Back
20 Tetor

1 vit nga aksioni për ligjshmërinë në energji, Çela: Çrrënjosëm përfundimisht traditën e abuzimit

12038670_586197231535488_4128970696972144757_o

 

Fjala e plotë e administratorit të OSHEE, z.Adrian Çela, gjatë aktivitetit “Ligjshmëria në energji- rezultatet e një viti”

Zoti Kryeministër,

Të nderuar Ministra,

Të nderuar të pranishëm,

 

Një vit më parë, kur u prezantua publikisht dhe filloi operacioni për rivendosjen e ligjshmërisë në konsumin e energjisë elektrike, nuk munguan skeptikët.

Pas 24 vitesh trajtim të energjisë si “mall pa zot”, ishin jo të paktë ata që e mendonin se çdo nismë për të ndryshuar këtë situatë do ishte dështim i sigurtë.

Sot, jemi një vit më pas. Ajo çka mendohej e pamundur ndodhi! Mjaftoi vullneti politik dhe vendosmëria e qeverisë për të çrrenjosur njëherë e mirë këtë traditë të shëmtuar të abuzimit me energjinë elektrike.

Bashkëpunimi mes institucioneve respektive shtetërore ishte mekanizmi që shkundi “status quo”-në që po e gërryente sistemin energjitik dhe Buxhetin e Shtetit.

Pjesë e këtij suksesi janë padyshim qytetarët shqiptarë, ata që zgjodhën ti japin fund paligjshmërisë dhe të formalizoheshin si konsumatorë të rregullt të energjisë elektrike.

Treguesit statistikore e dëshmojnë më qartë atë çka ka ndodhur me sektorin energjitik në tërësi dhe kompaninë e shpërndarjes në veçanti.

Në 9-Mujorin e vitit 2015 janë arkëtuar 500 milion USD. Thënë ndryshe, janë 150 milion më shumë se një vit më parë dhe 200 milion më shumë se në vitin 2013.

Përqindja e arkëtimit në raport me faturimin në vitin 2013 ishte në vlerën 77.6% ndërsa këtë vit ajo arrin në 112%.

 Në dy vitet e fundit janë arkëtuar 99.5 miliard lekë ku 1/3 e tyre i përkasin borxheve të vjetra.

Dy vjet më parë, arkëtimi i faturës korente ishte në masën 66.5% ndërsa aktualisht ai arrin në 83.3%.

 Kompania është treguar e vendosur edhe në drejtim të reduktimit të nivelit të humbjeve. Efekti i uljes së humbjeve në dy vitet e fundit ka kursyer 53 milion euro duke reduktuar shpenzimet për importin e energjisë.

Nëse në vitin 2013 humbjet e 9-Mujorit ishin 43.4%, këtë vit ato kanë zbritur në 31.1%. Muaji Shtator ishte një rekord historik ndërsa humbjet u ulën në 25%.

Duke e cilësuar si një ndër shkaqet e fundosjes së sektorit energjitik, qeveria dhe kompania e shpërndarjes refuzuan praktikat e amnistive për borxhet e trashëguara.

Gjithësesi, duke marrë në konsideratë situatën ekonomike me të cilën ndeshen familjet shqiptare, OSHEE ofroi skemat lehtësuese për shlyerjen e borxheve.

Kjo qasje fleksibël e kompanisë u krijoi mundësinë mbi 358 mijë qytetarëve të firmosin aktmarrëveshje për shlyerjen e borxheve me këste.

Mbi 200 mijë abonentë përfituan ulje me 80% të kamatës, 129 mijë zgjodhën ta paguajnë borxhin me këste 2500 lekë/muaj ndërsa 28 mijë familjarë në skemën e ndihmës ekonomike përfituan nga këstet me 1000 lekë/muaj.

Janë 200 mijë abonentë që sëbashku kanë përfituar 40 milion USD zbritje të kamatvonesave si rezultat i zbatimit të kësaj skeme lehtësuese.

