasë, i cili do të jetë parku energjetik më i madh me energji solare në Ballkan.

Çmimi prej 24.89 euro, për MWh, i ofruar nga kompania fituese, është konsideruar si një çmim fantastik, për leverdinë ekonomike që i sjell ekonomisë së vendit, nisur nga fakti se energjia elektrike me shumicë në Shqipëri llogaritet të jetë në nivelin 50-55 euro për MWh. Ky është çmimi më konkurrues për tregun e ardhshëm të energjisë, i cili do të reflektojë sinjale te konsumatori.

Në mbyllje të fazës finale të ankandit ndërkombëtar, fituese është shpallur kompania franceze Voltalia, e cila kishte bërë edhe ofertën financiare prej 24.89 euro, për MWh.

Ministrja Belinda Balluku nuk e ka fshehur entuziazmin e saj në mbyllje të procesit, të cilin e ka vlerësuar si një proces model përsa i përket transparencës, ndërsa çmimin e ofruar nga kompania fituese një çmim rekord për parqet energjetike.

“Ky është një çmim rekord, për të gjitha parqet energjetike. Ne shpesh i jemi referuar parqeve të ndërtuara në Jordani, apo në zona ku piku i diellit është shumë më i lartë, pra dhe prodhimi është më i lartë, me çmime 26 euro. Ndërkohë ne kemi ardhur sot në këtë ditë, që të kemi një park energjetik me 24.89 euro nga kompania Volttalia, që është një nga kompanitë më të mëdha europiane me kapital 100% francez”, është shprehur ministrja Balluku.

Ankandi për këtë park fotovoltaik u shpall në datën 20 janar, dokumentet ishin të disponueshme online për një periudhë të konsiderueshme dhe ato u blenë nga 30 kompani. Ministrja Balluku vlerësoi se ato ishin kompani me emër të madh në Europë, por edhe në kontinente të tjera. Në 30 prill Komisioni i Vlerësimit të ofertave ka arritur të administrojë 5 oferta.

“Kjo është një garë e suksesshme, pasi ka pasur konkurrencë dhe ajo që është më e rëndësishmja, diçka të cilën mund ta faktojnë edhe konsulentët e BERZH, të cilët kanë qenë pjesë e pandarë e të gjithë këtij procesi dhe e grupit të punës, ka qenë një proces transparent nga fillimi deri në fund. Një proces i bazuar mbi garën dhe sigurisht të pesta kompanitë kanë pasur mundësi që të vlerësohen nga grupi ynë i ekspertëve dhe nga grupi i BERZH për të kaluar fazën e pare”, ka theksuar ministrja Balluku.

Vendi ynë, për shkak se bazohet në energjinë e prodhuar nga hidrocentralet, sigurisht që ka një varësi të jashtëzakonshme nga moti. Ndërtimi i Parkut Fotovoltaik të Karavastasë sipas ministres Balluku është një hap shumë i rëndësishëm, në drejtim të diversifikimit të burimeve të energjisë, përmes krijimit të burimeve alternative të prodhimit të energjisë, që në këtë rast është energjia solare.

Investimi për ndërtimin e Parkut Fotovoltaik të Karavastasë në zonën e Divjakës dhe të Fierit do të kapë shifrën e mbi 100 milionë eurove. Parku fotovoltaik do të ketë një kapacitet të instaluar prej 140 megavat energji, të ndara sipas një skeme ku 70 megavat do të jenë me çmim të parashikuar dhe 70 megavat do të tregtohen në tregun e lirë. Afati i projektit është 30-vjeçar dhe për kapacitetin 70 megavat me çmim të parashikuar, kemi një kontratë shitblerje energjie për një afat 15-vjeçar.

