Back
15 Mars

Kriza e çmimeve, Qeveria vendos 280 milionë USD mburojë për faturat e energjisë së familjeve dhe biznesit të vogël

Pavarësisht 10-fishimit të çmimit të energjisë elektrike në tregjet e bursave, fatura e konsumit për familjet dhe biznesin e vogël do të mbetet e pandryshuar.

 Kostot shtesë janë duke u përballuar nga buxheti i shtetit, si masë mbrojtëse ndaj krizës së çmimeve, tashmë edhe tek lëndët e tjera.

Prej disa ditësh, Kryeministri Edi Rama, së bashku me Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, jane duke prezantuar në publik “Paketën e Rezistencës Sociale”, si reagim ndaj pasojave të krizës globale energjetike, si edhe të luftës në Ukrainë, mbi çmimet.

Një ndër masat e marra nga qeveria është mbrojtja nga rritja e çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë dhe bizneset e vogla.

Kryeministri Rama ka deklaruar se qeveria do të shtojë 28 miliardë të tjera, 280 milionë dollarë, në financimin e mburojës së çmimit të energjisë elektrike për familjet dhe bizneset e vogla.

“Sot, me luftën, çmimet kanë pësuar një kërcim të ri dhe çmimi i energjisë ka shkuar aty ku, as nuk e ka imagjinuar njeri, deri në 61 lekë për kilovat/orë, ndërkohë që energjia paguhet nga familjarët, ata të cilët janë në nevojë 7 lek, dhe 7 lekëshi është mbajtur i tillë dhe për ta mbajtur të tillë, që nga reforma e energjisë, çdo vit për të mbajtur të 7 lekësh në faturën e familjeve në nevojë, ne paguajmë 45 milionë dollarë në buxhet që shkojnë si kompesim i faturave.

Për familjarët është 9,5 lekë dhe për bizneset është 14 lekë. Që do të thotë, ky është çmimi para krizës, ndërkohë që çmimet pas krizës dhe gjatë krizës, janë shumëfish”, u shpreh kryeministri Rama.

Ai theksoi se i ka kërkuar OSHE-së që për çdo faturë energjie te sjellë edhe pjesën e pagesës së buxhetit të shtetit për çdo familje dhe biznes të vogël.

“Unë do të doja që faturat të ishin si kjo fatura që është e dikujt nga ju këtu ku faktikisht shkruhet vlera për tu paguar nga subjekti që në këtë rast është një subjektet që konsumon 176 mijë lekë energji, por po të shikojmë mbrapa çmimi real i faturës është 476 mijë lekë pra subjekti paguan 176 mijë të vjetra, vlera reale e faturës është 476 mijë dhe 299 mijë lekë që është diferenca e paguan buxheti i shtetit”, tha kryeministri Rama.

Ndërsa ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se në muajin janar, për të kompensuar prodhimin e kaskadës dhe kërkesën e tregut, u shpenzuan për blerjen e energjisë nga importi 32 milionë e 678 mijë e 433 euro.

“ Në muajin shkurt blerja nga importi është 48 milionë e 356 mijë e 732 euro. Parashikimi për blerjen në muajin mars me çminimin që sapo ju thashë, mesatarisht 500 euro është 100 milionë euro.

 Ndërkohë që parashikimi për muajin prill i pritshëm, duke qenë  se kaskada do të prodhoj dhe më pak, është 134 milionë euro. Në total deri një muajin e katërt të këtij viti faktikja e konsumuar dhe çfarë presim nga projeksionet do të arrij rreth 320 milionë euro subvencion përsa i përket energjisë nga Qeveria Shqiptare dhe nga buxheti i shtetit”, tha ministrja Balluku.

Sipas saj,  kosto e kilovatorit në muajin mars për Qeverinë Shqiptare do të jetë 61 lekë për kilovatorë, ndërkohë që do të vazhdojë të tregtohet dhe ti jepet abonentëve me çmimet e mëparshme.