Pak ditë më parë, OSHEE ofroi të tjera skema. Një e tillë është e vlefshme edhe për biznesin të cilit tanimë i reduktohet kamata me 50% nëse paguan njëherësh gjithë detyrimin. Për familjarët, kamata reduktohet me 70% nëse e paguan direkt detyrimin dhe 50% nëse e shlyen brenda 6 muajve nga lidhja e aktmarrëveshjes.

Shtimi i kontrolleve dhe verifikimeve në terren ka çuar në regjistrimin e 33 mijë kontratave të reja vetëm gjatë vitit 2015. Njerëz që konsumonin energji por deri dje nuk njiheshin fare nga sistemi.

Rritja e qëndrueshme e nivelit të arkëtimeve dhe ulja drastike e humbjeve ka çuar në përmirësimin e ndjeshëm të treguesve ekonomik të kompanisë.

Në vitin 2012, shoqëria rezultoi me bilanc negativ -38 miliardë lekë. Këtë vit, pritet që bilanci i kompanisë të arrijë mbyllet pozitiv me rreth 10 miliardë lekë.

 OSHEE nuk është më barrë për Buxhetin e Shtetit, por një kontributore me rreth 3% të të ardhurave tatimore e doganore. Gjatë këtij viti janë paguar tre herë më shumë taksa krahasuar me dy vite më parë.

Blerja e energjisë me çmime më të ulëta dhe gara më konkuruese i ka kursyer OSHEE-së dhjetra miliona euro krahasuar me një vit më parë.

Transformimi i kompanisë së shpërndarjes në këtë periudhë ka ndryshuar edhe sjelljen e qytetarëve ndaj saj. Ata që deri dje nuk e paguanin energjinë ishin më indiferentë nga ndërprerjet e saj. Teksa e paguajnë, sot qytetarët me të drejtë kërkojnë një cilësi më të lartë dhe garanci të furnizimit me energji.

Është naive të mendosh se për një vit do mund të përmirësohej plotësisht rrjeti i shpërndarjes e nuk do të kishte defekte apo shkëputje të energjisë.

Fatkeqësisht ende ka fenomene të tilla pasi rrjeti i shpërndarjes është tejet i amortizuar. Ky nuk duhet parë si një justifikim por pranim i realitetit dhe shtysë për të ndryshuar sa më shpejt situatën.

Në dy vitet e fundit po investohen në rrjetin e shpërndarjes aq para sa nuk janë investuar për pesë vite rresht, nga 2009-2013.

Në rajonin e Tiranës ka filluar investimi në vlerën 2.5 miliard lekë. Rikonstruktuam n/stacionit Qendër, me pajisje moderne, që tashme i vjen në ndihmë dy n/stacioneve e tjera të kryeqytet, atij të Selitës dhe Traktora.

Për Tiranën qytet, pas më shumë se 10 vitesh, kanë nisur investimet në disa zona kryesore, si Don Bosko, Vasil Shanto, Selitë, Rruga e Kavajës, qyteti Studenti, Oxhaku, ish-Kinostudio.

Vëmendje i kemi kushtuar zonave të urbanizuara vitet e fundit, si Babrru-Paskuqan-Bathore, Shkozë, Mëzes, në të cilat OSHEE po vendos linja, shtylla, kabina dhe transformatorë të rinj. Linja do të jetë e gjitha 20 kv, nga 6 që është aktualisht, me vlerë investimi 1.7 miliardë lekë.

Në Durrës kemi rreth 863 milionë lekë investime. Jemi duke investuar në Spitallë dhe në zonën e Durrësit të ri (ish Këneta), duke zëvendësuar të gjithë rrjetin 6 kv më linjë të re 20 Kv, kabina dhe linja ABC.

Po investojmë për një rrjet të ri e të sigurt në Vlorë dhe zonat bregdetare përreth, me 64 milionë lekë. Në Fier po investohen 410 milionë lekë ndërsa në Elbasan vlera e projekteve arrin në 100 milionë lekë,

Investime të konsiderueshme po kryhen edhe në zonën e Shkodrës dhe Korçës ku po rikonstruktohen linjat problematike me rrjet të amortizuar.

Në fokus të OSHEE janë investimet në bregdet dhe zonat turistike pritet të fillojnë punimet nga Saranda dhe Himara deri në Shëngjin e Velipojë.