26 Maj

Faturimi dhe humbjet, OSHEE hedh poshtë spekulimet: Bilanci 4-Mujor

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike hedh poshtë spekulimet e ditëve të fundit në disa portale, rreth procesit të faturimit në kushtet e pandemisë COVID 19 dhe treguesit të humbjeve në rrjet. Artikuj të cilët të nxitur nga interesa politike apo edhe ekonomike kanë synuar të dëmtojnë imazhin e OSHEE në publik. Treguesit e 4-Mujorit të parë 2020 konfirmojnë se pavarësisht situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka garantuar: a) furnizimin me energji pa ndërprerje për të gjithë konsumatorët; b) faturimin e saktë pavarësisht kushteve të izolimit të lëvizjes; c) krijimin e lehtësirave për abonentët duke u falur vlera të konsiderueshme të borxhit të mbartur dhe c) mbajtjen në kontroll të objektivave vjetore për uljen e humbjeve/rritjen e arkëtimeve. Përtej kushteve të vështira të krijuara nga mungesa e prodhimit në Kaskadën e Drinit dhe thatësira e tejzgjatur përgjatë 2018-2019, OSHEE ka mundur të sigurojë energjinë e nevojshme nga importi pa rënduar Buxhetin e Shtetit. Kompania ka optimizuar procedurat dhe në 4 muajt e parë të vitit ka blerë energjinë me çmime 20 deri 24 euro/Mwh më të lira se një vit më parë. Nëse në Mars-Prill 2019 u shpenzuan 31,6 milion Euro për energji nga importi, në periudhën Mars deri 12 Prill 2020 janë shpenzuar vetëm 9.9 milion euro. Mbyllja e aktivitetit të biznesit për periudhën e pandemisë testoi gjithashtu gadishmërinë e OSHEE për të përballuar rritjen e fluksit të energjisë së konsumuar nga abonentët familjarë. Paçka se sasia e energjisë së konsumuar nga familjarët u rrit ndjeshëm, gjendja e gadishmërisë së rrjetit mundësoi shmangien e defekteve dhe sigurinë e furnizimit me energji. Bazuar mbi vendimin e Entit Rregullator të Energjisë u bë i mundur edhe procesi i saktë dhe i drejtë i faturimit në kushtet e izolimit të lëvizjes në të gjithë territorin. OSHEE garanton se asnjë abonent familjar apo biznes nuk është mbifaturuar, përkundrazi, zbatimi i faturimit me vlerë reference për rreth 20% të abonentëve gjatë muajit Mars ka bërë që ata të faturohen më pak se sa konsumi real. Nga faturimi i muajit Prill është garantuar rakordimi i konsumit faktik dy mujor, të çdo abonenti me atë që raportohet dhe fotografohet në matësin e tij nga punonjësi i OSHEE. Numri i ankesave të abonentëve për mbifaturim për 3-mujorin 2020 ka pësuar ulje me 28% krahasuar me një vit më parë. Ankesat për faturimin e muajit Mars janë vetëm 0,3% e faturave të lëshuara nga Operatori i Shpërndarjes për atë muaj. Në përmbushje të paketës së ndihmës së qeverisë në kushtet e pandemisë COVID 19, OSHEE mori vendimin për faljen e kamatëvonesave të krijuara deri në 31 Dhjetor të vitit 2019. Vendimi mundësoi faljen e rreth 135 milion USD për 27,568 abonentë, prej të cilëve 205,228 janë familjarë dhe 22,340 konsumator biznes. Procesi i përfitimit vazhdon edhe aktualisht ndërsa i vetmi kusht është që abonenti të paraqitet në OSHEE për të amenduar aktmarrëveshjen dhe zyrtarizuar faljen e kamatës. Të dhënat si 4-mujor dëshmojnë se Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka mbajtur nën kontroll nivelin e humbjeve, edhe pse në kushtet e emergjencës së shkaktuar nga pandemia. Në këtë periudhë, humbjet në shpërndarje rezultuan 24.3%, pothuajse e njëjta vlerë me atë të një viti më parë. OSHEE mbetet e përkushtuar në realizimin e objektivit të vitit 2020 për reduktimin e nivelit të humbjeve totale nën 21%.

04 Maj

OSSH vijon procesin e leximit të matësave, në fokus janë faturat referencë mars 2020

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, pjesë e OSHEE Group, po vijon normalisht procesin e leximit të matësave elektrikë në rang vendi.

