Back
19 Shkurt

OSHEE Group më pranë qytetarit – shërbim i ri online për raportimin e rreziqeve nga rrjeti elektrik

Për të forcuar komunikimin me qytetarët dhe për të përmirësuar shërbimet e saj, OSHEE Group ofron një shërbim të ri digjital për raportimin dhe zgjidhjen sa më të shpejtë të problematikave që lidhen me rreziqet nga rrjeti elektrik.

Prej disa ditësh, platforma e re online është aktive dhe e përdorshme për qytetarët. Përmes saj, ata mund të raportojnë raste që rrezikojnë sigurinë e komunitetit pranë zonave të tyre të banimit, si: kabina elektrike të dëmtuara ose të hapura, shtylla të amortizuara, tela të ekspozuar apo çdo element tjetër që mund të përbëjë rrezik për sigurinë publike.

Projekti pilot po zbatohet fillimisht në Tiranë. Duke skanuar kodin QR të vendosur në boksin elektrik të çdo pallati, qytetarët mund të raportojnë problematikën drejtpërdrejt në platformën e re, duke plotësuar formularin në seksionin “Raporto rrezik energjie”, në adresën:
https://oshee.al/raporto-rrezik-energjie/

Raportimet mund të bëhen gjithashtu edhe përmes faqes zyrtare të OSHEE Group:
www.oshee.al

Risia e këtij shërbimi qëndron te transparenca dhe komunikimi i vazhdueshëm me qytetarin. Për çdo raportim, qytetarët informohen mbi statusin e ankesës, që nga momenti i pranimit, faza e shqyrtimit dhe deri në përfundimin e ndërhyrjes nga ekipet e OSSH-së në terren.

Pas marrjes së njoftimit, ekipet e OSSH-së, pjesë e OSHEE Group, ndërhyjnë për verifikimin dhe zgjidhjen përfundimtare të problematikës.

Ky shërbim është një hap i rëndësishëm drejt rritjes së sigurisë dhe përmirësimit të shërbimit të OSHEE Group ndaj qytetarëve

03 Tetor

Risia e OSHEE Group, nga 1 tetori faturat e energjisë do të paguhen edhe me kartë pranë pikave të shërbimit

Duke filluar nga 1 tetori, qytetarët mund të paguajnë faturat e energjisë elektrike edhe me kartë bankare në pikat e shërbimit të OSHEE Group.

Projekti pilot është implementuar fillimisht në Tiranë, ku sportelet janë pajisur me aparate POS që pranojnë kartat e çdo banke, pa asnjë kosto shtesë për abonentët.

Ky shërbim vjen si pjesë e procesit të digjitalizimit dhe synon ta bëjë pagesën më të shpejtë, më të sigurt dhe më të lehtë për qytetarët.

Përmes pagesave me kartë qytetarët përfitojnë shërbim të shpejtë dhe komod pasi transaksionet kryhen menjëherë.

Pagesat e faturave të energjisë elektrike përmes kartës ofrojnë siguri më të lartë duke shmangyur mbajtjen e shumave të mëdha në dorë.

Përvec pagesave me kartë, klientët e OSHEE mund të paguajnë faturat e energjisë elektrike edhe fizikisht në sportelet tona, përmes platformës e-albania, apo kanalet alternative si Posta Shqiptare, pikat e transferimit të parave, si dhe bankat e nivelit të dytë.

Këto kanale u japin qytetarëve fleksibilitet dhe mundësi zgjedhjeje sipas nevojave të tyre.

Gjithashtu, faturat e energjisë elektrike mund t’i paguani dhe përmes platformave tona digjitale, aplikacionit të OSHEE dhe faqes zyrtare www.oshee.al.

Shërbimet digjitale ofrojnë mundësi për pagesa online, të shpejta dhe të sigurta, 24 orë në ditë.

Këto opsione janë veçanërisht të përshtatshme për ata që duan të shmangin sportelet dhe të menaxhojnë pagesat në distancë.

OSHEE Group planifikon që pas Tiranës, projekti i pagesave me kartë të zgjerohet edhe në qytete të tjera të vendit. Synimi është modernizimi i vazhdueshëm i shërbimeve, lehtësimi i procedurave për qytetarët dhe përshtatja me trendet e reja të digjitalizimit.

21 Korrik

OSHEE Group miraton skemat lehtësuese për shlyerjen e faturave të papaguara deri në 31 dhjetor 2023

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE Group) ka miratuar skema të reja lehtësuese (aktmarrëveshje) për shlyerjen me këste të detyrimeve të prapambetura nga faturat e energjisë elektrike. 