Natyrisht investimet duan kohën e tyre për të dhënë efekt. Një pjesë e tyre do të nisë të ndjehet në vitin 2016 ndërsa pjesa dërrmuese në vitin 2017.

Jam i sigurtë se një kompani që ecën me ritmin e reformës ka mundur të zgjojë interesin e donatorëve dhe partnerëve.

 Përveç fondeve të projektit të Bankës Botërore, OSHEE ka mundur të përfitojë edhe fonde nga donator të tjerë si KfË me 20 milion euro apo Kooperacioni Italian me 8 milion euro.

Një pikë nevralgjike e kompanisë është padiskutim Shërbimi i Kujdesit ndaj Klientit. Nuk duhet harruar se trashëguam një mal me ankesa e një frymë konkliktuale mes kompanisë dhe qytetarëve.

Me riorganizimin e strukturave që menaxhojnë rrjetin e sporteleve të Kujdesit ndaj Klientit, kemi bërë të mundur trajtimin mbi 85 mijë ankesave të abonentëve gjatë vitit 2015.

Për 82 mijë raste është dhënë zgjidhje dhe në 71 mijë prej tyre e drejta ka anuar nga pretendimet e konsumatorit.

OSHEE ka përfunduar realizimin e dixhitalizimit të arkiv/protokollit, ku çdo dokument do të kërkohet dhe gjendet lehtë përmes sistemit elekronik.

Konsumatorëve u është krijuar mudnësia të kryejnë kërkesë/ankesën përmes internetit dhe madje të shohin statusin e çështjes së tyre. Ky projekt pilot po zbatohet në Elbasan, Durrës dhe Tiranë ndërsa në 2016-n do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë.

Duke tentuar ti jepet zgjidhje një tjetër burimi ankesash, OSHEE po punon për vendosjen e matësve elektronike që i japing fund abuzimit dhe leximit manual të konsumit të energjisë.

Në kuadër të përpjekjeve për përmirësimin e shërbimit të klientit, OSHEE ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm që lidhen më përditësimin e të dhenave të konsumatorëve.

Po punohet për riorganizimin e shërbimit të klientit duke krijuar mundësinë për shërbimin (One Stop Shop) që do të reduktojë zvarritjet në zyrat e kompanisë.

Synohet reduktimi i kohës së përgjigjes ndaj konsumatorit për ankesa kërkesa dhe lehtësim i procedurave operacionale. Shumë shpejt do të prezantohen teknologjitë e reja për ndjekjen e ecurisë së kërkesave e ankesave dhe kontrollin e afateve të përgjigjeve.

Aktualisht, jemi duke punuar për përditësimin e të dhënave të klientit, proces që ka nisur me rreth 100 mijë kontrata provizore. Kjo nismë përfundon brenda këtij viti dhe ftoj abonentët që kanë kontrata provizore ti kthejnë ato pa pagesë në permanente.

 Si administrator i Operatorit të Shpërndarjes duhet të shpreh falenderimin tim për qytetarët e ndershëm të cilët e mbështetën dhe po vazhdojnë ta bëjnë realitet rimëkëmbjen e sektorit energjitik.

E vlerësoj të paçmueshëm rolin e Kryeministrit Rama, Ministrave Gjiknuri e Tahiri në këtë rrugëtim jo pa pengesa për shëndoshjen e OSHEE-së.

Ky angazhim, ka shërbyer si nxitje edhe për mijëra burra e gra që si pjesë e OSHEE-së punojnë çdo ditë për ti ndërruar imazhin kompanisë e për të qenë sa më pranë qytetarit.

Ata që e mendonin rizgjimin e OSHEE-së si një aksion të përkohshëm stinor sot provojnë të kundërtën.

Rivendosja e ligjshmërisë në konsumin e energjisë elektrike është beteja e çdo dite.

 

Faleminderit,

03 Shtator

Intervista e Administratorit Adrian Çela për VOA: OSHEE financon investimet e veta

celaNë Tiranë, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka nisur të financojë investimet e veta sapo gjendja e tij financiare u përmirësua me arkëtimet e faturave të vjetra.