Të ndarë në grupe pune, lexuesit kanë në fokus, ndër të tjera, matësit me kontrata të faturuar me referencë mars 2019, verifikim ky, që mundëson sistemimin (balancimin) e konsumit real të kilovatit. 

OSSH ka marrë masa per te mos vendosur “tarifë shërbimi” (340 dhe/ose 200 lekë) për fatura kreditore, gjithashtu është duke ndjekur me vëmendje të gjithë procesin e leximit në objektet ku ka akses për ta realizuar. 

Ekipi i Lexuesve

Theksojmë sërish se, në muajin mars 2020, në kushte të kufizuara veprimi, me staf të reduktuar, etj, OSSH mundi të lexonte rreth 70% të kontratave, ndërsa pjesa tjetër u faturua duke marë për bazë konsumin e mars 2019, bazuar me vendim të ERE.

Abonentët me fatura “referencë” mund të mos bejnë ankese pasi sistemimi do të kryhet nga vet Operatori, si pasojë e leximit që po zhvillohet aktualisht.

OSSH garanton proces të drejtë dhe transparent faturimi. Askush nuk paguan më tepër nga sa kWh regjistron matesi elektrik, pasi çdo veprim/verifikim realizohet me foto. 

10 Prill

EMERGJENCA COVID-19/ FALJA E KAMATËS, LEXIMI I MATËSIT DHE PAGESA E FATURËS, KREU I OSHEE SQARON ABONENTËT

KAMATA

I ftuar sonte në emisionin “Opinion”, Administratori i OSHEE-së Adrian Çela deklaroi se nga vendimi për faljen e kamatëvonesave përfitojnë në total 227,568 abonentë, prej të cilëve 205,228 janë familjarë dhe 22,340 konsumator biznese të vogla. Shuma totale e falur e kamatvonesave arrin në 15,8 miliard lek ose mbi 135 milion USD.

Sipas Çelës, e rëndësishme është që qytetarët të kuptojnë që “aministia” në këtë rast përfshin vetëm vlerën e kamatëvonesës që abonenti ka në sistem deri në 31 Dhjetor 2019 dhe jo vlerën e kamatëvonesës që një abonent mund të ketë gjeneruar gjatë 3 muajve të fundit. Nëse abonenti nuk e paguan faturën aktuale mujore brenda afatit ai nuk i shpëton dot kamatëvonesës.

“Kusht që ata të përfitojnë faljen e kamatës është që të kenë një aktmarrëveshje valide me OSHEE-në. Ata që nuk e kanë një të tillë por kanë detyrime të vjetra, gjithashtu duhet të nënshkruajnë brenda Qershorit një aktmarrëveshje për të përfituar faljen e kamatës. Që nga dita e hënë, të gjithë ata abonentë që e kanë patur këstin e pagesës së aktmarrëveshjes pas datës 14 duhet të paraqiten në zyrat e OSHEE për të bërë riskedulimin e saj dhe reflektimin e faljes së kamatës”, theksoi Çela.

Për të mundësuar këtë falje dhe për ta regjistruar qytetarin në sistem, sqaroi Administratori i OSHEE, ne kemi punuar me të gjitha kapacitetet të vëmë në punë sistemin online vetëm për këtë rubrikë. Sistemi është testuar këto ditë me specialistet më të mirë dhe është gati të regjistrojë ata që lidhin akt-marëveshjen.

“Unë ju falenderoj veçanërisht që na krijoni mundësinë që përmes emisionit tuaj Opinion i cili ndiqet gjërësisht t’i njoftojmë qytetarët për këtë mundësi. Ka ndodhur shumë shpesh që nuk është përfituar nga uljet apo amnistitë sepse njerëzit mendojnë se këto aktivizohen automatikisht. Kjo nuk ndodh, ndaj ky informim i qartë ka shumë vlerë. Ai që e ka një aktmarrëveshje duhet të paraqitet menjëherë dhe brenda Prillit të kryejë riskedulimin e saj me faljen e kamatës të reflektuar. Ai që ka një borxh të akumuluar por nuk ka një aktmarrëveshje duhet të paraqitet brenda Qershorit të nënshkruajë atë dhe të përfitojë njësoj nga falja e kamatës”, nënvizoi Çela.