“Kështu që këtu po shkojmë drejt 10 fishimit të çmimit të kostos ndërkohë që çmimi i shitjes vazhdon të ruhet i njëjtë.

Unë besoj që ky subvencion është subvencioni më i madh që ne kemi dhënë pavarësisht të gjithë subvencioneve që janë dhënë gjatë pandemisë, por energjia zë pjesën më të madhe të subvencionit shtetëror ndaj abonentëve dhe jo vetëm abonentëve në nevojë, por ët gjithë abonentëve duke qenë se këtu përfshihen të gjithë abonentët familjarë”, tha ministrja Balluku.

Ministrja Balluku tha se qeveria ka marrë masa që në fillim të verës së kaluar për të përballuar krizën energjetike duke vënë në dispozicion një kredi të vendosur mbi garancitë sovrane prej 100 milionë eurosh që u konsumuan për blerjen e energjisë dhe për subvencionin që ju jepet të gjithë abonentëve.

02 Mars

Energjizohet linja 35kV Korçë-Bilisht, vendosen në punë 17 shtyllat e thyera, rikthehet gradualisht energjia në zonën e Devollit

Pas një pune intensive prej 3 ditësh, ka përfunduar sot rreth orës 12:14 puna për energjizimin e linjës 35kV Korçë-Bilisht e cila la pa energji qytetin e Bilishtit dhe një pjesë të fshatrave të bashkisë Devoll.

Shkak i avarisë ishte thyerja e 17 shtyllave elektrike si pasojë e motit të keq me stuhi bore.

Megjithë kushtet e këqija në terren moçalor dhe reshje bore❄️ që kanë vijuar gjatë këtyre ditëve, grupet e avarisë së Tl #Juglindje dhe OSSH #Korçë, sot rreth orës 13:04 vendosën në punë dy nënstacionet që furnizohen nga linja 35kV Korçë-Bilisht, NST Bilisht dhe NST Vranisht.

Deri në orën 13:20 u vendosën në punë fiderat F5, F6 dhe F7 të NST Bilisht që furnizojnë një pjesë të qytetit Bilisht dhe fshatrat përreth.

Aktualisht po punohet për rikthimin në skemë të plotë furnizimi me energji të fiderit F8 të NST Bilisht i stakuar me defekt lokal, për të cilët janë angazhuar shumë grupe pune të OSSH #Korçë, për eleminimin e defektit.

Fiderat Cangonj dhe Vranisht të NST Vranisht janë vendosur në gjendje normale dhe është rikthyer furnizimi me energji i fshatrave të bashkisë Devoll që furnizohen nga ky nënstacion.

Në ndihmë të TL Juglindje, OSSH angazhoi në terren punonjës nga drejtoritë e TL Shkodër, Fier, Vlorë dhe Laç për të riparuar avarinë në linjën 35kV Korçë-Bilisht dhe rikthimin e energjisë në të gjitha zonat e bashkisë Devoll

28 Shkurt

Moti i keq me stuhi bore dëmton shtyllat, OSSH riparon disa linja në Juglindje

Prej 24 orësh, disa zona të vendit po përballen me mot të keq, shoqëruar me kushe ekstreme reshje dëbore, në formë stuhie dhe shpejtësi ere.

Për pasojë janë dëmtuar linja dhe shtylla të rrjetit elektrik, duke prekur asetet e tensionit 110kV të OST dhe tensionin e lartë 35kV të OSSH, kryesisht në juglindje të vendit.

Zonat më problematike ishin ato të Korçës dhe Elbasanit, kryesisht zonat malore.

Grupet e punës së  OSSH #Korçë kanë riparuar disa prej linjave që u prekën nga defektet gjatë ditës së djeshme duke shkaktuar problem me furnizimin me energji në disa zona të Korçës e rrethinave të saj.

Megjithë kushtet e vështira të motit me reshje bore e temperatura të ulëta,  u riparua segmenti Ersekë-Mollas ku u evidentuan 6 kampata përcjellës të këputur dhe iu dha energji NST Mollas. Ndërsa u vendosën në punë dhe fiderat 10kv si dhe HEC Treskë.

