Back
01 Janar

Deklarata e Operatorit të Shperndarjes së Energjisë Elektrike

Në zbatim të planit të posaçëm të masave për festat e fundvitit, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) informon opinionin publik se po punon intensivisht në terren për të garantuar mbulimin me energji elektrike në të gjithë vendin. Rreth 3 mijë punonjës të OSHEE-së janë angazhuar që prej datës 31 dhjetor 2014 në të gjithë territorin për të eleminuar avaritë në rrjet.
Gjatë 24 orëve të fundit, si pasojë e mbingarkesës nga rritja e menjëhershme e konsumit të energjisë elektrike, ka patur zona ku është stakuar energjia për disa orë, me synim shmangien e pasojave më të rënda në rrjetin e shpërndarjes. Pas kalimit të orarit të pikut dhe shmangies së rrezikut, energjia është rikthyer në të gjitha zonat ku ka patur ndërprerje për shkak të ngarkesës.
Ndërkaq, rrjeti tejet i amortizuar ka krijuar problem në disa zona të thella ku vazhdohet të punohet nga grupet e OSHEE-së për të riparuar avaritë teknike. Kushtet e përkeqësuara atmosferike, ne temperature minus 15 grade kanë vështirësuar ndjeshëm punën e këtyre grupeve në terren për eleminimin e defekteve, kryesisht në zonat e thella veriore dhe juglindore. Në këto ndërhyrje në terren, OSHEE po bashkëpunon ngushtësisht me dispeçeritë e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST) dhe me njësitë e Shtabit të Emergjencave Civile. Moti i keq solli per pasoje demtimin e rreth 60 shtyllave dhe 240 km linje te tensionit te mesem dhe te ulet.
Aktualisht, në Qarkun e Kukësit ka mungesë energjie në fshatrat Geghysen, Degë, Lekbibaj, Grykë Qaje, Kalisë, Topojan dhe Shishtavec. Po punohet në terren për të mundësuar rikthimin e energjisë elektrike dhe riparimin e defektit. Pjesa tjetër e Qarkut ka furnizim normal me energji elektrike.
Në Qarkun e Elbasanit është pjesërisht jashtë pune fideri që furnizon me energji Labinotin; në Përrenjas fideri I Stravajt është jashtë pune; në Rrajcë janë jashtë pune 5 kabina; në Qukës është jashtë pune një kabinë. Në zonën e Librazhdit fideri i Lunikut është pjesërisht në punë dhe po punohet ndërkaq në fiderin që furnizon Hotolishtin, Kodovjatin, Cerrujën, Pishajt dhe Poroçanin.Për eleminimin e këtyre avarive po punohet intensivisht në terren nga grupet e OSHEE-së. Pjesa tjetër e Qarkut ka furnizim normal me energji elektrike.
Në Qarkun e Korçës është pa energji fidri që furnizon Cangonjin për shkak të një defekti në nënstacion dhe rrjetin e tensionit të ulët. Në zonën e Pogradecit mungon energjia përrreth 200 konsumatorë ndërsa në Ersekë janë pa energji rreth 100 konsumatorë në fshatin Panarit ku është vështirësuar ndërhyrja për shkak të bllokimit të rrugës. Në Korçë ka probleme me furnizimin me energjinë komunat Lozhan, Lekas dhe Moglicë. Grupet e OSHEE-së janë në terren për të mundësuar rikthimin sa më të shpejtë të energjisë.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike gjen rastin ti kërkojë ndjesë konsumatorëve për ndërprerjet e energjisë ndërsa angazhohet se duke nisur nga ky vit do të zbatohet një plan konkret investimesh me synim përmirësimin teknik të rrjetit, shmangien e defekteve dhe rritjen e kapaciteteve të shpërndarjes.

24 Dhjetor

Njoftim i OSHEE për datën 25 dhjetor!

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) njofton se qendrat e Kujdesit ndaj Klientit (KNK) si dhe sportelet e pagesës së faturave të energjisë elektrike do të jenë të hapura edhe më datën 25 dhjetor.
Pavarësisht ditës festive, kompania do të vijojë normalisht punën, për t’iu gjendur pranë abonentëve të saj dhe konsumatorëve të energjisë elektrike, në lidhje me ankesat dhe pagesat e faturave.
Gjithashtu, në gatishmëri do të jenë të gjithë grupet e punës, përfshi edhe ata të kontrollit, të cilët do të vijojnë verifikimet në terren për lidhjet e paligjshme.
Ndërkohë, kompania është duke punuar për të zgjeruar sportelet e shërbimit, ku deri më tani për muajin dhjetor, janë hapur 11 qendra të reja të Kujdesit ndaj Klientit, si dhe po planifikohen edhe 21 të tjera, në rang vendi.

23 Dhjetor

Aksioni i OSHEE në Krujë

Pas një analize të hollësishme, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), Drejtoria e Durrësit, nisi një aksion të gjërë kontrolli në qytetin e Krujës, rajon ky problematik me mospagesën e energjisë elektrike.

Aksioni i verifikimit dhe kontrollit u përqëndrua te kabinat që furnizojnë qëndrën e qytetit. Pas matjeve përkatëse, rezultuan anomali te sasitë e raportuara të energjisë.

Kështu, në bashkëpunim me policinë e shtetit, strukturat e Krujës, pas informimit nga OSHEE, bën të mundur identifikimin e tre rasteve, që vidhnin energjinë elektrike, përmes lidhjeve të dyfishta.

Për pasojë, u arrestuan shtetasit, Avdi Vathi, Enver Shullazi dhe Luan Hoxha, pronarë subjektesh private.