Nga dita e Hënë, secili prej këtyre përfituesve ka mundësinë që të paraqitet në sportelet e OSHEE dhe të sanksionojë hyrjen në fuqi të faljes së vlerës së kamatës së krijuar deri më 31 Dhjetor 2019.

LEXIMI I MATËSIT

Në lidhje me shqetësimet e qytetarëve që në këto kushte izolimi mund të ketë faturim jo të drejtë të energjisë për familjarët dhe bizneset apo siç është pretenduar faturim aforfe, Çela dha për publikun rastet e faturave reale të bizneseve dhe të familjarëve.

“Pretendimet për faturim aforfe janë plotësisht të pavërteta. Teknikisht, faturimi aforfe përdorej kur abonenti nuk kishte një matës të instaluar. Prej vitesh ne e kemi zhdukur faturimin aforfe pasi kemi pajisur të gjithë abonentët me matësa”, sqaroi Çela.

Sipas tij, për shkak të situatës së krijuar dhe kufizimit të lëvizjes, punonjësit e OSHEE janë përballur me pamundësinë për të kryer leximin e matësit për të gjithë abonentët. Muajin e fundit është kryer leximi për mbi 66% të abonentëve ndërsa pjesa tjetër bazuar mbi vendimin e ERE janë faturuar me vlerë reference të konsumit.

Çdo abonent e ka të thjeshtë të verifikojë se si është faturuar. Mjafton që ai të shohë faturën, nëse sasia e kilovatëve është shënuar tek ‘energji e matur’ do të thotë që matësi është lexuar dhe fotografuar nga OSHEE. Nëse sasia e kilovatëve është shënuar tek ‘energji vlerë referuese’ ai është faturuar me të njëjtën vlerë të paguar në Mars 2019.

“Konsumatorët shërbime, biznese që nuk do mund tu kryhet leximi do të faturohen me gjysmën e vlerës së paguar prej tyre në Mars 2019, çka përkon me ditët që kanë qenë në aktivitet gjatë muajit që sapo mbyllëm”, u shpreh Çela.

Marrë në konsideratë faktin se qytetarët janë në kushtet e karantinës, të ngujuar 24 orë në shtëpi, konsumi i tyre real për Mars 2020 është shumë më i lartë se sa ai i Mars 2019 çka bën që aplikimi i vlerës së referencës ti bëjë të paguajnë më pak se sa kanë konsumuar në këtë muaj.

“Për këto raste të aplikimit të vlerës së referencës, në leximin e muajit pasaardhës bëhet balancimi, pra sistemimi i faturës. Ky proces do të kryhet automatikisht nga vet OSHEE, pa patur nevojë për një kërkesë/ankesë nga abonentët. Në çdo rast, abonenti paguan vetëm për atë energji që e ka të regjistruar në sistemin e tij të matjes dhe asgjë më tepër”, tha Çela.

Shembulli i parë ilustrues i dhënë nga Çela ishte ai i një abonenti të cilit i është lexuar dhe fotografuar normalisht matësi. Si ky rast është kryer faturimi plotësisht i saktë për 66% të abonentëve. “Duke qenë se qytetari ka qenë 24 orë në shtëpi, natyrisht që ai ka konsumuar më shumë energji. Përshembull, abonenti familjar me inicialet H.S. nga Gjirokastra me numër kontrate 034275 ka konsumuar 596 kilovat. Matësi është fotografuar dhe shuma që ai duhet të paguajë është 7,008 lekë. Një vit më parë, në Mars 2019 ai ka paguar 3,759 lekë sepse ka shpenzuar vetëm 321 kilovat”, nënvizoi Çela ndërsa bëri thirrje që qytetarët të përpiqen të reduktojnë konsumin në kushtet e izolimit.