Më herët, punonjësit e TL Juglindje #OSSH Korçë riparuan avarinë dhe në linjën Maliq-Lozhan duke i dhënë energji NST Lozhan. Ndërsa u vendosën në punë dhe Hecet e lidhur në  NST Lozhan

Prej mëngjesit të djeshëm vijon puna e brigadave të avarisë së OSSH #Korçë dhe drejtorisë së TL Juglindje dhe për riparimin e avarisë në linjën 35Kv Korçë-Bilisht e cila furnizon me energji qytetin e Bilishtit dhe fshatrat përrreth saj.

Shkak i avarisë kanë qenë dëmtimi i 13 shtyllave ku 6 prej tyre u thyen plotësisht ndërsa 7 të tjera pjesërisht.

OSSH ka angazhuar në terren 57 punonjës të saj, të cilët megjithë kushtet e vështira të motit, në një terren moçalor dhe me trashësi bore 30 cm po vijojnë punën për vendosjen e të gjitha shtyllave.

Aktualisht janë vendosur 4 prej shtyllave të thyera ndërsa vijon puna dhe për ngritjenn e 4 të tjerave, ku dy prej tyre janë shtylla ndërmjetëse. Ndërsa janë riparuar dhe 3 shtylla që u dëmtuan pjesërisht dhe vijon puna për 4 të tjera.

Në ndihmë të brigadës së TL Juglindje është dhe një grup pune e OST të cilët po punojnë intensivisht për rikthimin e energjisë sa më shpejt tek të gjithë abonentët.

25 Janar

Normalizohet situata e furnizimit me energji, ngarkesat në rrjet 50% më tepër

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka marrë të gjitha masat për të përballuar situatën e furnizimit me energji elektrike, në kushtet e një moti të ftohtë me temperatura të ulëta dhe reshje bore, ngrica e stuhi ere.

Në terren janë angazhuar 2200 punonjës nga 11 rajonet e OSSH në vend të cilët prej fundjavës janë në punë 24 orë për të riparuar avaritë që janë shfaqur këto ditë në rrjetin e shpërndarjes.

Nga informacionet që përcjell në mënyrë periodike dispeceria qendrore në kompaninë OSSH, me uljen e ndjeshme të temperaturave, është rritur me 50 % ngarkesa në rrjetin elektrik ,në qendrën e Shqipërisë duke sjellë avari në fidera.

Grupet e OSSH, ndonëse në kushtet e motit ekstrem kanë vijuar punën duke eleminuar avarinë  dhe duke rikthyer energjinë në 95 % të zonave të prekura nga defektet.

Vijojnë të mbeten problematike disa zona malore të thella në rajonin e Burrelit dhe Peshkopisë ku defektet jannë kryesisht në linjat ajrore si këputje përcjellësash, thyerje izolatorësh apo rrëzim të shtyllave.

31 Dhjetor

Administratori i OSHEE: Kompania, bilanc pozitiv në 2021 në arkëtime dhe humbje

Në mbledhjen e fundvitit, e organizuar nga minstrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku, së bashku me administratorët e kompanive OST dhe Kesh, Administratori i OSHEE Grup, Adrian Ccela, renditi disa prej arritjeve pozitive të kompanisë për vitin 2021.

Ccela tha në fjalën e tij se megjithë vështirësitë që po kalon kompania OSHEE si pasojë e krizës energjetike ndërkombëtare, por dhe situatës financiare të krijuar si pasojë e pandemisë, viti 2021 mbyllet me tregues të kënaqshëm të nivelit të humbjeve dhe arkëtimeve.

Sipas tij, për 11-mujorin 2021, niveli i humbjeve teknike në rrjet mbyllet me 20.5 %, 1 ëprqind më mirë se viti i kaluar.

“Nëse krahasojmë  periudhën kur ka filluar kjo reformë ku  humbjet ishin në nivelin 45 përqind, ne kemi një përmirësim me 50 % të nivelit të humbjeve dhe nëse do të bënim një krahasim me megavat, janë 10 mln megavat të kursyera ose  600 milion euro më shumë të kursyera”, tha administratori i OSHEE.