 

Administratori i Kompanisë, Adrian Çela, thotë se gjendja teknike e rrjetit elektrik është e rëndë prej shkatërrimit të viteve dhe ndërhyrjeve të shumta abuzive.

Ai tha se zona Tiranë – Durrës ka konsumin dhe humbjet më të mëdha, por kompania po investon në të gjithë territorin, sipas një plani rimëkëmbjeje, të hartuar me Bankën Botërore.

Zëri i Amerikës: Në fillim, një pyetje për faturat e prapambetura të energjisë. Ju gjetët një situatë të vështirë. Sa keni arritur të mblidhni nga faturat e printuara, duke lënë një herë mënjanë energjinë e pafaturuar?

Adrian Çela: Ka një përmirësim të ndjeshëm të pagesave nga abonentët. Të ardhurat e kompanisë janë rritur ndjeshëm si nga pagesat e prapambetura ashtu edhe nga masat e tjera administrative. Ndergjegjësimi i qytetarëve është rritur po ashtu. Abonentët familjarë po i përgjigjen faturës korente 0-30 ditë deri në 70-72 për qind. Në 0-90 ditë niveli i pagesave është 92-93 për qind. Jemi në niveln afër synimit të këtij viti. Vitin e ardhshëm synimi është të shkojmë në 95 për qind. Këto është një shifër e paimagjinueshme në vitet e kaluara, por as në periudhën nëntor-dhjetorin e kaluar, kur ne përgatitëm planin e veprimit për rimëkëmbjen e kompanisë. Për ne është një rezultat surprizues i punës së punonjësve të OSHEE-së për të evituar abuzuesit, lidhjet e paligjshme, difektet etj.

Zëri i Amerikës: Cilat janë planet tuaj mbi përdomin e këtyre parave?

Adrian Çela: Paratë që po mbledhim nga faturat ne po ua kthejmë përsëri qytetarëve me një seri investimesh që kanë nisur dhe që janë gati për t’u nisur. Faza e parë e tyre përfundon ndërmjet muajve dhjetor dhe shkurt. Ato do të japin menjëherë efekt në cilësinë e shërbimit me energji, në uljen e humbjeve teknike dhe jotektike. Arkëtimet e kompanisë për muajin korrik – të ardhurat në total arritën 5.1 miliardë, nga të cilat për faturën korente ishin diku 4.9 miliardë lekë. Krahasuar me 2014 jemi 1.4 miliardë më shumë se sa një vit më parë, dhe 1.7 miliardë më shumë se e njëjta periudhë e 2013. si 7-mujor, nga 1 janar deri në 31 korrik kemi shënuar 40 miliardë lekë arkëtime nga fatura korente, pa futur këtu të ardhurat nga lidhjet e reja. Edhe muaji gusht, i cili e kishte planin e të ardhurave 4.3 miliardë lekë, në fakt u arritën 5.07 miliardë lekë arkëtime nga faturat. Këto tregues janë 17 miliardë më shumë se 2013 apo 13 miliardë më shumë se 2014. në tërësi janë rreth 100 milionë dollarë më shumë se 2014 dhe 140 milionë dollarë më shumë se 2013.

Zëri i Amerikës: Sa është niveli i humbjeve të energjisë elektrike dhe si po i shmangni ato?

Adrian Çela:  Ne kemi regjistruar në muajin korrik nivelin e humbjeve në 30.6 për qind, ndërsa si 7 mujor jemi në nivelin 32.1 për qind. Synimi ynë është mesatarja vjetore e humbjeve do të jetë rreth 31.8 për qind. Krahasuar me 2014, humbjet ishin rreth 39 për qind, ndërsa në 2013 humbjet ishin 45 për qind. Në situatën aktuale kompania nuk ka asnjë nevojë për t’iu injektuar të ardhura nga buxheti i shtetit, sepse është e vetë-financueshme. Kompania mund të financojë vetë blerjen e energjisë – deri në korrik jemi 40 milionë euro më pak blerje energjie për konsum nga importi, dhe këto para po investohen në infrastrukturë, jo vetëm në riparimin e difekteve por edhe në rifreskimin e atij sistemi energjitik tejet të kalbur që kemi sot në Shqipëri. Në shumë cepa të vendit mjafton një erë, një shi apo një fortunë ndodhin difekte, sepse sistemi që ne kemi trashëguar në këto zona është shumë i dobët. Në fakt, aty nuk ka sistem energjitik, atje ka vetëm tela elektrifikimi, tela që janë qysh në kohën e elektrifikimit. Kësaj gjednjeje ne po i përgjigjemi me një plan të qartë investimesh që kemi nisur për një peirudhë 3-vjeçare, kemi llogaritur nevojat që do të ketë ky sistem, ku duhet të insistojë kompania dhe fitimin për sa kohë këto investime do të na kthehen mbrapsht si të ardhura dhe pakësim humbjesh, dhe si përmirësim të cilësisë së shërbimit, që është kryesori, me tensionin normal, sipas standartit.