Përmes aktmarrëveshjeve, OSHEE Group ofron mundësinë e pagesës së detyrimeve të akumuluara deri në 31 dhjetor 2023, duke mbështetur shtresat më të ndjeshme dhe biznesin e vogël. Skemat lehtësuese janë hartuar me kujdes të veçantë për t’u ardhur në ndihmë atyre familjeve dhe bizneseve që ndodhen në kushte më të vështira ekonomike, duke mundësuar një rrugë të drejtë dhe të realizueshme drejt shlyerjes së detyrimeve.

Kush janë përfituesit?

Aktmarrëveshjet përfshijnë: klientët familjarë me ndihmë ekonomike, pensionistët kryefamiljarë dhe personat me status të veçantë, të cilët mund t’i shlyejnë detyrimet me këste fikse mujore që nisin nga 1,200 lekë.

Klientët e tjerë familjarë do të përfitojnë këste fikse mujore që nisin  nga 2,800 lekë.

Për të ruajtur një standard të përballueshëm aq sa dhe të drejtë, numri maksimal i kësteve do të jetë jo më shumë se 240 këste. Në çdo rast klienti ka të drejtë të zgjedhë një këst pagese, me vlerë më të lartë se vlera minimale, duke iu përmbajtur kushtit prej maksimumi 240 këstesh.

Klientët jofamiljarë (privat, buxhetorë dhe jobuxhetorë), do të paguajnë me këste të përcaktuara në bazë të shumës së detyrimit, si me poshtë.

  Skema për Klientët Jofamiljarë, 2025
Numri i kësteveVlera e detyrimit
24 këste100,000 – 500,000 lekë
48 këste500,001 – 1,000,000 lekë
60 këste1,000,001 – 5,000,000 lekë
84 këste5,000,001 – 10,000,000 lekë
120 këstembi 10,000,000 lekë

Reduktimi i kamatëvonesave

OSHEE Group ka miratuar gjithashtu reduktime të kamatëvonesave për klientët që zgjedhin shlyerjen e të gjithë detyrimit me një këst të vetëm:

  • Klientët familjarë përfitojnë reduktim në masën 70% të kamatëvonesës.
  • Klientët jofamiljarë (buxhetorë dhe jobuxhetorë), përfitojnë reduktim në masën 50%.
  • Biznesi i vogël, përfiton falje të plotë (100%) të kamatëvonesës, nëse likuidon të gjithë detyrimin menjëherë.

Kushtet për Pjesëmarrje në Skemat Lehtësuese dhe Rregullat e Zbatimit

Për të përfituar nga skemat lehtësuese të miratuara nga OSHEE Group, klientët debitorë duhet t’i kenë shlyer detyrimet e vitit 2024 dhe në vijim, përpara nënshkrimit të marrëveshjes për detyrimet e prapambetura deri më 31 dhjetor 2023.

Me nënshkrimin e marrëveshjes, klienti duhet të kryejë pagesën e këstit të parë brenda 7 ditëve kalendarike dhe më pas të vijojë me pagesa mujore të rregullta deri në shlyerjen e plotë të detyrimit.

Këto masa përfaqësojnë një shprehje konkrete të angazhimit social të OSHEE Group për të mbështetur qytetarët në përballimin e vështirësive financiare dhe për të krijuar një marrëdhënie më të drejtë dhe të qëndrueshme me klientët.

Njëkohësisht, përmes zbatimit të këtyre skemave, synohet të forcohet edhe qëndrueshmëria financiare e kompanisë, si një parakusht për ofrimin e shërbimeve të sigurta dhe cilësore në të ardhmen.

Vendimi për këto skema u miratua nga Këshilli Mbikëqyrës i OSHEE Group, pas shqyrtimit të propozimit të paraqitur nga administratori Enea Karakaçi, në zbatim të vendimit nr. 4876/4, datë 16.07.2025, të Asamblesë së Përgjithshme të Aksionarit, “Mbi miratimin e Skemave të Marrëveshjeve për pagesën me këste (ose një këst) të detyrimeve të prapambetura të klientëve debitorë për kategorinë familjare/jofamiljare gjatë vitit 2025”.

OSHEE Group fton të gjithë klientët debitorë të përfitojnë nga skemat lehtësuese, duke u paraqitur pranë qendrave të Kujdesit ndaj Klientit të FSHU-së, pjesë e OSHEE Group, për të lidhur aktmarrëveshjen përkatëse sipas kategorisë së tyre.

14 Korrik

Paligjshmëria në fushën e ndërtimit, OSHEE forcon kontrollet për hapjen e kontratës së furnizimit me energji elektrike

OSHEE shpreh angazhimin e saj të plotë për të kontribuar në aksionin e nisur nga Qeveria Shqiptare kundër paligjshmërisë në fushën e ndërtimit, si pjesë e një përpjekjeje të përbashkët institucionale.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike është i vendosur të forcojë kontrollin dhe të ndalojë çdo lidhje të re me rrjetin elektrik për ndërtimet që nuk përmbushin kriteret ligjore.