Ccela u ndal konkretisht dhe në rajonet kryesore të vendit si Tirana e Elbasani të cilat kanë përmirësuar ndjeshëm nivelin e humbjeve dhe sot janë nën 14 % të nivelit të humbjeve ndërkohë që synimi është që të përmirësohet treguesi i humbjeve në rajonin e Shkodrës, nga 40 në 30 përqind.

Kurse niveli i arkëtimeve ka shënuar nivel rekord ku  janë arkëtuar 72 miliardë lekë.

Kreu i kompanisë OSHEE tha se ky është bilanci më i mirë i realizuar në 7 vite ku 101 % është niveli i arkëtimeve i realizuar për abonentët familjarë dhe 92 % për abonentët buxhetorë dhe jo buxhetorë, pra në total jemi në nivel arkëtimi 95 përqind.

Në analizën e performancës së kompanisë, administratori i OSHEE përmendi dhe investimet në rrjet, ku falë punës së realizuar ndër vite, OSHEE përmirësoi treguesit SAID/SAIF.

“Në vitin 2013, SAID ishte 117.5 jashtë cdo lloj standardi, në 2021 si 11 mujor është 42, në 2013 SAIF ishte 53.5 dhe në 10 mujorin e 2022 është 22.6.

Pra treguesit janë mëse të qartë, dhe janë të realizuara në cdo nivel drejtorie, ku përmirësimi është i paimagjinueshëm”, u shpreh administratori i OSHEE.

Ccela theksoi se prioritet I kompanisë për vitin 2022 është vazhdimi i investimeve ku në fund të 6-mujorit të parë dhe në vazhdim,  do të implementohet instalimi i matësave smart pas përfundimit të dy projekteve pilot në Tiranë dhe në Durrës.

“Tashmë  jemi gati të nisim instalimin e matësave smart  në drejtrorinë rajonale në Shkodër dhe në Durrës me instalimin e matësave smart në 3700 kabina që është 70 përqind e konsumit në këto dy qarqe dhe ajo që ne presim, është përmirësimi në nivelin e 70 përqind të humbjeve”, tha kreu i OSHEE.

Sipas Ccelës ky është loti iI parë që do të implementohet plotësisht në katër vitet e ardhshme.

Ndërkohë që ka nisur procesi i prokurimit me KfË dhe brenda tremujorit të parë të vitit  do të firmoset kontrata për nënstacionin e qendrës që pas 20 vitesh bëhet realitet dhe nëstacioni I Valiasit ku do të investohet totalisht në rrjetin TM/TU duke I dhënë fund gangrenizimit të rrjetit për qytetin e Tiranës.

Sa i takon mbarëvajtjes së furnizimit me energji elektrike, kreu i OSHEE garantoi se në terren janë 309 ekipe prej 3957 punonjësish që janë në gatishmëri për të riparuar në kohë sa më të shpejtë avaritë.

Ndërsa ministrja e Energjisë Belinda Balluku teksa vlerësoi arritjet pozitive të OSHEE, tha se me ndryshimet ligjore që ngarkojnë KESH të mbulojë furnizimin me energji të abonentëve familjarë dhe biznesin e vogël, OSHEE do të vijojë planin e investimeve.

“Pavarësisht vështirësive, ambicia jonë është që Shqipëria të kthehet në një vend eksportues të energjisë së pastër. Janë një sërë projekte të cilat tashmë e kanë marrë rrugën dhe shumë shpejt do të jenë realitet duke rritur ndjeshëm kapacitetet prodhuese energjetike në vend”, tha ministrja Balluku.

14 Dhjetor

Moti i keq. OSSH stabilizon situatën e furnizimit me energji elektrike

Prej disa ditësh, si pasojë e ndryshimeve drastike të motit, me reshje shiu e bore dhe temperatura të ulëta, rrjeti i shpërndarjes në disa zona të vendit u afektua duke shkaktuar probleme me furnzimin me energji elektrike për abonentët.