Aksioni po vijon ende, ndërsa është shtrirë edhe në rrethinat e qytetit.

17 Dhjetor

OSHEE shpall online vendet vakante

Deklaratë e administratorit të përgjithshëm, z.Adrian Çela!

Përshëndetje,
Jam sot përpara jush për të njoftuar se kemi filluar shpalljen e vendeve vakante të pozicioneve të ndryshme pranë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

I bëj thirrje të gjithë inxhinierëve, elektricistëve, specialistëve të mesëm e të lartë në fushën e energjisë elektrike të aplikojnë për tu bërë pjesë e strukturave të OSHEE.

Për këtë qëllim, ne kemi vënë në funksion një portal special online permes të cilit mund të bëhen aplikimet. Për çdo vend vakant kemi publikuar specifikimin e përshkrimit të detyrës që ofrohet dhe çdokush që është i interesuar të jetë pjesë e ekipit të OSHEE, i përkushtuar, i ndershëm dhe i ndërgjegjshëm për rëndësinë që ka pozicioni të aplikojë përmes faqes zyrtare www.oshee.al.

Ne kemi ngritur komisionet e rekrutimit, të cilët do të administrojnë CV-të që do të ngarkohen në faqen e internetit nga aplikantët. Procedurat për të aplikuar janë të qarta, të shpallura në faqen e internetit.

Theksoj edhe një herë që në OSHEE do të gjejnë vend për të punuar vetëm ata që janë të bindur për misionin tonë të reformës kundër abuzimeve, vjedhjes së energjisë dhe të ofrimit të shërbimeve sa më cilësore.

Përfitoj sërish nga rasti për të falënderuar edhe njëherë të gjithë qytetarët shqiptarë që po përgjigjen pozitivisht duke paguar detyrimin e tyre për energjinë elektrike.

15 Dhjetor

OSHEE për detyrimet e drejtuesve të njësive vendore

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) informon opinionin publik se pas kontrollit në sistem të kontratave individuale të 385 drejtuesve të njësive të qeverisjes vendore rezultoi se 122 prej tyre janë debitorë.
Siç u komunikua dhe nga OSHEE në fundjavën e shkuar, këta drejtues vendorë zotëronin 166 kontrata, çka do të thotë se disa prej tyre kanë më shumë se sa një kontratë debitore me kompaninë.

Në kuadër të këtij procesi verifikimi, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike njofton se që prej ditës së shtunë është ndërprerë energjia për 83 kontrata debitore, prej të cilave është rilidhur më pas në 42 raste, pasi u likujdua debia në arkat e kompanisë. Sipas të dhënave të deri mbrëmjes së të dielës, për 41 kontrata që u përkasin 33 drejtuesve vendorë, energjia vazhdon të jetë e shkëputur deri në shlyerjen e detyrimeve të mbartura ndaj Operatorit të Shpërndarjes.
OSHEE sqaron se për 83 kontrata të tjera janë nënshkruar aktmarrëveshjet për shlyerjen e debive me këste, ashtu sikurse në një pjesë prej tyre është likujduar e gjithë shuma e detyrimit.

Gjatë ditës së dielë, në arkat e OSHEE-së janë arkëtuar 10 milionë lekë të reja detyrime të mbartura nga kontratat individuale të drejtuesve të njësive vendore.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike shpreh vendosmërinë për të rivendosur disiplinën e pagesave dhe për të mos toleruar asnjë rast të abuzimit me energjinë elektrike.

Siç është paralajmëruar dhe publikisht, për rastet që nuk do të shlyejnë detyrimet apo nuk do të lidhin aktmarrëveshje, OSHEE-ja do t’i drejtohet Këshillit të Ministrave për marrjen e masave të mëtejshme deri në shkarkimin e këtyre drejtuesve të njësive vendore.

13 Dhjetor

Krerët e komunave, me borxhe ndaj OSHEE

Deklaratë e administratorit të OSHEE, z.Adrian Çela, dhënë për mediat: Të dhënat e deritanishme që vijnë nga të gjitha qarqet e Shqipërisë janë tejet inkurajuese dhe tregojnë se, numri i konsumatorëve të ndërgjegjësuar për të paguar në mënyrë të rregullt energjinë elektrike të harxhuar, është me një rritje të panjohur në njëzet vjet me radhë, gjatë të cilëve fatkeqësisht ka pasur vetëm rënie.Dua të veçoj dhe të përshëndes rastin e rrethit të Tropojës, ku mesatarisht energjia e paguar ishte 3 milionë lekë të reja në muaj.

Vetëm në 12 ditët e para të dhjetorit, në Tropojë janë arkëtuar 26 milionë lekë të reja.

Çka tregon se edhe në qarkun e Tropojës ku pagesa e energjisë ishte në nivelin më të ulët, sot kemi një situatë të re me qytetarë të cilët po i bashkohen kësaj përpjekjeje të madhe kombëtare në të mirë të vendit, familjeve, fëmijëve tanë.


Kliko këtu për materialin e plotë

12 Dhjetor

Gjiknuri: OSHEE po ul humbjet, 40 mln USD më shumë të ardhura

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, z.Damian Gjiknuri, deklaroi sot para mediave se performanca e OSHEE ka ndryshuar pozitivisht, duke sjellë një rritje të arkëtimeve deri në 40 milionë dollarë më shumë, për periudhën janar-nëntor 2014, në raport me vitin 2013. Rrjedhimisht, falë arkëtimeve të larta, OSHEE ka mundur të reduktojë humbjet, të cilat në nëntor ishin 32.8 nga 42% që regjistrohej në nëntorin e 2013-s.


Kliko këtu për materialin e plotë