Të gjitha kërkesat për lidhje të reja do të shqyrtohen me kujdes, për të garantuar respektimin e plotë të legjislacionit dhe për të shmangur çdo përpjekje për të anashkaluar ligjin.

OSHEE nuk do të pranojë kërkesa për lidhje me energji elektrike për ndërtesa pa leje ndërtimi ose për ato që nuk kanë respektuar kushtet e përcaktuara në lejen përkatëse.

OSHEE mbetet e angazhuar të veprojë në përputhje me ligjin dhe të kontribuojë për një mjedis të ndërtuar në mënyrë të sigurt, të ligjshëm dhe në funksion të interesit të qytetarëve.

13 Korrik

Nga 21 korriku nis aplikimi për Aktmarrëveshjet, OSHEE: Përfshihen detyrimet e prapambetura deri më 31 dhjetor 2023, ja kush përfiton

Duke nisur nga data 21 korrik 2025, Operator i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike do të zbatojë një skemë të re lehtësuese për abonentët debitorë, e cila synon të ndihmojë qytetarët dhe bizneset të shlyejnë detyrimet e prapambetura deri në 31 dhjetor të vitit 2023, përmes pagesës me këste dhe reduktimit të ndjeshëm të kamatëvonesave.

Në një intervistë të dhënë nër media, administratori i OSHEE Group, Enea Karakaçi, theksoi se kjo nismë ka për qëllim krijimin e kushteve të favorshme për ata që kanë borxhe të akumuluara deri më 31 dhjetor 2023.

Abonentët që përfitojnë nga ky program mund të kenë ulje të kamatëvonesave që variojnë nga 50 deri në 100 për qind, në varësi të marrëveshjes që lidhin me OSHEE.

Skema është e vlefshme për një gamë të gjerë abonentësh, përfshirë familjarët, pensionistët, shtresat në nevojë, dhe subjektet e biznesit, përfshirë edhe biznesin e vogël.

 Për të përfituar nga skemat e aktmarrëveshjeve, abonentët duhet të kenë shlyer detyrimet për vitin 2024 dhe për muajt e parë të vitit 2025.

Ata që kanë borxhe të reja gjatë kësaj periudhe duhet t’i shlyejnë ato para se të aplikojnë për aktmarrëveshjen.

“Qytetarët që janë në rregull me pagesat e viteve të fundit do të kenë mundësi të marrin më shumë lehtësi për borxhet e mëparshme,” shtoi Karakaçi.

Investimet në infrastrukturën energjitike

Përveç lehtësirave për qytetarët dhe bizneset, OSHEE është duke realizuar investime të mëdha në infrastrukturën energjetike, për të përballuar kërkesat e sezonit turistik, i cili është gjithmonë nën presion në periudhën e verës.

 Administratori Karakaçi njoftoi se aktualisht po bëhen investime të rëndësishme në zonat bregdetare dhe malore, duke përfshirë Himarën, Livadhin, Jalën, Dhërmiun, Ksamilin, Spillen dhe Velipojën.

Në zonat e Himarës dhe Livadhit, do të instalohen 12 kabina të reja elektrike, që do të kontribuojnë në përmirësimin e furnizimit me energji dhe eliminimin e problematikave të mundshme.

 Po ashtu, janë duke u realizuar linja kabllore nëntokësore në zonën e Dhërmiut dhe linja të reja kabllore në Ksamil, për të siguruar furnizim të pandërprerë me energji.

Në vitin 2025, OSHEE ka në plan një investim të rëndësishëm që do të shtrihet nga Boga deri në Lëpushë dhe Theth, me qëllim që të mbështesë zhvillimin e turizmit dhe të ofrojë një infrastrukturë energjetike më të qëndrueshme për zonat malore.

29 Shtator

Kërkohet Drejtor i Departamentit të Marrëdhënieve me Klientin.



Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike sh.a
Shpall konkursin për vendin vakant të: Drejtorit të Departamentit të Marrëdhënieve me Klientin.

Për më shumë Hap Profilin

26 Dhjetor

Dokumentat qe nevojitet per kerkesat apo ankesat e Klientit

Sherbimet qe ofrohen ne qendrat e Kujdesit Ndaj Klientit si dhe dokumentacionin e caktuar qe nevojitet per kerkesat apo ankesat e Klientit

Si me poshte gjeni te listuara te gjitha shërbimet që ofrohen në Qendrat e Kujdesit ndaj Klientit, si dhe dokumentacionin e caktuar që nevojitet për kërkesat apo ankesat e klientëve.