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, OSSH, në vijim të planit të masave për organizimin e punës në 11 drejtoritë rajonale, angazhoi në terren afro 2200 punonjës të brigadave të avarive, me qëllim eleminimin në kohë sa më të shpejtë të defekteve në fiderat dhe linjat e tensionit të mesëm.

Puna në terren u vështirësua dhe nga vërshimi I ujërave të lumenjve që në disa zona dolën nga shtrati sic ishte lumi Vjosa.

Nisur nga kjo situatë, OSSH ishte e detyruar të stakonte për masë sigurie disa fidera duke lënë pa tension disa kabina dhe nënstacione, sic ishte NST Grapsh dhe linja 35kV Ballsh-Poçem për efekt sigurie.

Në ndihmë të grupeve të tensionit të lartë të OSSH u afruan dhe grupet e avarisë së OST të cilat së bashku mundësuan riparimin e shpejtë të defektit dhe rikthimin e energjisë në pjesën më të madhe të abonentëve.

Defektet më të mëdha u shfaqën në zonat malore të Korçës, Burrelit dhe Dibrës.

Në këto zona vijon puna për riparimin e defekteve megjithëse terreni malor dhe ngricat vështirësojnë punën e grupeve të OSSH.

Në zonën e Korçës, defektet në rrjetin e OSSH u shkaktuan dhe nga palët e treta sic janë dy hecet Gjoka dhe Nica që operojnë në zonën e Korçës.

Përcjellat e tyre të djegur ranë mbi fiderat e OSSH duke lënë pa energji prej disa ditësh zonat Velçan, Strelcë, Moglicë, Lozhan, Senisht dhe Tresovë.

Në zonën e Dibrës,  vijon puna për vendosjen e shtyllave të rrëzuara në  fideirn Sllovë, përgjatë aksit Ceren dhe Vosije.

Në Gjirokastër vijon puna për rikthimin e linjës 35 kv Gjirokastra 2-Grapsh në punë dhe normalizimin e situatës me furnizimin me energji elektrike për zonat  Zagori, Grapsh, Dropull i Poshtëm dhe Dropulli i Sipërm

Në zonën e Shkodrës është vendosur në punë fideri i Kelmendit dhe një pjesë e kabinave në segmentin Lepushë-Budac dhe është rikthyer energjia në zonat që furnizohen me energji nga ky fider.

30 Nëntor

Moti i keq, Administratori i OSHEE: Në terren 2200 punonjës, kemi përgjysmuar kohën e riparimit të defekteve

Administratori i OSHEE Group, Adrian Çela në një intervistë me skype në studion e Neës 24, ka dhënë një pasqyrë të situatës së defekteve në rrjetin elektrik  si pasojë e motit të keq ekstrem, me reshje shiu intensive dhe stuhi ere e bore në zonat malore.

Ai shpjegoi se sipas planit organizativ të kryer nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes u bë e mundur që brenda 2 orëve të reduktohet në masën 50 % numri i fiderave me defekt.

Administratori i OSHEE-së shpjegoi se  ndërprerjet e energjisë patën si shkak stuhitë duke sjellë për pasojë defekte në linjat e tensionit të ulët dhe të mesëm.

“Kur kemi reshje të shumta bore dhe kohë të keqe, jemi koshientë që situata në të tilla raste do pasqyrohet dhe me rritje të defekteve.

Aktualisht kemi në terren 2200 punonjës, në gatishmëri 24 orë dhe situata ka ardhur drejt përmirësimit.

Në momentet që flasim nga 1200 fidera janë vetëm 12 fidera ende me defekt. 19218 abonentë janë pa energji elektrike në këto momente. 322 janë në zonat urbane”, u shpreh administratori i OSHEE Adrian Çela.

Lidhur me rastin e Dervicianit, ku pas përfshirjes së banesës nga flakët humbi jetën një 12-vjeçare, kreu i OSHEE i ka shprehur ngushëllime familjes së viktimës ndërsa kërkoi që të mos abuzohet me këtë rast.