Shembulli i dytë ilustrues ishte ai i faturimit me vlerë reference të një biznesi në pamundësi për të kryer leximin e matësit në terren. “Abonenti biznes me numër kontrate 050778 në Pogradec. Ky subjekt ka qenë në ushtrim aktiviteti vetëm dy javë ndaj ai faturohet me vlerë reference gjysmën e konsumit të realizuar në Marsin e vitit 2019. Konkretisht, një vit më parë, në të njëjtin muaj ai ka konsumuar 12320 kilovat dhe fatura ishte 207,076 lekë. Faturimi për Mars 2020 për këtë subjekt është me 6160 kilovat dhe fatura ka shumën 103,588 lekë”, theksoi Çela.

Shembulli i tretë ilustrues ai i faturimit me vlerë reference të një abonenti familjar. “Kemi qytetarin me inicialet P.F. banues në Berat me numër kontrate 02961. Në pamundësi leximi të matësit ai është faturuar me të njëjtën vlerë të konsumuar prej tij në Mars 2019. Një vit më parë për të njëjtën periudhë ai ka paguar për 579 kilovat shumën 6,700 lekë. Aktualisht ai është faturuar për Mars 2020 me po 579 kilovat dhe po me 6,700 lekë”, sqaroi Çela.

Çela theksoi që s’duhet t’i lëmë vend asnjë spekulimi panikues pasi OSHEE garanton faturimin korrekt të abonentëve dhe në asnjë rast ata nuk do të paguajnë asnjë kilovat më shumë se sa kanë shpenzuar.

Sipas tij, OSHEE po sakrifikon edhe pagat e disa punonjësve të saj që të mbajë peshën e rëndë të situatës.

PAGESA E FATURËS

Pasi ju përgjigj shqetësimeve të qytetarëve të përcjella në emisionin “Opinion” të gazetarit Fevziu, Çela qartësoi edhe pikëpyetjet mbi rrezikun e furnizmit me energji.

“Çdo konsumator i energjisë elektrike, familjar apo biznes, duhet të paguajë rregullisht dhe brenda afatit faturën e konsumit mujor. Kjo është e vetmja mënyrë se si Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike mund të garantojë qëndrueshmërinë dhe vazhdimësinë e furnizimit me energji”, u shpreh Çela.

Falë rikthimit të ligjshmërisë në konsumin e energjisë elektrike, theksoi Çela, OSHEE ka mundur që të përballojë edhe situata të tejzgjatura të mungesës së prodhimit nga Kaskada e Drinit dhe mbulimit me energji të shtrenjtë importi. E gjitha kjo pa rënduar në Buxhetin e Shtetit.

“Sot kemi 52% më pak defekte në rrjet dhe koha e riparimit të tij është ulur gjithashtu me 27% duke e bërë reagimin më të shpejtë”, tha Çela.

Ai këmbënguli se OSHEE është e vendosur të bëjë gjithçka për të garantuar furnizimin të qëndrueshëm me energji dhe shërbim sa më korrekt ndaj qytetarëve.

“Nëse ka mundësi 1 në 1 milion për energji, ajo energji do të shkojë në shtëpitë e shqiptarëve.
Nga ana tjetër, ju gazetarët jeni të rëndësishëm sepse bëni të mundur të përfshini qytetarët në këtë bashkëveprim të domosdoshëm. Pa korrektesën e tyre minimale ne nuk ekzistojmë dot të tillë”, nënvizoi Administratori i OSHEE.

31 Mars

Leximi i matësit dhe procedura e faturimit në kushtet e emergjencës Covid-19

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka hartuar njëplan veprimi për mënyrën se si do të kryhet leximi i konsumit tëenergjisë elektrike në zbatim të Aktit

Normativ të qeverisë për marrjen e masave të veçanta gjatëkohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19.  

Në kushtet kur masat e marra nga qeveria kanë kufizuar edhe mundësinë e lëvizjes normale për punonjësit e OSHEE, kompania i është drejtuar Entit Rregullator të Energjisë i cili ka miratuar edhe vendimin përkatës mbi të cilin do të kryhet procedura e leximit dhe faturimit në këtë periudhë. 