Zëri i Amerikës: Sa janë ulur humbjet jo-teknike? Sa ndikojnë ato në gjendjen e kompanisë?

Adrian Çela: Nga nëntori i kaluar kompania ka nisur një operacion të përditshëm për prerjen e lidhjeve të paligjshme, matësat e dëmtuar, vendosjen e matësve të rinj në banesa pa matës, investimet e reja me sistemin ABC, i cili nuk lejon ndërhyrjet në rrjet për vjedhje. Nga dhjetori kemi instaluar rreth 45 mijë matës, deri në dhjetor kemi në plan të instalojmë rreth 60-70 mijë matës të tjerë njëfazorë e trefazorë. Brenda 6-mujorit të parë të vitit tjetër 2016, sipas afatit ligjor dhe vendimit të ERE-s, por ne besojmë se mund ta arrijmë më shpejt, nuk do të ketë më faturim aforfe. Çdo abonent do të ketë matësin dhe faturimi aforfe do të zhduket.

Për humbjet teknike, gjithë riparime dhe investimetë fundit, po bëhen me teknologji moderne, sistemi SKADA, apo sisteme të tjera për monitorimin në distancë apo në kohë reale të ngarkesave të rrjetit. Kemi nisur investimet në sistemin e nënstacioneve sepse ato janë një nga hallkat më problematike. Ato janë tej mase të vjetër, të amortizuar, në moshë mesatare 38-40 vjeçare, ndaj edhe atje po investojmë.Po ashtu po investojmë një projekt online në marrëdhëniet me klientin. Kompania do të instalojë bankomatë në çdo qytet dhe ata mund të bëjnë pagesat, mund të aplikojnë, mund të shohin fazën e shqyrtimit të ankesave, zyrtarin që po e zgjidh, dokumentacioni, të shohin gjendjen e llogarisë së tyre etj. Të gjitha këto mund të bëhen edhe nga kompjuteri i shtëpisë.

Zëri i Amerikës: A mund të tregoni një gjeografi të dëmtimeve, në cilat zona rrjeti është më i vjetër? Ku po investoni më shumë, sepse edhe popullata ka lëvizur shumë?

Adrian Çela: Gjeografia është gjithëpërfshirëse. Po të merrni listën e investimeve që po kryejmë, ajo është nga Shkodra deri në Sarandë, nga Durrësi deri në Korçë. Zonat më problematike janë investuar më shumë. Njëlloj si i sëmuri, që në fillim ndalet hemoragjia, pasatj kurohet. Pjesa e luanit në këto investime është përqëndruar në zonën e Tiranës sepse kjo përfaqëson 37 për qind të konsumit dhe 37-40 për qind të humbjeve të energjisë në rang republike. Pastaj ëhstë zona e Durrësit që është rreth 14 për qind. Pastaj është pjesa Shkodër-Fier-Vlorë, dhe i gjithë ky aks që përmendëm është rreth 70 për qind e konsumit dhe e humbjeve në rang vendi.

Por nuk kemi lënë pas dore zonat e rregullta që paguajnë rregullisht dhe që nuk kanë difekte si Korça, Gjiroakstra dhe Elbasani. Ne po investojmë në Gjirokastër, Sarandë, me fidera, me nënstacione, ne kabina, që të rregullojmë cilësinë e shërbimit të energjisë. Nuk po investojmë vetëm atje ku ka humbje. Ne po investojmë edhe në zonën e Kukësit, Tropojës.