“Një rast ekstrem dhe shumë tragjik. Më vjen keq që abuzohet me këtë rast. Ne nuk themi që kemi rrjetin më modern, kemi investuar, por për të investuar në rrjetin elektrik shqiptar duhen 30 vite.

 Gjatë natës për arsye teknike në shumë defekte është e pamundur ndërhyrja për shkak të rrezikut për punonjësit. Ne kemi pasur dhe raste të humbjes së jetës. Në shumë raste bëjmë dhe stakime për arsye sigurie, ku ka rritje të nivelit të ujit, për të mos pasur dëme më të mëdha kemi raste që i stakojmë, për të ruajtur jetën dhe pajisjet”, tha Çela.

Sipas administratorit të OSHEE, në rast se në vitin 2015 në të tilla situata numri i defekteve ka qenë shumë herë më i madh, investimet e kryera treguan se jemi më të përgatitur dhe më të gatshëm të riparojmë në kohë sa më të shpejtë defektet.

“Në orën 12 të natës kishim 16 fidera në të gjithë vendin pa energji. Në 3 shkoi 40 dhe në 9 të mëngjesit kishim 78 fidera pa energji. Pas dy orësh numri i fiderave zbriti në 38 dhe tani janë 12 fidera me 19218 abonentë. Situata më e rënduar është në Drejtorinë Rajonale Burrel.

Çdo një orë raportohet për përmirësimi ne situatës. në zonat ku ka ngarkesa kemi zhvendosur punonjësit. Në zonën e Dibrës po dërgojmë punonjës të tjerë për të realizuar kthimin e energjisë për banorët pa rënë nata. Ka zona ku vërtetë nuk arrin të hyhet. Ka gjëra që nuk parashikohen. Kërkojmë mirëkuptim dhe punonjësit e OSHEE, si këtë radhë dhe siç kanë demonstruar gjatë gjithë kësaj periudhe, do jenë në gatishmëri për të garantuar furnizimin me energji”, tha ai.

Çela foli dhe për mungesën e energjisë në zonën e Radhimës më 28 nëntor.

“Ishte një furtunal. Në Radhimë dhe gjithë zonën kemi planifikuar një investim të ri me rrjetin 20 kV. Ky rrjet aktual nuk mund të përballet me furtunalet. Në Orikum kemi një investim të ri, një rrjet.

Për shkak të situatës së ndërlikuar në tregjet energjetike dhe ne kemi qenë të detyruar të importojmë energji, kemi ndërprerë të gjitha investimet. Për shkak se jemi në këtë situatë nuk kemi arritur akoma ta implementojmë këtë investim. Shpresojmë gjatë 3-mujorit të vitit tjetër”, tha Çela.

15 Nëntor

Rama në Kuvend: Çmimi i energjisë për familjarët dhe biznesin e vogël nuk ndryshon, kostot do t’i përballojë shteti

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së mbajtur në kuvend për projektbuxhetin e vitit 2022, ka deklaruar se qeveria nuk do të ndryshojë çmimin e energjisë elektrike për abonentët familjarë dhe biznesin e vogël.

Rama tha se të gjitha kostot e parashikuara për mbulimin e këtij financimi do të përballohen nga buxheti i shtetit.

Duke iu referuar situatës së krijuar në vendet e rajonit si pasojë e krizës energjetike, kryeministri Rama tha se ata që po përballojnë koston e kësaj krize janë familjarët të cilët po paguajnë me tarifë më të lartë gazin dhe energjinë elektrike.

“Mbase shumëkush bën sikur nuk i sheh, sepse kështu i intereson ato që po ndodhin me çmimin e energjisë përreth, mbase shumëkush nuk do që ti shohë se cfarë po ndodh me  konsumatorët familjarë jo shumë larg nesh, ku debati kryesor është kostoja e stërngritur e ngrohjes për familjarët, por po i referohem Italisë, Greqisë e vendet e tjera rrotull që po përballen me rritje të lartë të cmimit të energjisë për familjarët e bizneset e vogla”, tha Rama.