Sipas një praktike të njohur e të zbatuar në shumë vende të tjera, OSHEE do të aplikojë vlerat referencë të konsumit për ato raste kur do ta ketë të pamundur leximin fizik të matësit. 

Rreth 70% të abonentëve familjarë do tu lexohet matësi nga ekipet tona në terren. Për 30% të abonentëve të tjerë për të cilët ky proces do të jetë i pamundur, do të aplikohet vendimi i ERENr. 58, dt.26.03.2020 për faturimin me vlerë reference. Vlera e referencës është sasia e energjisë së konsumuar nga abonenti për të njëjtin muaj të një viti më parë, pra Mars 2019. Për këto raste, sqarojmë se në leximin e muajit pasaardhës do të bëhet balancimi, pra sistemimi i faturës. Ky proces do të kryhet automatikisht nga vet OSHEE, pa patur nevojë për njëkërkesë/ankesë nga abonentët.

Për subjektin jo familjar OSHEE siguron lexim dhe verifikim të matësit për afro 90% të abonentëve. Për pjesën e mbetur do të aplikohet sërish vendimi i ERE-s për vlerë reference.

Referuar kategorisë njësi shërbimi (si bare, restorante, noteri, etj.), të cilat rezultojnë të mbyllura në zbatim të Aktit Normativ dhe ku nuk është e mundur aksesimi i sistemit të matjes, OSHEE do të aplikojë vlerë referencë zëvendësuese vetëm për ditët qëkanë patur aktivitet, pra kanë qënë hapur.

Në muajin pasardhës, OSHEE do të mund të kryejë leximin faktik të matësit për këta abonentë dhe do të kryejë sistemimin e faturimit. Në çdo rast, abonenti do të paguajë vetëm për energjinë e cila është konsumuar prej tij dhe që është e reflektuar në matës.

Bazuar edhe në praktikat ndërkombëtare të cilat e zbatojnë gjërësisht faturimin me vlera reference mbi muaj me karakteristika dhe konsum të njëjtë, OSHEE garanton se do të kryejë leximin e konsumit me cilësi dhe standard.

Vendimi i ERE për faturimin referencë mars 2019

30 Mars

Falja e kamatëvonesave, OSHEE sqaron skemat se si mund të përfitohet

👉 Në kuadër të planit të hartuar nga qeveria për zbutjen e efektit negativ që krijon përballimi i emergjencës mjekësore të shkaktuar nga Covid-19, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka vënë në zbatim paketat lehtësuese për klientët debitorë.

👉Masat lehtësuese përfshijnë borxhet e vjetra të akumuluara dhe nuk kanë të bëjnë me detyrimin e abonentëve për të paguar faturën e rregullt të konsumit mujor të energjisë i cili mbetet i njëjtë.

👉Ndërkaq, nga vendimi për faljen e kamatëvonesave përfitojnë në total 227,568 abonentë, prej të cilëve 205,228 janë familjarë dhe 22,340 konsumator biznes. Shuma totale e falur e kamatvonesave arrin në 15,8 miliard lek ose mbi 135 milion USD.

Bazuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave, Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU Sh.A), pjesë e OSHEE Group, sqaron median dhe opinionin publik për sa vijon:

1. Pagesa e faturës mujore✔️

Çdo konsumator i energjisë elektrike, familjar apo biznes, duhet të paguajë rregullisht dhe brenda afatit faturën e konsumit mujor. Kjo është e vetmja mënyrë se si Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike mund të garantojë qëndrueshmërinë dhe vazhdimësinë e furnizimit me energji.

Stafi i OSHEE në qendrat e Kujdesit ndaj Klientit punon me turne, çdo ditë nga #ora 06:00 deri në 13:00, me përjashtim të ditës së dielë.

Për të shmangur rradhët dhe kontaktet e shpeshta, çdo abonent mund të shfrytëzojë kanalet alternative për pagesën e faturës mujore të energjisë: Sportelet e #Postës Shqiptare; bankat e nivelit të dytë; pikat e transfertave të parave dhe kudo ku është e vendosur logo OSHEE – Këtu paguhet fatura e energjisë elektrike. Abonentët mund të shfrytëzojnë edhe hapësirat online përmes faqes zyrtare të OSHEE, portalit qeveritar E-Albania dhe aplikacionet Banking Mobile.