Ne kemi caktuar edhe investimet për dy vitet e ardhshme të cilat janë një rinovim total i nënstacioneve, të cilat janë 174 dhe prej tyre vetëm 10 janë relativisht të reja- 20 vjeçare- ndërsa pjesa tjetër jaë shumë të vjetra. Po flasim vetëm për investimet me fondet e kompanisë, pa përfshirë ato nga banka Botërore. Në dy vitet e ardhshme kompania do të investojë rreth 220 milionë dollarë. Deri në fund të vitit 2016, sipas planit të rimëkëmbjes energjitike të hartuar me Bankën Botërore, ne duhet ta kemi ulur nivelin e humbjeve teknike dhe joteknike në 26 për qind, dhe në 2017 e me radhë çdo vit të ulet me 5 për qind. Në 2018 duhet të kemi arritur humbje deri 16-17 për qind. Nuk janë vetëm tela, kabina dhe transformatorë, por janë edhe teknologji të reja, që po i futim në përdorim.

Zëri i Amerikës: Si është bashkëpunimi juaj me KESH, OST dhe me shtetet fqinje, Kosova, Maqedonia etj?

Adrian Çela:  Këto janë linjat e interkoneksionit, që i takojnë OST-së. Shqipëria ka qenë e kufizuar me vetëm dy linja interkoneksioni; me Greqinë dhe Malin e Zi. Ka nisur puna dhe brenda vitit tjetër do të jetë aktive linja e interkoneksionit me Kosovën, investim që po kryen OST- ja me ndërmjetësinë e fondit KFV, një investim i vonuar, e dimë arsyen e vonesës, por duhet të ishte aktiv në këtë periudhë.

Në Samitin e Vienës u aprovua dhe linja e interkoneksionit, që do të bëhet me Maqedoninë dhe Shqipëria ka lidhje me gjithë rajonin, pra është në sistemin rajonal: me Maqedoninë linja 400 kvv, me Kosovën, Malin e Zi dhe Greqinë, Shqipëria është e kompletuar sa i përket interkoneksionit dhe kapaciteteve që mund të marrë, të lëvizë, të importojë apo dhe të eksportojë energji. Për sa i përket bashkëpunimit me OST, vlen të përmenden edhe investimet që po bëhen në jug të vendit, në zonën e unazës së jugut dhe perfshin zonën nga Saranda, gjithë bregdetin dhe deri në Korçë, dhe 2 nënstacionet, një në Himarë dhe një në Orikum, dhe ne aty po ndërhymë.

Kemi që në shtator me investime të tjera, që do t’i përgjigjemi brenda 2017 merr fund e gjithë panorama me gjithë ato problematika që janë dëgjuar dhe që kanë vite që dëgjohen për zonën turistike të Shqipërisë: nuk do të dëgjohen më. Por gjendja më e mirë do të paraqitet verën e ardhshme në sajë të gjithë këtyre investimeve që po bën OST në bashkëpunim edhe me OSHEE. Pra, ka një bashkëpunim të pandarë mes 3 komponentëve, KESH, OST, OSHEE. Me KESH demonstrimi më i mirë është sidomos periudha e dimrit, nga shkurti deri në qershor i këtij viti e marrëveshjes që ne bëmë me KESH në rastin e tepricave, që kishte KESH, një marrëveshje që solli një përfitim nga të dyja anët dhe për OSHEE, që e blinte me çmim burse, jo me çmim importi dhe në fund KESH pati një fitim që është deklaruar tashmë, dhe OSHEE pati një kursim, po ta kishte blerë në tregun e lirë, rreth 15 milionë euro. Bashkëpunimi mes tre kompanive është i plotë dhe i padiskutueshëm, Rezultatet kanë filluar të shihen. Sa i takon unazës energjitike të jugut, nga ky bashkëpunim, ajo zonë zgjidhet përfundimisht, sepse tani që flasim atje nuk kalon as linja 110 kvv, as 20 kvv, por ka vetëm një linjë 35 kvv e fillim-viteve 1970.