Më tej ai theksoi se sic është premtuar qeveria do të mbrojë familjet dhe biznesin e vogël nga efektet e krizës energjetike.

“Do t’i qëndrojmë fort bindjes se do të jemi mburojë për famijet dhe për biznesin e vogël në raport me cmimin.

Ne do të vazhdojmë të mbajmë cmimin aktual të energjisë duke financuar për të kompensuar të gjithë koston, që është kosto që i faturohet arkës së shtetit dhe duke shpresuar se siç janë parashikimet në gjashtëmujorin e dytë të vitit të ardhshëm, vala e krizës do të zbutet”, tha kryeministri Rama.

12 Nëntor

Efiçienca e energjisë, Balluku dhe ambasadori zviceran firmosin marrëveshjen për “Projektin e Bashkive me Energji Inteligjente”

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku dhe Ambasadori zviceran Adrian Maître nënshkruan marrëveshjen për zbatimin e “Projektit të Bashkive me Energji Inteligjente” (SEMP), i cili do të vendosë modele të reja të menaxhimit të energjisë në të paktën katër bashki. Projekti i financuar nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike SECO ka një buxhet prej 5.3 milionë franga zvicerane – afërsisht 4.8 milionë euro.

“Efiçienca e energjisë dhe energjia e rinovueshme janë shtyllat e politikës së energjisë së qëndrueshme dhe renditen lart në listën e prioriteteve të shteteve anë e mbanë globit. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nëpërmjet dhe në bashkëpunim me Agjencinë për Efiçiencën e Energjisë është duke punuar intesivisht që të suportojë efiçiencën e energjisë në Shqipëri, si një koncept i ri, por me potencial të madh që premton fitime për qytetarët, mjedisin dhe vetë sistemin elektro-energjetik të vendit.

Rreth 270 mijë banorë të bashkive, pjesë e këtij projekti, do të përfitojnë drejtpërdrejtë apo në mënyrë të tërthortë nga kursimet në koston e energjisë, nga ndriçimi i përmirësuar publik në kuadër të investimeve dhe të përfitimeve të shpejta“, tha Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku.

“Përfitimet janë të qarta: emetime më të ulëta të karbonit, cilësi më e mirë e jetës, reduktim i ndotjes, qytete më tërheqëse dhe kosto më të ulëta të energjisë. Le ta kthejmë këtë në një histori suksesi dhe në një shembull se si duhet të duket e ardhmja e energjisë në Shqipëri. Pres me padurim punën tonë të përbashkët për të ndërtuar bashki me efiçencë energjetike”, tha Ambasadori zviceran Adrian Maître.

Aktualisht bashkitë nuk kanë vendosur një kuadër për menaxhimin e energjisë. Prandaj projekti do të punojë për të krijuar kapacitete për menaxhim më inteligjent të energjisë me Agjencinë për Efiçiencën e Energjisë dhe bashkitë Shkodër, Korçë, Berat dhe Përmet, të cilat u përzgjodhën për fazën pilot pas një procesi me tre hapa. Një përfshirje më e gjerë e bashkive të tjera po përgatitet ndërkohë. SEMP gjithashtu do të prezantojë modelin e Çmimit Europian të Energjisë i cili është standardi për të asistuar bashkitë në të gjithë Europën përsa i përket efiçencës së energjisë, energjisë së rinovueshme, dhe lëvizshmërisë së qëndrueshme.

Bashkitë do të mbështeten me plane të integruara energjetike dhe gjithashtu do të shpërblehen për performancën e mirë me fonde investimi dhe ndihmë të mëtejshme. Disa investime në infrastrukturë – projekte të fitimit të shpejtë – do të shërbejnë si demonstrime të efiçiencës së energjisë dhe do të përfshijnë ndriçimin publik, ndërtesat dhe transportin. Rezultati kryesor që pritet është rritja e aftësisë së bashkive për të planifikuar dhe menaxhuar energjinë në mënyrë më efiçente. Përafërsisht 270,000 qytetarë do të përfitojnë nga përmirësimi i ndriçimit publik dhe ulja e kostove të energjisë.