Keto qendra jane pikat kryesore te kontaktit qe klientet kane me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike sh.a dhe kane per qellim te ofrojne zgjidhje te problemeve dhe kerkesave te tyre.

  1. Ankesa per faturimin
  2. Sherbime mbi marredheniet kontraktuale
  3. Sherbime te tjera
  4. Aplikime per lidhje te reja, spostime, shtese fuqie etj.
  5. Ndryshim i perdoruesit te prones
  6. Ankesa ne lidhje me kreditimin
  7. Ankesa mbi cilesine e sherbimit

26 Dhjetor

Sistemet inovative të Operatorit të Shpërndarjes

a) Sistemi i faturimit (Billing), që më parë merrej shërbim dhe mirëmbahej nga kompani e huaj. Sot, ky sistem mirëmbahet dhe zhvillohet nga DTI në Shoqërinë Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike sh.a. Janë përmirësuar të gjithë modulet e sistemit ndër të cilat veçojmë: përllogaritje automatike e debisë dhe kamatës së abonentëve në kohë reale, detajimi i saktë dhe shfaqja e dallueshme e të gjithë informacionit (faturim, arkëtim), zhvillim dhe integrim i sistemit të ankesave në sistemin e Billingut. Është rikonceptuar i gjithë procesi i gjenerimit dhe printimit të faturave, me qëllim shmangien e vonesave në shperndarjen e tyre.

b) Sistemi myAvis (sistem për regjistrimet e leximeve në terren nga lexuesit), Sot, realizojmë identifikimin nëpërmjet koordinatave të vendndodhjes së lexuesit në momentin e leximit të matësave, rifreskimi ditor i Sistemit të Faturimit (Billing) me të dhënat e reja të regjistruara nga lexuesit.

c) Implementim i Sistemit Financiar SAP, ky sistem më përpara merrej si shërbim nga CEZ Albania dhe në një kohë rekord si dhe me kosto shumë të ulët është implementuar dhe vënë në funksion ky sistem financiar bashkëkohor.

d) Implementimi i Sistemit Converge (sistem për leximin e matësave në distancë), ky sistem merrej si shërbim dhe pas ndërprerjes së tij nga CEZ Albania është kontaktuar dhe negociuar me kompaninë që ofron këtë sistem për leximin e matësave në distancë dhe kemi realizuar implementimin e tij. Leximet e matësave (Converge) të subjekteve të mëdha duke filluar nga muaji gusht 2013 do të lexohen online nëpërmjet këtij sistemi.

e) Në kuadrin e transparencës me Abonentët, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike sh.a. ka vendosur Online sistemet dhe shërbimet:

  • Shërbimi i Faturës Online, abonenti në çdo moment dhe në kohë reale mund të informohet për të gjithë historikun e tij të detyrimeve, pagesave si dhe të printojë faturat në sistemin Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike sh.a.
  • Shërbimi i Ankesave Online, abonentët mund të bëjnë online kërkesë apo ankesë në lidhje me shërbimet që Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike sh.a. ofron.
  • Sistem Informimi me SMS (nr. 069 41 40 000), nëpërmjet këtij sistemi abonentët mund të realizojnë kërkesë/ankesë, mund të informohen për vlerën e faturës së fundit të tyre, detyrimin që ata kanë në sistemin e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike sh.a. si dhe mund të marrin fjalëkalimin për sistemin e faturës online (për abonentët që kanë akses për faturën online).
    • Dërgimi i tekstit “F” apo “FATURE” do t’u informojë për vlerën e faturës aktuale
    • Dërgimi i tekstit “D” apo “DEBI” do t’u informojë për vlerën aktuale të debisë
    • Dërgimi i tekstit “P” apo “PASSWORD” do t’u informojë për fjalëkalimin tuaj në modulin online të informacionit.
    • Çdo tekst tjetër i ardhur edhe nga qytetarët që nuk kanë akses online, do të konsiderohet automatikisht kërkesë/ankesë.

f) Posta Shqiptare si dhe Bankat Online, posta si të gjithë bankat e nivelit të dytë të cilat kanë akt-marrveshje me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike sh.a., janë të lidhura online dhe shkëmbejnë në formë elektronike online të gjithë pagesat e faturave. I gjithë informacioni në kohë reale mund të konsultohet direkt nga abonentët online në Shërbimin e Faturës Online.

g) Monitorim Online i Automjeteve (GPS), Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike sh.a. tashmë ka vendosur një sistem monitorimi online të të gjithë automjeteve të saj me qëllim kontrollin dhe monitorimin e lëvizjes së tyre, me këtë sistem Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike sh.a. do të ketë një shfrytëzimin maksimal dhe korrekt të resurseve të saj. Me këtë sistem në çdo kohë mund të përcaktohet vendndodhja e ekipit të punonjësve dhe lëvizjet ditore të tyre.