2. Skema e faljes së kamatave për abonentët debitor✔️

Furnizuesi i Shërbimit Universal (#FSHU), pjesa e OSHEE Group, ka hartuar paketat specifike përmes të cilave abonentët debitore do të mund të përfitojnë falje të kamatvonesave.

a) Kategoria e parë e përfituesve

Rezultojnë 90,194 abonentë, prej të cilëve 88,518 janë familjarë dhe pjesa tjetër subjekte biznesi, që aktualisht kanë një aktmarrëveshje me OSHEE për shlyerjen me këste të borxheve të akumuluara, krahas pagesës së faturës mujore.

Për këta abonentë, OSHEE ka vendosur të zbresë plotësisht vlerën e kamatvonesës së krijuar deri më 31 Dhjetor 2019. Shuma totale e falur për këtë kategori kap vlerën e 46 milion USD. Pjesa kryesore e kësaj shume, rreth 41 milion USD ka si përfitues abonentët familjarë ndërsa pjesa e mbetur konsumatorët e regjistruar si biznes.

Për të gjithë këta 90,194 mijë abonentë, OSHEE do të riskedulojë menjëherë aktmarrëveshjet aktuale duke u kryer zbritjen e kamatëvonesës së akumuluar deri në 31 Dhjetor 2019 dhe tanimë të falur.

Klientët familjar të cilët paguanin aktualisht sipas aktmarrëveshjeve përkatëse këste mujore 2500, 2800 apo 4200 lekë/muaj do të përfitojnë nga falja e kamatës duke paguar tashmë këste të reduktuara në vlerën 2000 lekë/muaj.

Kategoria e familjeve në nevojë, pensionistëve dhe të papunëve që paguanin aktualisht sipas aktmarrëveshjeve përkatëse këste prej 1200 ose 1800 lekë/muaj do të përfitojnë nga falja e kamatës duke paguar tashmë këste të reduktuara në vlerën 1000 lekë/muaj.

Abonentët biznes të cilëve u falet kamatvonesa e krijuar deri më 31 Dhjetor 2019, do të paguajnë tashmë këstet mujore të shlyerjes vetë të vlerës së principalit.

Afati për faljen e kamatëvonesës dhe riskedulimin e aktmarrëveshjeve të kësaj kategorie abonentësh është brenda 30 Prill 2020.

b) Kategoria e dytë e përfituesve

Sipas të dhënave të sistemit, rezultojnë 137,374 mijë abonentë debitorë (familjarë dhe biznese) të cilët nuk kanë një aktmarrëveshje të nënshkruar me kompaninë për shlyerjen e detyrimit të mbartur.

Këtyre abonentëve do tu ofrohet mundësia të jenë gjithashtu përfitues të faljes së kamatvonesës së krijuar deri më 31 Dhjetor 2019.

👉Për të përfituar faljen e kësaj vlere të kamatës, brenda datës 30 Qershor 2020 (nëse nuk ka reduktime të mëtejshme të orareve të qarkullimit), ata duhet të lidhin një aktmarrëveshje me kompaninë dhe të dakordësohen për të paguar me këste vetëm principalin e akumuluar deri në fund të vitit 2019. Shuma totale e pritshme për tu falur për këtë kategori konsumatorësh arrin në mbi 89 milion USD.

29 Mars

Vazhdon procesi i leximit të matësave nga punonjësit e OSSH

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) po ndjek me kujdes procesin e leximit të matësave, në kushtet kur vendi ndodhet në emergjence mjekësore Covid-19.
Grupet e lexuesve janë njohur me grafikun e ndarjes së detyrave, duke patur si objektiv mbulimin e sa më shumë zonave.
Sikurse shihet nga fotot e realizuara këto ditë, me masa mbrojtëse dhe pajisjet e punës, po vijon procesi i leximit të matësave, me qëllim realizimin e një shërbimi sa më cilësor të faturimit.