Projekti do të jetë i pari që adreson menaxhimin e energjisë në nivel bashkie. Ai do të forcojë kapacitetet e bashkive dhe të institucioneve kombëtare për efiçencën energjetike si dhe do të prezantojë teknologji të reja dhe mekanizma financimi për tregun energjetik të Shqipërisë. Projekti është një hap i rëndësishëm në angazhimin e Zvicrës për të mbështetur Shqipërinë në përdorimin efiçent të energjisë dhe në adresimin e ndryshimeve klimatike.

12 Nëntor

Vijimi i reformave në sektorin e energjisë, firmoset huaja 50 mln euro me Agjencinë Franceze për Zhvillim

Sektori i energjisë do të mbështetet me një kredi të butë nga Agjencia Franceze për Zhvillim prej 50 milionë euro për vijimin e reformave energjetike.

Marrëveshja e huasë u firmos në emër të qeverisë shqiptare nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.

Në fjalën e saj, ministrja Ibrahimaj tha se kjo kredi synon të përmirësojë dhe të konsolidojë strukturën e OSHEE-së , ndarjen e 3 operatorëve të saj.

“Kjo kredi synon gjithashtu të nxisë funksionimin e bursës së energjisë dhe krijimin e një tregu konkurrues për energjinë”.

Ministrja e Financave tha se kjo kredi është në vijim të një marrëveshje tjetër kredie për sektorin e energjisë të financuar nga qeveria gjermane bazuar në marrëveshjen që qeveria shqiptare dhe qeveria gjermane dhe ajo francize kanë për nxitjen e reformave në sektorin e energjisë.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrveshjes, ishte i pranishëm dhe zv/kryeministri Arben Ahmetaj.

Zv/kryeministri Ahmetaj u shpreh se kjo marrëveshje huaje është në vijim të marrëveshjes ndërqeveritare firmosur gjatë Konferencës së Donatorëve më 17 shkurt 2020,  firmosur nga kryeministri Rama.

“Prej shkurtit të vitit 2020 e deri më tani, është avancuar me 3 projekte të rëndësishme, 2 prej të cilëve janë mbështetje e drejtpërdrejtë buxhetore me shumën 100 mln euro, 50 mln euro secila krahas 3 mln euro asistencë teknike për reformën në sektorin e energjisë që u firmos gjatë ceremonisë së sotme”, u shpreh zv/kryeministri Ahmetaj.

Ahmetaj vlerësoi mirëmenaxhimin e kompanisë OSHEE Group, ku 450 mln euro investime kanë përmirësuar rrënjësisht cilësinë e furnizimit me energji elektrike.

Ai ka falenderuar donatorët në sektorin e energjisë që kanë bërë të mundur investimet dhe përkujdesjen për të avancuar me reformën në tregun e energjisë.

Gjithashtu, zv/kryeministri Ahmetaj vlerësoi gjithashtu dhe transparencën në blerjen e energjisë nga kompania OSHEE përmes platformës online.

Sipas tij, marrëveshja që firmosëm sot është një hap tjetër i mëtejshëm për të vijuar me reformat.

 “Suporti i rëndësishëm i qeverisë shqiptare që prej vitit 2019 afron bashkë agjenci të fuqishme ADF dhe KfË për të mbështetur në realizimin e disa objektivave si përmirësimi dhe qëndrueshmëria financiare e operatorëve të sektorit, krijimi i një tregu elektrik, një proces progresiv i derregullimit të tarifave dhe diversifikimit dhe i miksit elektrik të zhvillimit të energjive të rinovueshme”, tha Ahmetaj.

Në fund të fjalës së tij, zv/kryeministri Ahmetaj vlerësoi mbështetjen financiare dhe ekspertizën e ADF-së me shumën e parë 4 mln euro, si shenjë kjo e intensifikimit të marrëdhënieve politike dhe ekonomike mes Francës dhe Shqipërisë.